Gëzim ZILJA/Do bëjmë Shqipërinë Çamëri apo Çamërinë Shqipëri?

562
Sigal

Në bulevardin përgjatë Lanës midis dy urave, ku PDIU-ja me patriotët e tjerë çamë të rinj dhe të vjetër vendosën për gjithë natën dhjetëra flamuj duke shpuar trotuarin me matrapik e salduar në hekurat e shtrirë mbi pllakat, nuk gjendet më asnjë i tillë. Shumica e njerëzve nuk e dinë si u vunë dhe u hoqën këta flamuj. Zbukurimet e qyteteve në raste festash me ligj organizohen dhe financohen nga bashkitë sipas një plani paraprak. Po në këtë Shqipërizën tonë të dashur në këto punë hyjnë rëndom edhe partitë duke shtuar ca flamuj e shqiponja në bulevarde dhe dyqane, duke menduar se do të dallohen nga shqipot e tjerë si më patriotë e atdhedashës. Gjithsesi atë mëngjes krerët e PDIU-së mbi urën e zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe të partisë së tyre dhanë një intervistë të gjatë, ku u munduan të tërhiqnin vëmendjen e shqiptarëve. Po çfarë kapitali kërkonin të fitonin krerët e PDIU-së në prag të 100-vjetorit me atë aksion politiko-patriotik te ura e Lanës? Që çamët e duan më shumë dheun amë, që janë më nacionalistë e më atdhedashës se shqiptarët e tjerë a thua patriotizmi e atdhedashuria maten me kilogramë hekur apo me metra pëlhurë? Apo të theksonin se ata ishin të parët që morën nismën “çdo ballkon, një flamur” e se këtë meritë po kërkonin tua merrnin kuqezinjtë dhe PD-istët? A thua po të mos u shkonte mendja myteberëve të disa partive shqiptarët nuk do të vinin flamuj në ballkone apo nuk do të shëtisnin qyteteve të mbështjellë me ngjyrat kuqezi? Fjalimet e gjata patetike me theks vjershëtor nuk e fshehin dot të vërtetën mbi problemin çam. Le të shikojmë dy çështje të thjeshta, por thelbësore. E para, problemi i pronave çame. Asaj punës së studios angleze tani i doli tymi dhe po qelb dynjanë. Pra ishte një sajesë, një gënjeshtër, për të mbajtur me përralla çamët deri në zgjedhjet e reja. Në atë mëngjes prag-100 vjetori te ura e Lanës krerët e PDIU-së nuk thanë asnjë fjalë për pronat e çamëve. E dyta, çështja e Rezolutës Çame. U provua një herë në vitin 2004 dhe Parlamenti Shqiptar nuk e miratoi. Tani pas tetë vjetësh nga mosaprovimi dhe katër vjet nga themelimi i PDIU-së problemi ngrihet përsëri. Madje Idrizi shton se, do të rishpallë edhe një herë emrat e deputetëve që nuk e votuan rezolutën. Po kush e ka penguar PDIU-në ta shtrojë këtë problem në parlamentin shqiptar? Fjalët “së afërmi do të paraqesim rezolutën” po mbushin katër vjet. Pse kërkojnë poste e jo rezolutën? Dhe së fundi a ka më çamër në Çamëri? A është rasti i Çamërisë si ai i Preshevës apo Plavës e Gucisë? Nëse po, atëherë pa një rizgjim të çamëve andej kufirit çështja vështirësohet. Sipas deklaratave të Idrizit elementi çam ekziston dhe ata do të përpiqen qe tu mësojnë atyre gjuhën (gluhën) shqipe dhe ata të mos kenë frikë nga greku. Madje do të dërgojnë atje abetare e do ngrenë shkolla shqipe. Në ato vende të bekuara në Arpicë, Volë, Pargë, Margëllëç, Filat, Karbunarë etj., megjithëse nën zë, vazhdon të flitet “gluha” arvanite. Por, abetaret e premtuara të PDIU-së nuk kanë mbërritur ende. Në shtypin tonë është deklaruar, jo një herë, se çamët e Greqisë tashmë janë asimiluar dhe zgjidhja vjen vetëm nga Shqipëria në kuadrin e Europës së Bashkuar. Edhe në këtë drejtim PDIU-ja merr notë pakaluese sepse terreni në Çamëri është i pashkelur, i pastudiuar dhe mungon tërësisht kontakti me banorët e atjeshëm. E ndërsa çështja çame është në vend numëro “ekspasioni çam” mbi administratën shqiptare rritet përditë me galop. “Enklavat e reja çame” në administratën shqiptare po zgjerohen e forcohen. Çdo emërim i ri shoqërohet me spastrime ku depërton elementi çam. Shembulli i Vlorës ndoshta është më tipiku. Disa drejtori të rëndësishme dhënë PDIU-së tashmë quhen “Çamëri të vogla”. Kjo ka bërë që edhe midis veti elementi çam të shpërbëhet e përçahet. Qëllimi fisnik mbi të cilin u themelua “Shoqata Çamëria” këtu e njëzet vjet më parë duket gati i harruar. Sulmi çam tashmë drejtohet drejt administratës së Shqipërisë e jo drejt Athinës! Mesa duket oreksi çam për rroga e poste në qeveri nuk ka kufi. PDIU-ja vazhdon të shihet si një zyrë e madhe ku po ta kesh mirë me të mëdhenjtë mund të të zërë dhëmbi gjëkafshë.