Gëzim Prengzi: “O Bajram, bajrak i gjallë!”

771
Me rastin e 92 vjetorit të rënies, 29 mars 1925 Një nga figurat emblematike të historisë sonë kombëtare është edhe Heroi i Popullit Bajram Curri. Bajram Curri lindi më 1862 në Krushë të Madhe në një qerre druri të rrethuar me ushtare turq, rrugës për në burgun e Prizrenit tek po dërgohej familja e Shaqir Currit. Bajram Curri lindi në udhëtim dhe gjithë jeta e tij ishte një udhëtim drejt lirisë dhe bashkimit të trojeve shqiptare. Emri i tij bëhet i njohur duke marrë pjesë në radhët e para të ngjarjeve madhore në historinë sonë kombëtare. Më 1899 ai bashkë me Haxhi Zekën organizojnë Lidhjen e Pejës dhe përcaktojnë përmbajtjen programatike të saj. Më 20 tetor 1908 bashkë me Isa Boletinin organizuan Kuvendin e Ferizajt. Në Kryengritjen e Kosovës 1910 B.Curri ishte ndër udhëheqësit kryesorë bashkë me I. Boletinin e I. Seferin, në maj 1912 merr pjesë në Kuvendin e Junikut e më pas me malësorët e Malësisë së Gjakovës te Vorret e Shalës për organizimin e kryengritjes kundër batalioneve osmane në Qafë të Prushit e të Ramahmatit. Më 14 gusht 1912 Bajram Curri në krye të 6000 kryengritësve me flamuj kombëtarë u futën ne Shkup, të cilin e çliruan… Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, B. Curri organizoi më 22 dhjetor 1912, një takim në Carrabreg me përfaqësues të Gjakovës e Malësisë, ndërsa në tetor 1913 bashkë me I. Boletinin e prijësit e fiseve gjenden në qëndresën anti-malazeze në Malësi e kështu me 1915 ishte me H. Prishtinën për të organizuar qëndresën në Malësinë e Gjakovës. Gjatë sundimit austro-hungarez B. Curri internohet në Vjenë. Me krijimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në maj 1918, B. Curri ishte një nga anëtarët më aktivë të saj. Kongresi i Lushnjës 1920 e cakton B. Currin në postin e ministrit pa portofol. Pas emërimit të Ahmet Zogut në postin e ministrit të brendshëm, B. Curri ishte një nga protagonistët më të vendosur kundër Qeverisë. Kështu B. Curri ishte në kushtet e përndjekjeve të gjithanshme për ta arrestuar e likuiduar, ndaj ai kthehet në kështjellën e tij besnike- Malësinë e Gjakovës. Pas vrasjes së Avni Rustemit nga zogistët u krijua një situatë kritike. B. Curri më 21 maj 1924 organizon një tubim të madh në Margegaj te Krasniqes me rreth 1000 vetë ku dënoi aktin e vrasjes së A. Rustemit dhe bëri thirrje për kryengritje të armatosur për rrëzimin e Qeverisë së Zogut, e cila ra në qershor 1924. Me ndihmën e gjithanshme të Nikolla Pashic, bie qeveria e Nolit në dhjetor 1924 dhe Ahmet Zogu vjen në pushtet. Ai mori masa të rrepta për të likuiduar kundërshtarët e tij politikë duke vrarë disa prej tyre, ndër ta Bajram Currin më 29 Mars 1925 në Shpellën e Dragobisë. 

Përgatiti: Gëzim Prengzi
Sigal