Gazeta Telegraf/ Skandal/ Nis hetimi për 30 oficerë të policisë

495
Sigal

Skandal, Prokuroria zbulon manipulime me 289 dosje
në vite

Nga Maksim TUFA

 

Fjala “Shtet brenda
shtetit” në këtë rast mund të përkthehet “prokurori brenda policisë”. Fakti
është se rastet e zbuluara janë akoma në periudhën e verifikimeve, dhe po
punohet intensivisht për të vendosur para ligjit dhe ndjekjes penale plot 30 ish-oficerë
 dhe oficerë aktualë të policisë në
Elbasan. Burime të besueshme nga Prokuroria e Elbasanit i thanë “Telegraf” se
“në rrugë të ndryshme operative, organi akuzës ka zbuluar dhe është në fazën e
konstatimeve faktike, të shkeljeve ligjore me afro 289 dosje që lidhen me vepra
të ndryshme penale në vite, nga grabitjet dhe vjedhjet me dhunë, armëmbajtjet
pa leje, falsifikimet dhe deri tek rastet e lokalizuara të plagosjeve dhe
korrupsionit, për të cilat ose nuk janë raportuar fare si raste ose
dokumentacionin e tyre e kanë mbyllur rrugëve dhe kafeneve, duke marrë
shpërblime të majme”.  Sipas të njëjtit
burim “rastet e zbuluara janë të ndodhura qysh nga viti 2013 deri sot, dhe
bëjnë fjalë për afro 289 vepra penale, fati i të cilave është vendosur nga
ortakëri të dyshimta mes palëve dhe ndonjë oficeri policie”. Bëhet fjalë për
vepra të ndryshme penale të ndodhura në zona të ndryshme të qarkut të
Elbasanit, si dhe për pazare të ndyra, duke shkelur ligjin, etikën dhe kodin
profesional të një punonjësi shteti. Burimi nga organi i akuzës tha se “Nën
verifikim dhe hetim do të jetë edhe ndonjë nga stafi Prokurorisë, dhe kjo nuk e
përjashton faktin e nxjerrjes  së  ndonjë urdhër-ndalimi,  ndoshta pas pak ditësh, por akoma ne jemi në
fazën e verifikimit, ndaj kërkojmë nga policia bashkëpunim institucional dhe jo
habi dhe indinjatë, për të vendosur para ligjit cilindo që e ka shkelur atë”.

Vargu i gjatë i shkeljeve

Në vargun e
gjatë të shkeljeve dhe veprave të ndryshme penale, ndodh shpesh që grupet e
inspektimit dhe patrullimit nga uniformat blu, të shkelin ndoshta hapur ose
duke u imponuar, ligjet dhe rregulloret e institucionit. Veprat e tilla penale
si aksidentet e lehta me mjete motorike, ndonjë sherr banal që përfundon në
thyerje xhamash apo plagosje të lehta me mjete prerëse, vepra të tilla penale
si mitmarrja apo falsifikimi, si dhe një shumëllojshmëri e madhe veprash
penale, shpesh “mbyllen” brenda një rrethi të ngushtë, mes palëve. Kjo ka qenë
edhe prapavija e të gjitha shkeljeve ligjore, dhe e zbulimit pavarësisht me
vonesë të 289 rasteve, për të cilat Prokuroria kërkon hetimin dhe penalizmin e
afro 30 ish-oficerëve dhe oficerëve aktualë të policisë të atij qarku në rast
se u verifikohet shkelja ligjore. Nga ana e tyre edhe vetë qytetarët e
Elbasanit shprehen shpesh të habitur, duke mos gjetur zgjidhje institucionale,
lidhur me denoncimet dhe kallëzimet e bëra në kohë të ndryshme, për vepra të
ndryshme penale duke nisur nga rrahjet, dëmtimet e banesave dhe pronës, duke
kërkuar arsyet e mosveprimit nga policia dhe organi akuzës, pasi ka kaluar një
kohë e gjatë. Duket se kërkesat e tyre janë bërë  shtysë e nisjes së një procesi verifikimi nga
organi akuzës, i cili ka rënë në gjurmët e shkeljeve të rënda ligjore dhe
institucionale pikërisht nga njerëzit e zbatimit të ligjit. Së fundi edhe
rastet e moskallëzimit të veprave të tilla penale si “mbjellje dhe kultivim
hashashi” apo moskallëzimi i emrave konkretë, ndoshta do të jetë një arsye
tjetër e cila ka nxitur hetimin intensiv nga organi i akuzës për organin  tjetër 
binjak, atë të parandalimit dhe arrestimit të elementëve kriminalë.