Gëzim Zilja/ Kultura juridike, si pjesë kulturës shpirtërore

611
Në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës, javën e shkuar në kuadrin e kualifikimit të vazhdueshëm të punonjëve të KLSH-së u zhvillua seminari me temë: “Kultura Juridike profesionale si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore të popullit shqiptar”. Në fjalën e tij u përfshinë, tërësia e dijeve, ideve, njohurive që fitohen gjatë jetës nga burimet e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat e ndriçojnë mendjen e njerëzve dhe zgjojnë vetëdijen e tyre të kuptojnë përmbajtjen e shtetit të së drejtës, për kuptimin dhe zbatimin e ligjit dhe barazisë para ligjit. Po kush është Prof. Ismet Elezi dhe cilat janë disa nga kontributet dhe vlerat e tij në fushën e ligjit dhe mendimit historik të së drejtës penale? Po përmendim praprakisht se skedari i tij në Bibliotekën Kombëtare përmbante 148 tituj, ku përfshiheshin punime në fushën e Ligjit të së Drejtës Penale, të Historisë të së Drejtës Penale, të shprehur në dhjetëra punime në formën e monografive, artikujve shkencorë, apo të kujtimeve gjatë punës në institucione të ndryshme të shtetit shqiptar. Prof. Ismet Elezi ia kushtoi jetën e tij njerës prej fushave më të rëndësishme e njëkohësisht më sfiduese të shoqërisë sonë, Drejtësisë, duke u shfaqur dukshëm jo vetëm si një praktikant kriktik i saj, por edhe si një shkencëtar i vërtetë. Kontributi i tij i vyer është dedikuar qartazi në degën e të Drejtës Penale, por jo më pak të dobishme janë veprat e tij edhe në fushat të tjera të drejtësisë si “Historia e së Drejtës Shqiptare” dhe ajo e “Mendimit Juridik Shqiptar”. 

Në këto vepra studiuesit, juristët, sociologët, psikologët, historianët e studentët gjejnë dukshëm përpjekjet e një njohësi të madh të së drejtës, përvojën e një dijetari ndër vite dhe punën fisnike të një njeriu të ndershëm. “Veprat e profesorit ndoshta janë doktrina që referohet më shumë nga gjyqtarët në vendimet e tyre. Për aq sa është studiuar dhe parë në vendimet e gjykatave të shkallëve të ndryshme, vepra që u referohen më shpesh është “E Drejta Penale, Pjesa e Posaçme” e shkruar nga Ismet Elezi do të shprehej prof. Aurela Anastasi, në fjalën e saj për prof. Ismet Elezin, si një figurë e spikatur në shkencën juridike shqiptare. Është shembulli i një rasti tipik ku një tekst universitar për studentët merr dukshëm rolin e doktrinës si një burim i së drejtës, duke shërbyer drejtpërsëdrejti për arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Është e vështirë të ndash sot emrin e profesorit nga emri tij në fushën e së Drejtës. Penale. Ai është gjithashtu bashkautor në shumë tekste e komentarë të së drejtës penale dhe ka hedhur bazat e para për zhvillimin e disiplinave të reja mësimore në falkultet si Kriminalogjia, Politika Penale etj. Kontributi i profesorit është i dukshëm në fushën e Historisë të së Drejtës Penale dhe të së Drejtës Zakonore Shqiptare. Ka me dhjetra punime në formën e monografive dhe artikujve shkencorë, të botuara në revistat shkencore shqiptare dhe të huaja. Vlen të theksohen “E drejta zakonore e Labërisë”, 2002, ‘’Kanuni i Labërisë” 2006, “Zhvillimi Historik i Mendimit Juridiko-Penal” 2010, ‘’Historia e së Prejtës Penale” 2010, etj. Duke studiuar të drejtën zakonore në thellësi prof. Ismet Elezi, ka dhënë kontributin e tij të paçmuar në studimin e dhe evidentimin e vlerave kombëtare dhe kulturore të së drejtës shqiptare. Lidhur me këtë Prof. Aurela Anastasi do të shprehej: “Aty ndodhen disa deduksione shkencore që lidhen me ndikimet dhe trashëgiminë e së drejtës si dhe me ndjenjën e së drejtës dhe drejtësisë si një vlerë morale e popullit shqiptar”. 

Të luftohet mentalitet i trashëguar i së kaluarës, i nënshtrimit ndaj kanunit aq më shumë kundër deformimit të tij. Njëkohësisht të mos mendojmë se ringjallja e Kanunit do të na shpëtojë nga kjo e keqe”, thekson Prof. Elezi, duke analizuar problemet e vrasjeve për hakmarrje dhe gjakmarrje. Kontributi i Prof. Ismet Elezit, shprehet dhe në hartimin e legjislacionit të ri, në Republikën e Shqipërisë. Pas viteve 1990 ai ka qenë anëtar i Komisionit për Reformën Ligjore të Kodit Penal të vitit 2001, reform që solli përmirësime të këtij kodi. Në vitin 1998 Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar” në Shkencë dhe biografia e tij është botuar në Fjalorin Ndërkombëtar të Biografive. Ajo që ra në sy gjatë seminarit, ishte ilustrimi me shëmbuj të shumtë, duke shpjeguar shkaqet që shpien njerëzit në kryerjen e veprave penale, duke e krahasuar mosbatimin e ligjit, me lëkundjen e tërmetit në themelet e shtetit të së drejtës, prandaj kërkohet të zëvendësohet rrënjësisht me kulturën e zbatimit të ligjit e të barazisë përpara tij. Prof. Elezi u ndal te rëndësia e Ligjit të Ri të KLSH-së, të aprovuar nga Kuvendi i RSH vitin e kaluar, studimin dhe zbërthimin e tij veçanërisht nga audituesit si një vlerë e shtuar në punën e tyre për të tashmen dhe të ardhmen e KLSH. – Unë përshëndes, tha Prof. Elezi, metodën që është ndjekur për përgatitjen e këtij ligji, konsultat dhe diskutimet me ekspertët, reflektimin ndaj propozimeve të ekspertëve, përvoja ndërkombëtare, me një fjalë, kultura juridike profesionale, është vënë në veprim në funksion të arritjes së standardeve ndërkombëtare”. Ai vuri në dukje risitë e ligjit, si sispozitat e qarta, auditimin e ligjëshmërisë, auditimin e teknologjisë së informacionit, auditimin e përdoruesve të fondeve publike, dhënien e dokumentave dhe e informacionit nga subjektet, parandalimin e shkeljeve ligjore, njohjen dhe përhapjen e kulturës juridike dhe e edukimit juridik në publikun e gjerë etj. Pyetjeve të dëgjuesve Prof. Elezi iu përgjigj me kompetencë juridike, me një gjuhë të pasur e të kuptueshme, ilustruar me shëmbuj të shumtë. Takimi pati nismëtar dhe moderator Kryetarin e KLSH. z. Bujar Leskaj.
Sigal