Gëzim TUSHI/ Kuptimi i jetës bëhet pa paragjykime sociale…

599
Sigal

Besoj të gjithë e vëmë re që jetojmë në një klimë të përgjithshme sociale ankimimi, mohimi, konfliktesh dhe kontroversash sociale që ndeshen në shoqërinë tone. Besoj se shkak i parë i kësaj situate, sipas meje është fakti që vitet e fundit përveç shumë ndryshimeve dhe transformimeve të thella me ndikim të fortë social çorganizues, është krijuar paralelisht një kaos i gjërë konceptual dhe empirik i përmasave të tilla, që realisht është bërë vështirë të ndash të vërtetën nga e gabuara, atë që individualisht njeriu do nga ajo që shoqërisht duhet. Është përzier ajo që është nga ajo që shfaqet, po ngatërrohet e mira me të keqen.

Duket sikur jemi në situatën më të vështirë historike kur të gjithë shajmë dhe qahemi, ankohemi dhe mallkojmë të “tjerët”, herë me të drejtë dhe në shumë raste fare pa e kuptuar thelbin e vërtetë të asaj që kërkojëm dhe asaj që shajmë. Është një gjëndje kritike në shoqërinë tone, kur tek njerëzit shfaqet një situatë e zgjeruar depresioni e neurotizmi social i cili sot ka marrë formë dhe trajtë të përgjithshme. Ankohet i varfri dhe i pasuri, i ndershmi dhe hajduti, i sjellshmi dhe rrugaci, njeriu i punës dhe grabitqari.

Kultura e mohimit të gjithçkaje, e ankimimit për çdo gjë është bërë “limfë sociale” që rrjedh kudo në shoqërinë e sotme. Negativizmi, nihilizmi, mohimi, nxirrja e realiteteve tona është bërë një kundërkulturë sunduese që përhapet pa përgjegjësi sociale. Duke e parë në thelb fenomenin, kam përshtypjen e thellë sociologjike se shumë gjëra me të cilat ndeshemi, konfliktohemi dhe për të cilat nuk merremi vesh, e kanë shkakun në shumë arsye historike, kulturore dhe aktuale që lidhen me të kaluarën, tranzicionin kaotik, mungesën e politikave të qarta të orientimit të jetës sociale.

Duke mos përjashtur faktorët objektivë të kësaj situate, që janë me tepërti dhe pa mohuar përgjegjësitë e politikës së tranzicionit, në thelb sipas mendimit tim kjo situatë negativizmi, konfliktesh, paqartësish dhe neurotizmi social janë të bazuara tek mungesa e konceptimeve analoge të zhvillimeve të realiteteve tona kontekstuale me të vërtetat objektive të fenomeneve shoqëruese të jetës sociale në kohën postmodern. Pjesa më e madhe është nën ndikimin e deformuar apo më sakt rezultat i ekzistencës së optikave dhe koncepteve të vjetra me të cilat i shikojmë dhe i vlerësojmë ato, që në shumë raste krijojnë situata të përgjithshme sociale që nuk na lejojnë të kuptohemi me veten dhe njëri tjetrin, që na pengojnë të gjejmë gjuhën e nevojshme apo më sakt të bëjmë marrëveshjen e fjalës dhe komunikimit social.

Këtë e kupton sa herë vëzhgon situatat që zhvillohen në shoqërinë tone, që të bindin se në mënyrë paradoksale shumë fenomene që tipologjikisht janë të ngjajshme me të tjerët, me realitetet sociale të shoqërive dhe vendeve të tjera, tek ne çuditërisht japin tjetër produkt dhe sjellin pasoja të agravuara sociale e të deformuara nga pikëpamja humane. Për pasojë ne paguajmë kosto sociale “shtesë” pikërisht për faktin që në shumë raste fenomene që kanë ekzistencën e tyre normale, të pavarur nga njeriu dhe konteksti ynë, tipologjikisht kompatibile me zhvillimet dhe kërkesat e brendshme të jetës, me natyrë imanente dhe të përputhura me imperativat e kohës postmoderne, në shumë raste për fat të keq interpretohen në mënyrë të deformuar, politikisht dhe mediatikisht.

Po të vëzhgosh debatet që zhvillohen në rrugë informale, kontekste familjare e komunitare duket tendenca e gabuar, sempliste, arkaike e moralistike e parjes dhe vlerësimit të dukurive të reja të jetës sonë sociale nga dukja dhe jo nga thelbi i tyre, nga “mirazhi” dhe jo nga esenca, nga tipologjia e klisheve sociale të trajtave klasike dhe jo nga performanca kontekstuale e kohës postmoderne. Kjo kontradiktë nuk është vetëm teorike e sociologjike, por është e thellë dhe me pasoja sociale evidente në shoqëri.

Unë edhe herë të tjera jam munduar të theksojë faktin, që së pari duhet të kuptojmë të Vërtetën e Madhe që tashmë jetojmë në kushte dhe realitete të reja sociale. Kjo do të thotë që situatat kontekstuale të zhvillimeve tona duhet t’i shikojmë, vlerësojmë dhe interpretojmë ndryshe, aspak me optikat me të cilën i kemi vlerësuar realitetet dhe gjërat tona dy dekada më parë. Koha që jetojmë nuk është më “Koha Drejtvizore” e projektuar ideologjikisht sipas parimeve të ngurta doktrinariste, por është kohë postmoderne, më sakt është e kohë e “Njeriut të Lakuar”.

Kjo do të thotë se duhet të preanojmë që në këtë kohë në shoqërinë tonë asgjë nuk është dhe nuk do jetë kurrë pjesë e proceseve sociale me rrjedhje lineare, me pasoja të ardhura dhe të llogaritura në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo është njëra nga arsyet, që sipas mendimit tim po na sjell shumë shqetësime artificiale, që në esencë e bën të vështirë kuptimin e të vërtetës të jetës postmoderne, të paqartë analizën e dukurive komplekse, sidomos vlerësimin e situatave morale dhe problemeve sociale shqetësuese të shoqërisë tonë.

Besoj se nga mungesa e koncepteve të qarta dhe për shkak të mohimit të thelbit të së vërtetës apo shtrembërimit të realiteteve sociale, ndodh që në shumë vlerësime sociale nuk nisemi duke parë thelbin e të vërtetave tona, por më shumë nisemi nga disa tabu e paragjykime sociale që vijnë nga e kaluara dhe që seriozisht e pengojnë zhvillimin tone social.

Qytetërimi ynë postmodern është e sigurt që nuk ka fare nevojë dhe nuk ndërtohet me pargjykime sociale. Por kjo nga ana tjetër nuk do të thotë që ai ka nevojë për paradigma të qarta kulturore, sisteme vlerore relativisht të qëndrueshme të cilat duhet të përbëjnë bazën mbi të cilën duhet të mbështetet analiza e fenomeneve sociale me të cilat përballemi sot dhe mbi të cilat ndërtohen opinionet morale që ka qytetërimi ynë. Është koha që të kuptojmë se qytetërimi ynë nuk mbahet në këmbë me paragjykime të vjetra, por me ide e koncepte kulturore qytetëruese, që janë mbi mendimin dhe biologjinë e njeriut të veçantë dhe mbi të gjitha përtej kufijve kulturorë të qytetërimit tradicional.

Zbutja e paragjykimeve sociale në analizat që i bëjmë realiteteve tona dhe bërja më fleksibël e ndikimit të tyre në jetën tonë të përbashkët, është mundësi për zgjerimin e hapësirave të ndikimit kulturor mbi qytetarin dhe jetën moderne të qytetërimit tonë. Është kusht i parë universal dhe i panegociueshëm, që për të kuptuar, interpretuar dhe përshtatur jetën e shoqërisë tonë me parametrat e vlerësimit të fenomeneve sociale të jetës dhe qytetërimi modern, së pari duhet të largohemi nga mënyrat arkaike të konceptimit të gjërave, nga ndikimet retrograde që kanë konceptualkisht “hijet e së kaluarës”.

Ne nuk mund të ecim me ritmet e duhura në rrugën e qytetërimit postmodern në se nuk krijojmë aftësi për të kuptuar drejt dhe interpretuar saktë të vërtetat tona. Ky është kusht që qytetërimi ynë të bëhet modern. Në se duam që ai të ecë përpara, atëherë kjo mund të ndodhë vetëm duke “flijuar” disa vlera dhe atribute të qytetërimit të kaluar. Kjo domosdoshmeri e “flijimit” të disa elementëve të së kaluarës  është kusht për të ruajtur dhe garantuar esencën moderne të qytetërimit që zhvillohet edhe duke pohuar por dhe duke mohuar elementë të caktuar të qytetërimit të kaluar.

Kjo është arsyeja pse ngul këmbë që zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare kanë sjellë nevojën e konceptimit të saktë sociologjik të realiteteve që zhvillohen në të. Në analizë dhe vështrim sociologjik, duket se zhvillimet e qytetërimit tonë të vlerësuara jo në sipërfaqe por në thellësinë e tyre, tregojnë se qytetërtimi ynë është nën ndikimin e dyanshëm të oksidentalizimit të sjelljeve sociale e cila është e shoqëruar dhe e bazuar në rrugën e përshpejtuar të “oksidentalizimit të vlerave”. Në këto kushte shpesh herë shqetësimet sociale e morale që kemi, herë janë të vërteta dhe në shumë raste të zmadhuara.

Kjo ka të bëjë me faktin se tashmë shoqëria dhe qytetërimi ynë është përballë realitetit të mungesës së një sistemi konstant dhe homogjen të vlerave, të konsideruara sipas konceptit totalist “vlera të përbashkëta”. Por nuk duhet harruar se shoqëria ë sotme shqiptare nuk është më unike dhe kërkesa për sistem homogjen” të vlerave, gradualisht po zbehet. Njerëzit tanë gradualist kanë filluar të përshtaten me paradigmën e jetës së qytetërimit perëndimor, të bazuar në ekzistencën e jetës të bazuar në sistemin e “vlerave antagoniste”.

Në këto kushte munges e sistemit unik të vlerave dhe qëndrimi individualist ndaj tyre, e detyron shoqërinë dhe qytetërimin tonë të besojë se e vetmja mundësi për të të kuptuar të vërtetat e kohës, sfidat dialektike të realitetit tonë dhe garantuar sjelljen qytetare, respektimin e një niveli të caktuar të normave morale, është kërkesa për të ecuar duke i gjykuar realitetet që jetojmë dhe zhvillimet që priten të vijnë drejt, pa ide të gatshme dhe gjykime supersociale. Mbi të gjitha pa paragjykimet e së kaluarës, që më shumë se na bashkojnë si qytetarë na ndajnë si njerëz. Ne jetojmë në kohë të “papërshtatshme” për paragjykime dhe “njerëz burracakë” që fshihen pas paragjykimeve dhe akoma më keq që spekulojnë me to, duke dashur të pengojnë progresin social të shoqërisë tonë…