Gazeta Telegraf/ Frank Shkreli: Pak tolerancë politike, ju lutem!

567
Sigal

 Nga Frank Shkreli

Për Shtetet e
Bashkuara ky është një vit, që në sipërfaqe mund të duket sikur Amerika është
duke kaluar nëpër një periudhë krize shoqërore, trazirash, terrorizmi dhe të
një sezoni të nxehtë politik, si rrallë herë më parë. Shkaktarë për këtë janë
lajmet kryesore të ditës, të kohëve të fundit, përfshirë problemet raciale me
të cilat përballet gjithnjë ky vend, siç pasqyrohen në marrëdhëniet problematike,
që ekzistojnë ende në disa pjesë të vendit, midis policisë së juridiksioneve të
ndryshme të Amerikës dhe komuniteteve afrikano-amerikane. Sulmet e fundit
terroriste që kanë përfunduar në humbje jete e bëjnë jetën e përditshme më të
pasigurt për të gjithë, ndërsa Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar
se kërcënimet nga terroristët e brendshëm dhe ndërkombëtarë do të vazhdojnë të
paraqesin sfida serioze për Shtetet e Bashkuara edhe në të ardhmen. Dhe më në
fund, kësaj atmosfere nuk i ndihmon shumë as fushata politike për president,
akuzat dhe kundër akuzat e ashpra midis kandidatëve të dy partive kryesore për
president si dhe mungesa e atij që konsiderohet “qytetërim politik” në debatet
politike dhe publike shton shqetësimet e amerikanëve të rëndomtë, shumica e të
cilëve, sipas anketave të fundit të opinionit publik, mendojnë se vendi është duke
shkuar në rrugë të gabuar. Ekspertët dhe vrojtuesit e fushatave politike në
Amerikë thonë se fushata për president e këtij viti është si asnjë tjetër më
parë. Kryesisht, ndoshta për arsyen se kandidatët e dy partive kryesore nuk
janë, historikisht, të “zakonshëm”. Për herë të parë në histori Amerika ka një
kandidate femër për president në personin e Hillary Clinton, me përvojë
politike dhe diplomatike, kandidate e Partisë Demokrate. Ndërsa Partia Republikane
ka emëruar Donald Trump, pa përvojë politike, por një biznesmen
multi-miliarder, pa dyshim i suksesshëm në fusha të ndryshme të veprimtarisë së
tij në të kaluarën. Ato që mund të cilësohen si ethet presidenciale kanë kapluar
vendin, ndërsa votuesit amerikanë, mbi të gjitha,
duan të dinë, se cili prej këtyre dy kandidatëve kryesorë për president do të mund
ta nxjerrë vendin nga kjo situatë serioze shoqëroro-politike dhe ekonomike dhe
cili prej tyre mund të menaxhojë më së miri krizat e tanishme dhe të ardhme, të
paparashikuara, kombëtare dhe ndërkombëtare. S’ka dyshim se debatet e ashpra
dhe sulmet politike midis kandidatëve kryesorë politikë, herë më pak e herë më
shumë, kanë qenë gjithmonë dhe janë pjesë e fushatave elektorale jo vetëm në
Amerikë por edhe në vende të tjera demokratike të botës. Është pjesë e
paevitueshme e procesit dhe nuk është vetëm një fenomen i shoqërisë moderne
amerikane. Në të vërtetë, ajo që mund të konsiderohet si mungesë e qytetërimit
politik në fushata elektorale dhe diskurse politike në Shtetet e Bashkuara
është aq e vjetër sa edhe ekzistenca e vetë Amerikës si shtet, pra nuk është
diçka e re as këtu në Amerikë, një vend ky që ka një traditë të gjatë
demokratike. Madje, ka qenë presidenti i parë i Shteteve te Bashkuara Xhorxh
Uashingtoni, ai që në fjalimin e inaugurimit të tij si president i kombit të
ri, duke e parë si problem të mundshëm që atëherë ka paralajmëruar kombin mbi
nevojën për një qytetërim politik në marrëdhëniet dhe diskurset politike dhe
publike ndërsa vetë ai u ka premtuar bashkatdhetarëve të tij, “Një
angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit tonë nëpërmjet qytetërimit
politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral. Mbi të gjitha, Amerika duhet
të përshtatë dhe të harmonizojë angazhimet e saj parimore, me shqetësimet dhe
me nevojën për një shoqëri politikisht të qytetëruar. “Toleranca politike
jo vetëm në politikë por edhe në jetën e përditshme, nënkupton respektin dhe
vlerën që ne kemi për një person tjetër me mendime ndryshe. Stiven Karter, një
komentator amerikan, në librin e tij me titull “Qytetërimi’’, shkruan se
sjelljet tona me të tjerët — me vepra dhe me fjalë — “Janë shenjë e respektit
tonë për bashkëqytetarët tanë, që t’i konsiderojmë ata si të barabartë me ne —
si para ligjit ashtu edhe para Perëndisë. Kështu që, rregullat e qytetërimit
politik janë, në të njëjtën kohë, edhe rregullat e moralit. Është e
moralshme’’, ka shkruar ai, “që bashkëqytetarët tanë t’i trajtojmë me respekt
dhe është e pa-moralshme në qoftë se nuk bëjmë një gjë të tillë. Kriza e
mungesës së qytetërimit civil e politik në kohën tonë, është pjesë e një krize
më të madhe morale’’, ka thënë Stiven Karter. Xhim Liç, një ish-kongresmen
republikan i cili ka shërbyer 30 vjet ne Kongresin amerikan, kohë më parë ka
shkruar në një artikull se “qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me
sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra politike duhet të
shmangen. Përkundrazi, gjëja që i nevojitet qytetërimi politik është
gatishmëria nga ana e një personi që të dëgjojë me respekt pikëpamjet dhe
qendrimet e të tjerëve, madje edhe të kundërshtarit, duke qenë të vetëdijshëm
se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri.” Kongresmeni Liç,
vazhdon duke thënë se “është krejtësisht e natyrshme dhe në të vërtetë
është normale dhe e pritshme që qytetarët të mos jenë dakord me njëri tjetrin
mbi çështje politike dhe me qëndrimet e kandidatëve të ndryshëm, por që, më në
fund, është e rëndësishme që këto mosmarrëveshje t’i shprehin me votën e
tyre.” Ndërsa ajo që është me e rëndësishme sipas tij, “Është fakti nëse
kandidatët ose partia që më në fund fiton zgjedhjet, kanë seriozitetin e duhur
dhe kurajën politike të nevojshme për tu angazhuar për një bashkëpunim me të
gjithë, përfshirë kundërshtarët politikë, për të punuar në të mirën dhe për
realizimin e interesave të përbashkëta madhore të kombit.” Fatbardhësisht,
në Amerikë ka ekzistuar historikisht një tolerancë politike midis palëve
opozitare. Ana tjetër e monedhës, kryesisht, tregon se pas përfundimit të
zgjedhjeve, në shumicën e rasteve, palët kundërshtare pas debateve shpesh të ashpra
politike, bien dakord për realizimin e interesave të përbashkëta të kombit. Të
hënën mbrëma, u mbajt debati i parë i tre debateve midis dy kandidatëve
kryesorë për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump. Debati ishte tepër i
ashpër, me akuza dhe kundër akuza ndaj qëndrimeve të njërit tjetrit për
zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë ato
që përmenda në fillim të këtij shkrimi. Por, pyetjes së fundit të moderatorit,
nëse ata do të pranojnë rezultatin e votave të zgjedhësve amerikanë në nëntor,
pa marrë parasysh se cili prej tyre fiton, të dy u përgjigjen pa asnjë hesitim
me po, se natyrisht do të respektojnë vendimin e zgjedhësve amerikanë. Donald
Trump dhe Hillary Clinton janë të vetëdijshëm se më në fund, janë votuesit ata
që kërkojnë prej përfaqësuesve të tyre tolerancë politike ndaj kundërshtarëve
politikë në debatet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi e
bota dhe se qytetarët amerikanë njëkohësisht këmbëngulin që ata t’u japin fund
debateve të ligshta politike dhe sulmeve personale duke adaptuar tolerancën dhe
respektin ndaj njëri tjetrit. Megjithë debatet e ashpra politike midis dy
kandidatëve kryesorë në fushatën e këtij viti për president dhe megjithë ndryshimet
në programet përkatëse të dy kandidatëve për zgjidhjen e problemeve me të cilat
përballet vendi në përgjithësi, duket se prapë se prapë, çdo gjë është në
rregull me traditën e tolerancës politike në Shtetet e Bashkuara. Dëshmia më e
fundit e kësaj tolerance politike ishte edhe inaugurimi fund javën që kaloi i
Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në Uashington, ku
morën pjesë një numër personalitetesh nga jeta politike amerikane, përfshirë
Presidentin Barak Obama dhe ish-Presidentin George W. Bush. Përqafimi i
ish-presidentit republikan George W Bush nga Zonja e parë Michelle Obama – që u
dokumentua me një fotografi që u përhap anë e mbanë botës si diçka e rrallë,
ishte në të vërtetë një pasqyrim i kësaj tolerance politike, historikisht
amerikane. Amerika nuk ka pretenduar kurrë as nuk pretendon tani se është një
shoqëri e perfeksionuar dhe gjithmonë tolerante, por siç u shpreh edhe
Presidenti Obama në fjalën e tij me rastin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar
Afrikano-Amerikan fund javën që kaloi, “Vetë fakti i inaugurimit të këtij muzeu
sot nuk vërteton se Amerika është një shoqëri e perfeksionuar, përkundrazi. Por,
gjëja që vërteton inaugurimi i këtij muzeu është – se nga idealet e themelimit
të këtij kombi, të këtij vendi të lindur nga ndryshimet, të këtij vendi të dalë
nga revolucioni, ky vend mund të bëhet edhe më i mirë”, për të gjithë. Duke iu
referuar indirekt tolerancës politike dhe raciale ndaj njëri tjetrit,
Presidenti i parë afro-amerikan përfundoi duke theksuar se, “Shpresojmë që ky
muze të na ndihmojë të flasim me njëri tjetrin dhe për më tepër, që të dëgjojmë
njëri tjetrin dhe të takohemi me njëri tjetrin”, pikërisht për të qenë më
tolerant, ndaj njëri-tjetrit.