Gëzim TUSHI/ Polici, qytetari dhe korrektësia ligjore…

689
Sigal

Pse duhet rindërtuar “aleanca” e qytetarit me policinë ?…

Problemet e raportit të policisë me të drejtat e qytetarit janë çështje që meritojnë kujdes në konceptimin sociologjik, trajtimin qytetar dhe interperetimin policor të raporteve dhe marrëdhënieve midis tyre. Të jesh polic dhe të bësh detyrën e policit në kohën e sotme nuk është gjë e lehtë, as detyrë që mund ta bëjë kushdo. Kultura ligjore, sensi qytetar dhe aftësitë e njohjes psikologjike të policit, janë tregues me rëndësi që duhen kërkuar të jenë pjesë e personalitetit dhe deontologjisë profesionale të çdo polici. Koha kërkon që policët tanë të mësohen që të mos e shikojnë profesionin nga jashtë, as duke menduar formalisht se uniforma dhe pushteti janë atributet që e bëjnë atë të fortë përballë qytetarit.

Pavarësisht se janë bërë përmirësime dhe duken ndryshimet e thella në nivelet e shkollimit profesional të efektivëve të policis, ende duket se ka probleme dhe shqetësime që dëshmojnë mungesa serioze në formimin e tyre deontologjik, kulturor dhe profesional, të cilat duken evidente në mungesën e trajtimit të diferencuar të qytetarit të mirë që gabon nga qytetari që është kriminel. Polici nuk është edukator do thoni ju. Po kjo është e vërtetë por edhe polici është njeri, është qytetar që bën një punë të caktuar, të cilën duhet të dijë ta bëjë ashtu si duhet. Tipologjia e policit korrekt nuk do të thotë se është ekuivalent me tipin e policit të vrazhdë, jo qytetar, që nuk komunikon nga që ka bindjen se ky tipar është i lidhur me faktin se është polic.

Besoj se policët e mirë në të gjithë botën moderne, të paktën për aq sa kam patur kontakte me ta në aeroporte dhe zonat urbane të qyteteve në shumë vendeve të Europës dhe botës, më kanë bërë përshtypje shumë pozitive. Një trupë policore me veshje, sjellje njerëzore e komportim kulturor të ngjajshëm, njerëz të mësuar që të dinë të sillen mirë qytetarisht dhe profesionalisht. Ajo që bie në sy menjëherë është që ata kanë të spikatura dy aftësi të unifikuara njerëzore dhe profesionale. Aftësinë psikologjike të njohjes dhe komunikimit adekuat me qytetarin dhe mekanizma humanë të kontrollit dhe trajtimit policor me korrektesë. Pa lëshime natyrisht ndaj shkelësve të ligjit dhe rendit publik por dhe me aftësi komunikimi e politese qytetare. Mbi të gjitha pa përdorur vend e pa vend brutalitetin e panevojshëm policor. Kjo bashkë me kujdesin e duhur të komunikimit policor dhe mbi të gjitha pa krijuar alarme të kota gjatë kontrollit të dokumenteve personale. Është e natyrshme që në çdo rast përballja me kontrollin policor është një akt jo shumë i pëlqyeshëm për qytetarin. Sidomos për atë që është korrekt me ligjin, dhe që shpesh herë bezdiset nga kontrolli dhe investigimi policor i cili është veprim shtetëror që gjithnjë duhet bërë, por vetëm emër të ligjit dhe të interesit publik.

Vetëm kriminelët, asocialët dhe antiqytetarët janë ata që urrejnë, përgojojnë apo duan të tallen me policin, të drejtën dhe vlerën sociale të policimit komunitar. Përkundrazi niveli i krimit, përmasat dhe rreziku i sofistikimit të tij në shoqërinë tonë, na detyrojnë të reagojmë ndryshe ndaj policit si figurë përfaqësuese e shtetit dhe policimit komunitar si veprimtari në dobi të qytetarit dhe jetës urbane. Koha kërkon tjetër koncept e qëndrim kompementar, si bazë për të ndërtuar “aleancën e re” të qytetarit me policinë e shtetit. Kjo do të thotë që në se duam të rindërtojmë themelet moderne të jetës urbane dhe frymës së bashkëjetesës komunitare, është e udhës, urgjente, imerative investimi i sinqertë dhe mbështetja qytetare ndaj policit dhe proceseve komplekse e të ndërlikuara të policimit komunitar.

Nuk mund të ndryshojë situarta e luftës kundër krimit, beteja për zbatimin e ligjit dhe procesi i policimit komunitar me indiferencë qytetare, apo thjesht duke e bërë policinë “tabelë të qitjes” për kritikat herë të tepërta e të padrejta dhe pastaj të “
hedhura” nga pozita konteplative e qytetarit pasiv. Përkundrazi policia është në pritje të angazhimit qytetar, reagimit të fortë publik të qytetarit kundër krimit dhe kriminelëve, kundër antiqytetarëve dhe atyre që nëpërkëmbin ligjet e funksionimit të shtetit. Pra është koha për ta vlerësuar më seriozisht nevojën e mbështetjes qytetare ndaj policisë dhe policëve, të atyre që duan të bëjnë detyrën për të policuar komunitetin, duke e kuptuar më mirë se ky është një detyrim shtetëror që vjen nga detyra e pashmangshme e policimit të shtetit dhe shoqërisë.

Por nga ana tjetër, nuk është i nevojshëm vetëm ndryshimi i konceptit të qytetarëve tanë për policinë, policimin komunitar, për rolet dhe përgjegjësitë e tyre. Koha kërkon një reflektim paralel edhe të vetë strukturave të policies, të policëve si efektivë e profesionistë të saj. Nuk është normal fakti, që akoma megjithë ndryshimet positive të ndodhura në mënyrë evidente kohët e fundit, të kemi policë e struktura policore komunitare që u mungon deontologjia e profesionit, që detyrën e shikojnë si privilegj për të qenë si “pushtet” mbi qytetarin, apo që të “drejtën” e tyre të kontrollit policor në ndonjë rast e bëjnë me eksese personale, me inat të personalizuar, që detyrën e ushtrojnë padrejtësisht në mënyrë të pakufizuar. Kjo situatë bën që qytetari mund të ndodhet përballë një polici të tillë të veshur me “robën e shtetit”, i cili me sjelljen dhe mungesat deontologjike të profesionit në mënyrë të padrejtë e ofendon madje në ndonjë rast edhe e poshtëron si qytetar. Nuk duhen toleruar rastet qofshin edhe shumë të rralla, kur një polic i tillë jo normal e trajton qytetarin jo si të ishte i ngjajshmi i tij, por si një “insekt të çuditshëm”. Unë mendoj se duhet punuar për zgjeruar jo vetëm aftësitë profesionale, inteligjencën dhe vendosmërinë e kryerjes së detyrës pa bërë lëshimë nga policia por dhe për zgjerimin e tipologjisë qytetare së policit, të horizontit të tij etik dhe kulturor. Polici është përfaqësues i shtetit dhe natyrisht që ka të drejtën e policimit të çdo gjëje që dyshon se nuk është në rregull me moralin publik dhe sidomos me ligjet e shtetit. Por ndërkaq, kjo nuk mjafton në se policët nuk dinë apo nuk janë të aftë të realizojnë ligjërisht, profesionalisht dhe etikisht mirë të drejtën që kanë për të investiguar njeriun duke respektuar personalitetin e qytetarit që kontrollohet dhe autencitetin e dokumenteve që ai disponon.  Nuk është normale që në rradhët e policisë të ketë njerëz me mangësi formimi profesional e kulturor, që tejkalojnë të drejtën e tyre profesionale apo që me kapadaillëk të bëjnë të mendosh se në çastin e kontrollit të makinës apo të çdo gjëje tjetër, të duket vetja “hiç”, ndihesh si të transformohesh në një “askush”, pikërisht  nga që polici sillet sikur i tërë fati yt është tërësisht në dorën e tij.Problemi është se çfarë duhet bërë që të realizojmë në mënyrë organike dhe në të njëjtën kohë ashtu si duhet të drejtën e policit për të kontrolluar qytetarin në emër të ligjit, e cila nuk ka pse të konsiderohet si veprim poshtërues nga qytetari që kontrollohet nga policia dhe në të njëjtën kohë të drejtën e qytetarit që të respektohet si qytetar në identitetin e vet civil. Por kur policimi i qytetarit bëhet pa takt dhe me brutalitet, ky është me të vërtetë një akt i rëndë jo ligjor dhe aspak civil që e mërzit dhe poshtëron qytetarin. Veprime të tilla qoftë edhe të rastit janë të mjaftueshme për të krijuar pastaj psikologjinë e indiferencës dhe mungesës së mbështetjes së policies. Sepse qytetari në këtë rast nuk ka respekt, nuk e nderon punën e policis nga që deformohet sjellja e policit. Në këto kushte qytetari e ka të vështirë të besoj se polici e bën këtë veprim në emër të ligjit apo të një kauze sociale e qytetare të drejtë. Të zbatosh ligjin është e drejta e policies, por kjo nuk do të thotë që qytetari mund të nëpërkëmbet nga polici me mendje megalomane dhe intuitë të shkurtër të mendon se meqënëse është i veshur me “robën e shtetit” dhe ka në dispozicion forcën e ligjit, duhet të parakuptojë në mënyrë mediocre apo të mendojë në mënyrë të deformuar, se edhe mund të ketë të drejtë të poshtërojë qytetarin. Kjo është e paparanueshme dhe në shumë raste burim konfliktesh të pamerituara që shoqërohen me shkelje apo cënim të lirive dhe të drejtave të njeriut. Polici që turpëron policinë me sjelljen e tij të padrejtë, për shkak të injorancës apo ekseseve individuale në raport me qytetarin, duhet të përgjigjet. Sepse qytetari nuk ja ka borxh të mbajë këtë “racion turpi” të njeriut të papërgjegjshëm, që padrejtësisht përfaqëson në mënyrë të gabuar shtetin. I cili në asnjë rast nuk mund të jetë “armiku” i qytetarit. Vetëm duke ndryshuar në të njëjtën kohë dhe në drejtimin e duhur sjelljen dhe angazhimin e qytetarit dhe deontologjionë dhe profesionalizmin e policit, do mund të forcojmë ambientin urban, shtetin e së drejtës, do mund të mposhtim krimin dhe arbitraritetin antiqytetar. Vetëm kështu mund të ngrihet në një bazë të re të qëndrueshme, të vazhduar Aleanca e Natyrshme e Qytetarit me Policinë e Shtetit…