Gëzim ZILJA/Ku janë vrasësit e dëshmorëve të vitit 1997?

788
Sigal

Në kujtim të  Dëshmorëve të Atdheut Lekë Qoku dhe Besnik Hidri

Dje me ftesë të gruas së Lekë Qokut u ndodha në homazhet për dëshmorët e demokracisë, Lekë Qoku dhe Besnik Hidri. Historia duket paksa e vjetëruar, por si thotë ajo shprehja e vjetër: Nuk mbaron asnjëherë dhe gjithçka fillon nga e para. Në mars të vitit 2006 pata një sulm të egër njëjavor me shpifje e fyerje nga gazeta “Zëri i Popullit” sepse sipas tyre kisha ndikuar në vendimin e Presidentit Moisiu në dekorimin e dy shikasve të vrarë në Vlorë në 28 shkurt të vitit 1997. E vërteta ishte se presidenti më thirri para se të merrte vendimin për dekorimin. Ai kishte respekt të madh për njerëzit e letrave. Më tha: “Ti ke qenë në Vlorë dhe ke shkruar dhe një libër për ngjarjet e vitit 1997. Dua të di mendimin tënd për ato që ndodhën dhe qëndrimin në lidhje me oficerët e vrarë atë ditë”. I thashë gjithçka dija për ngjarjen e asaj dite dhe vrasjen e dy oficerëve të SHIK-ut.  “Nëse doni mendimin tim unë jam që ata të dekorohen se, kanë rënë në krye të detyrës. Por mendoj që duhet të bisedoni paraprakisht me Sabit Brokën dhe Arben Malajn si përfaqësues të krahut të majtë dhe njerëz të moderuar”,  shtova në fund të bisedës së zhvilluar në zyrën e tij. Më falënderoi për gatishmërinë, por nuk u shpreh për asgjë. Natyrisht, nuk isha unë ai që e binda atë të dekoronte oficerët e shtetit. Moisiu ishte një burrë i urtë, i zgjuar dhe me mjaft eksperiencë. Do të pyeste edhe këshilltarët, por vendimet do t’i merrte vetë. Këtë e dija mirë. Pas sulmit nga ZP-ja Moisiu më dërgoi fjalë që të mos e vrisja shumë mendjen e të vazhdoja i qetë punën. Ajo që mua më dëshpëroi atë kohë dhe më dëshpëron edhe sot është që organizatorët e asaj masakre nuk u dënuan kurrë, dhe shumë prej tyre u bënë shefa policie dhe deputetë. Madje për ironi të fatit atyre që sulmuan u është ngritur një pllakatë përkujtimore pranë godinës së SHIK-ut në Vlorë.  Të bën përshtypje se ne shpallim dëshmorë, nderojmë të rënët në krye të detyrës, por nuk dënojmë shkaktarët e fatkeqësisë, ata që morën në dorë armët, u vunë zjarrin qyteteve dhe vranë policët e oficerët e shtetit. Që t’i qajmë, vlerësojmë e dekorojmë ata trima ne duhet të dimë e dënojmë vrasësit, ne duhet të vendosim drejtësi. Po nuk u dënua e keqja, po nuk u dënuan vrasësit atëherë vihen në dyshim edhe dëshmorët dhe lufta e tyre. Amnistia e marsit të vitit 1997, ishte një turpet më të mëdha të politikanëve shqiptarë. Si është e mundur  të vriten rreth 160 policë në ngjarjet e vitit 1997 dhe të zbardhen 10% e vrasësve? Si do ta ndërtojmë shtetin e së drejtës së bashku, vrasës dhe viktima, persekutorë dhe të persekutuar? Kjo është një nga plagët më të thella të shoqërisë shqiptare në këta 20 vjet. Duhen ndarë një herë e mirë vrasësit nga heronjtë, të mirët nga të ligjtë. Dje kur me mikun tim Bedri Çoku kur po ngjitnim shkallët për t’u bërë homazhe heronjve pamë të na shtynin e mënjanonin (jo vetëm neve) se po ngjiteshin sipër disa njerëz “të rëndësishëm.” Sapo unë bashkë me Bedriun u orientuam “të rëndësishmit” kishin kaluar. Kjo u përsërit disa herë. Këta që nxitonin e prishnin “radhën” në përgjithësi ishin nëpunës të lartë të shtetit ose kryetarë partish të reja dhe të vjetra. Në një homazh të tillë nuk ka të rëndësishëm sepse dhimbja as matet, as peshohet dhe as nuk duket. Prandaj nuk kuptoj dhe ndihem keq sesi kryetarë partish të mëdha ose të vogla guxojnë e shtyjnë me servilët e tyre kokëqethur për të kaluar të parët e për të bërë krokodilin. Po nga këta që nxitonin pashë dhe nja dy a tre nga sykuqtë e ‘97-s. Kjo ishte e tepërt. Boll për hir të zotit! Kur Lekë Qokun e çonin për kurban në hollin e Universitetit të Vlorës dhe e prisnin me sëpatë këta që më shtynë mua dhe Bedriun pinin kafe në “Rogner” dhe ua bënin me sy kameriereve. Të tjerë, (që i pashë më vonë në oborr) në krye të formacioneve të armatosura përgatiteshin të merrnin Tiranën e të rrëzonin “Malokun”. U përkula para arkivoleve të Dëshmorëve të Atdheut, u dhashë dorën të afërmve  dhe i trishtuar dola jashtë i humbur në mendime. E gjeta veten në krahët e një burri të mesatar, barkalec me një sy që duket se e ka më të vogël se tjetrin.  Gati duke qarë më tha se ata ishin heronj dhe ky nder u duhej bërë më parë. Sapo u ndava nga ai përqafim dallova një nga qelbësirat e vitit 1997 që ato ditë në krye të turmave bërtiste dhe kërkonte që shikasit të shkonin në litar. E largova me neveri dhe për pak kohë i mënjanuar fillova të shikoj rreshtin e gjatë të ngushëlluesve. Nuk ishte ai i vetmi në ato rreshta të stërzgjatur. Pashë dhe të tjerë, se i njoh mirë ato fytyra, që rrinin gjoja të pikëlluar e flisnin me këmbë e me duar.  Ishin aty edhe ata që i vranë, edhe ata që i qanë me lot ata djem. Ishin tok këtë herë dhe po i qanin ama me lot të ndryshëm. Kjo nuk duhet të ndodhte dje, sepse ata që i vranë dihen. Janë në foto me kallash në dorë, me sëpatë në dorë ose duke pirë cigare mbi trupin e gjakosur e copëtuar të Lek Qokut. Nuk mendoj se Dëshmorët e Atdheut prehen të qetë atje në varrezat e dëshmorëve ndërsa vrasësit enden të lirë, madje aq të lirë sa vijnë e bëjnë homazhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh me cilësinë e politikanëve apo njerëzve të rëndësishëm. Nuk mund ta ndërtojmë shtetin e së drejtës së bashku me vrasësit. Është fjala për drejtësi jo për emra se unë nuk e kam problem t’i vendos emrat e atyre, që lexuesit të kënaqin kureshtjen e tyre. Nga ato që ndodhën në vitin 1997 asnjë mësim nuk u nxor, asnjë njeri nuk u dënua, asnjë pendesë nuk u pa. Urrejtja vazhdon të përcillet në vite, duke thelluar hendekun midis shqiptarëve. Unë shoh me trishtim se ata që të vrasin natën, të qajnë ditën si dikur. Sepse s’ka si shpjegohet se shumë nga ata që morën në dorë urat e zjarrit ose i hodhën benzinë zjarrit ndodheshin në homazhe. E pështirë, e neveritshme,  ndoshta e padëgjuar ajo që unë pashë dje me sytë e mi. Prehuni të qetë ju dëshmorët e vitit 1997, Lekë Qoku e Besnik Hidri.  Jini krenarë ju pasardhësit e tyre. Ata që bien për atdhe nuk vdesin kurrë. Nuk di sesi do i vejë halli kësaj faqes time qe e puthi vrasësi i dëshmorëve. Do të përpiqem ta dezinfektojë, por shija që më la nuk do të më hiqet gjithë jetën. Sapo kisha filluar t’i harroja ngjarjet e vitit 1997 dhe ja bash me nderimin e të vdekurve më ngushëllon duke më qafuar një qelbësirë, një vrasës. Ah sikur të kishte pak drejtësi atëherë ndoshta sot do të ishim më mirë… Ato flamuj e ato arkivole në shtratin e topit marrin vlerë të vërtetë  atëherë kur të vendoset drejtësia të dënohen vrasësit.