Gazeta Telegraf/Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Ballkani kaotik, ofensiva ruse dhe vakumi perëndimor

615
Sigal

 

Vakumi i BE në Ballkan
është rikthim i interesave gjeopolitike ruse

Ballkani kaotik,
ofensiva ruse dhe vakumi perëndimor

 

Prof. Dr. Lisen
Bashkurti

 

Në Ballkan u hap
“Kutia e Pandorës”. Ndodhi ajo që duhej parandaluar. Republika
Serbska e B&H, e drejtuar nga relikja e nacional-segregacionizmit Serb,
Dodik mbajti referenfumin shkëputës prej Federatës Më  25 shtator. U sfidua Shteti i B&H. U
poshtërua Akordi i Paqes i Dejtonit (1995), u injorua qeverisja evropiane. U
hap “Kutia e Pandorës” në Ballkan. Kjo do thotë se historia e
“fuqisë së barotit” po ringrihet mbi vlerat e normave ndërkombëtare
dhe proceseve të integrimit Euro-Atlantik. Pas precedentit të Republikës
Serbska mund të priten valë referendare në Vojvodinë, në Luginën e Preshevës, në
Maqedoni e ndofta edhe në Veri të Kosovës…

Precedenti “Krimesë”
nga Rusia

Kush e ia solli
Ballkanit celësin e “Kutisë së Pandorës”. Pa asnjë dyshim se ëndrra referendare
anti-Dejton e serbve në B&H nuk u shuajt asnjë cast qysh nga Akordi i
Dejtonit. Mirëpo që ëndrra të shndërrohet në realitet nevojiten shtysa të forta
gjeopolitike ndërkombëtare. Në këte rast shtysat erdhën nga Rusia e Putinit.
Putinizmi arriti deri në përdorimin e pazareve diplomatike tit-for-tat, duke i
kërkuar komunitetit perendimor “të njohë referendumin e Krimesë në këmbim
të njohjes së Kosovës nga Rusia”. Me këtë Putini u deklarua qartësisht se
gjeopolitika e tij vendos interesat ruse mbi parimet dhe normat ndërkombëtare.
Presidenti Putin ngjet mjaft me Pjetrin e Madh dhe relativisht edhe me
Stalinin…

BE si Austro-Hungaria
dikur…

Faktorët Ballkanikë nuk
kanë fuqi të brendshme të ngrihen mbi të kaluarën. “Kutia e Pandorës”
në Ballkan është flakë-hedhës në “Fuqinë e Barotit” që rri e strukur
në cdo cep të nacionalizmave ballkanike. Konstelacioni i shteteve në Ballkan ka
shtete të rinj, si Kosova, shtete të dështuara, si B&H, shtete në
tranzicion dilematik,  si Maqedonia. Këto
tre kategori shtetesh janë të parat që kërcënohen nga hapja e “Kutisë së
Pandorës” dhe aktivizimi i “Fuqisë së Barotit” në Ballkan. Në
periferitë e skajshme kemi shtetin e organizuar e demokratik të Kroacisë pro
Perëndimor dhe shtetin e paqartë, të paorganizuar dhe ambig Euro-Rus të Serbisë.
Kroacia është pa ambicie në Ballkan. Ndërkohë Serbia ka mjaft oreks në Ballkan.
Mirëpo për fajet e veta Serbia ka oreks me shumë sesa dhëmbë… Në këtë mjedis
BE vijon të sillet pasivisht dhe në mënyrë kaotike. Kjo sjellje e BE është parë
për dekada me radhë me Turqinë ku e shohim se cfarë po ndodh dhe akoma më keq
me Ukrainën, e cila po përjeton agoni. BE po gabon si Austro-Hungaria në
luftrat ballkanike (1911-1913) që ishin prologu i atentatit të Sarajevës në
1914. E dobët ndaj Rusisë, hezitante ndaj Ballkanit, ksenofobe ndaj Turqisë dhe
egoiste ndaj SHBA, BE po krijon vakum gjeopolitik me pasoja shumë serioze në
Ballkan. Vakumi i BE në Ballkan është në fakt rikthim i interesave gjeopolitike
ruse, ngjallje e recidivave të vjetra ballkanike si dhe riciklim i përplasjeve
historike të Fuqive të Mëdha dhe atyre tradicionale rajonale nga Euro-Azia dhe
nga Euro-Mesdheu.

SHBA në mosveprim…

Nga ky trekëndësh kërcënues,
Ballkanin mund ta nxjerrë vetëm shtysa e SHBA. Mirëpo Shtëpia e Bardhë po bëhet
gati për ndryshime zgjedhore. Ndërsa Presidenti Obama është në një periudhë
mosveprimi ndërkombëtar…Pra edhe SHBA ka krijuar vakum në Ballkan…Mirëpo SHBA
janë si zotët e shtëpisë në Ballkanin e mbas rënies së Murit të Berlinit. Në
mungesë të tyre në Ballkan po ndodh ajo që Balzaku e definonte.. “Kur i
zoti i shtëpisë nuk ndodhet në shtëpi, minjtë hedhin valle mbi dysheme”.