Gezim ZILJA/Kthimi i PDIU-së në zyrë pune nuk e zgjidh çështjen çame

579
Sigal

Pas çdo “kërcënimi” që krerët e PDIU-së i adresojnë qeverisë përfundimi është një post i ri pune për miqtë e krerët e PDIU-së. Fjalimet dhe intervistat e shumta të deputetëve mbushur plot pathos revolucionar dhe tullumbacet kundër qeverisë, shoqërohen gjithmonë me një emërim “Special” të ndonjë çami ose jo çami si në rastin e fundit. Kështu maxhoranca në parlament i ka përherë në xhep ato dy votat e florinjta që pjellin vende pune për çamët, dhe qeveria shqiptare vazhdon punën për realizimin e programit të saj por gjithmonë pa çështjen çame në axhendë. Pas marrjes së kreut të Sigurimeve Shoqërore, të Shërbimit Kombëtar të Punës kreut të Drejtorisë së Patentave, kreut të Inspektoratit Qendror të Ndërtimit, të tre zëvendës/ministrave, të një sërë drejtorësh më të vegjël në disa rrethe, PDIU-ja merr dhe INSIG-un. Emërimi i një çami në krye të një institucioni shoqërohet me punësimin e dhjetëra çamëve të tjerë dhe heqjen nga puna të disa joçamëve. Aq e vërtetë është kjo sa në ato institucione edhe po nuk ishe nga Çamëria nuk të beson njeri. Sa shohim deri tani veç “grekëve” të Kserës të punësuar në Ministrinë e tij të Punës e Shanseve të Barabarta, kemi dhe çamët e PDIU-së të punësuar nga Idrizi dhe Tahiri. Përse duhet të kemi “institucione çame” në Shqipëri kur problemi është me Greqinë në Greqi e jo me Shqipërinë në Shqipëri? Unë do të kuptoja fare mirë një ministër, ose zëvendës ministër të Punëve të Jashtme, një drejtor drejtorie që merret me diasporën po në këtë ministri, një këshilltar ligjor ose këshilltar për minoritetet pranë presidentit, një detyrë kudo qoftë por ama që kishte të bënte me dobishmërinë ndaj çështjes çame.

Në kohën e diktaturës propaganda komuniste i denigronte çamët duke i quajtur njerëz të lidhur me pronën private, mashtrues, madje sekretarët e PP-së i akuzonin se ata e sollën konceptin e ryshfetit në Shqipëri. Me punën e tyre të jashtëzakonshme dhe qëndrueshmërinë që i karakterizon ata treguan se janë shqiptarë si gjithë shqiptarët, por edhe punëtorë të pakrahasueshëm. Njëzet vjetët e demokracisë e dëshmojnë krejtësisht këtë. Në ekonominë e tregut çamët ndjehen si peshku në ujë dhe rrallë mund të gjesh ndonjë që nuk ka një biznes të tijin. Mjerisht dua të pohoj se “emërimet” e qeverisë për krerët çamë në ato vende pune, komprometojnë rëndë jo vetëm çështjen çame me të cilën nuk kanë asnjë lidhje, por komprometojnë padrejtësisht figurën e njeriut të ndershëm e punëtor çam. Janë vende pune të përfolura ku ryshfeti nuk lejohet “de jure” por kryhet lirisht ditën për diell ”de facto”. Njerëzit e jetojnë çdo ditë këtë realitet dhe nuk ka pse të bëjmë strucin.

Ndoshta mund të duket e pabesueshme, por me dhjetëra çamë që kam takuar këtë verë në Vlorë më kanë folur dhe janë ankuar se deputetët çamë po i shpërndajnë vendet e punës sipas qejfit të tyre ndër shokë e miq. Kishte dhe nga ata (ndoshta e zmadhonin) që betoheshin që: akcil çam e ka blerë vendin e punës dhe se X drejtues duhet të nxjerrë aq e kaq para në muaj, që një pjesë tua japë atyre që e futën në punë. Nuk marr përsipër vërtetësinë e këtyre fjalëve se të tilla qarkullojnë mjaft sot. Ajo që më vret e më trondit thellësisht është se tashmë ata e shikonin PDIU-në dhe deputetët si punëdhënës e bukëdhënës. Kërkonin të fusnin mik me patjetër për të futur vajzën a djalin në punë të shtetit qoftë dhe duke dhënë diçka nën dorë “që mos tu ngeleshin fëmil(j)ët rrugëve.” Miqtë e mi të shumtë çamë bëjnë pjesë në ata që e nxjerrin lekun me djersën e ballit, duke bërë ato punët e hershme si peshkatar, këpucar, berber, shitës, magazinier, tashmë sigurisht privat, e tek-tuk mësues. Kuptova me trishtim që ata e shikonin PDIU-në jo më si një forcë politike e cila ka marrë përsipër çështjen e shenjtë të kthimit të pasurive të tyre, grabitur nga Greqia. E shikonin atë si një forcë, e cila po ta kesh mirë me krerët e saj të fut në punë djalin, çupën apo nipin e të shpëton nga fukarallëku.

– Po me çështjen çame, çfarë po bëhet, – pyeta disa nga veteranët e “Shoqatës Çamëria”. Përgjigja erdhi e mençur dhe ironike.

– Do të presim sa të mbarojë punë PDIU-ja me shpërndarjen e vendeve të punës, e tu mësojë Idrizi shqip çamëve të Greqisë.

Pas njëzet vjetëve demokraci çështja çame ende është shumë larg zgjidhjes. Kemi dëgjuar plot këngë e valle çame se ato janë pjesë integrale e kulturës tonë kombëtare, që për hir të vërtetës duhet thënë se nuk kanë qenë ndaluar edhe në kohën e qoftëlargut. Këto tre vjet po dëgjojmë edhe më shumë. Nuk ka gjë të keqe kjo, por nuk kthehen dot pronat e çamëve vetëm me folklor dhe kostume popullore. As me vende e fleta pune. Madje as duke mbjellë dy rrënjë ullinj në Kllogjer si shpresë për të ardhmen. Kthimi i PDIU-së në zyrë pune forcon ekonomikisht një numër çamësh por jo zgjidhjen e çështjes çame që sa vjen e zbehet si fytyra e një të sëmuri i pashërueshëm.