Gazeta Telegraf/ Ëngjëll Musai: Pse, deri këtu jemi katandisur?!

632
Sigal

Ëngjëll Musai

Drejtor i Telegraf

Vërtetë s’paskëshim parë gjë akoma.
Por asnjëherë s’na kishte shkuar në mendje se do t’na e lehtësonin krizën
plehrat e Botës, dhe kurvat shqiptare (ndofta dhe të importuara). Njëra ka të bëjë
me importin e plehrave (thënë me eufemizëm-mbetjet) dhe tjetra me import-eksportin
(kurvat ose me eufemizëm-prostitutat). As s’i kishim parë, por as s’e besonim
se, një ditë do të hidheshin këtilla teza në platformat ligjore të qeverisjes
socialiste. E kush e dinte se me të tilla fatkeqësi fiton Buxheti i Shtetit?!
Vetëm i kishim dëgjuar si mendime të nxituara ose provokuese, por jo që të
merrnin rendësi shpëtimi siç po ngulet këmbë sot. Kemi qenë pro PS-së atëherë
në sherrin midis Partisë Demokratike që kërkonte t’i sillte mbetjet nga vendet
e tjera këtu për riciklim (më shumë për interes pushteti, se sa për fitim) dhe
Partisë Socialiste që kundërshtonte në favor të mendimit popullor (por siç po
duket sot, më shumë për kauzë hipokrite për të marrë pushtetin). Ka qenë një
kohë kur në vendin tonë bëheshin përpunime, por përpunohej nafta jonë,
përpunoheshin frutat e perimet tona, përpunohej peshku dhe qumështi ynë,
përpunoheshin mineralet tona; kromi, hekuri, bakri, qymyri, etj. dhe s’kishim
nevojë të merreshim me mbetjet e Botës. Të gjitha këto përsëri i kemi, por kush
i shfrytëzon? Thonë, se ky ligj i ri për mbetjet është i rreptë dhe nuk do të
lejojë abuzime. Edhe për ushqimet ka ligje, por çfarë nuk kemi parë, çfarë nuk
kemi dëgjuar dhe çfarë nuk po hamë. Dhe kur kjo po ndodh me ushqimet, a nuk
kemi të drejtë të mendojmë se çfarë nuk ka për të ndodhur me mbetjet? Pse u
katandisëm kështu? Kam lexuar para 2-3 vitesh një artikull të njërit që mban si
nënfirmë emrin “sociolog”, i cili hidhte mendimin se përse të mos ligjërohen
shtëpitë publike në Shqipëri. Duke e njohur nga afër, mendova me vete se, këtij
njeriu i takon ta kërkojë një gjë të tillë se, kurvëritë në botëkuptim të çojnë
edhe në rekomandime për kurvëri. Më pas u njohëm edhe me çmimin e librit “Vëra”
( fjalori lab), d.m.th. “Vrima” e një femre shkrimtare, që në përmbajtjen porno
ishte një plagjaturë i një botimi francez e që në vitet pas 70-ës kalonte dorë
më dorë si një fletore sekrete. Madje ajo kishte ardhur deri në
Çorovodë-Skrapar. Por për të mos u zgjatur më tej, për atë lloj “sociologu” dhe
për atë lloj femre shkrimtare, mund të justifikohet, ose mund të priten të
tilla mendime. Por, në kuadrin e asaj që ne “s’kishim parë gjë akoma”, nuk mund
ta prisnim që kurvëria,d.m.th. prostitucioni qenka në listën e mallrave të
tregut të Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë. I pështjelluar me revoltë nga këto
mendime antimorale të shqiptarit, i cili fëmijën (vajzën konkretisht) e lind, e
rrit, e shkollon dhe një ditë i dëshiron një jetë të lumtur familjare, kurse ca
individë të veçantë, sadistë në politikë, në shoqëri dhe në hapësira të tjera
të propagandës, ofrojnë rrugë të tilla rezervë për t’u përdorur si mish për
treg. Atëherë unë do të bëja disa pyetje: “Kush do ta japë shembullin i pari
nga politikanët, shtetarët, nga ata që dalin me këto mendime, që vajza ose
motra t’i punojë prostitutë? Cili familjar ëndërron që nusja e djalit të
prostituojë? Cili prind është i lumtur që fëmija i tij të jetë i droguar,
“dhuratë” kjo e “demokracisë” që jetojmë? Pse dukuritë fatkeqe (kështu e
konsideroj unë dhe secili njeri me mend dhe zemër, prostitucionin në vendin
tonë duke patur parasysh historitë e atyre vajzave që jetojnë me këtë mënyrë),
t’i shpallim mjete biznese, ku edhe shteti të marrë pjesën e vet? Ku është humanizmi,
ku është shpresa, ku është perspektiva që u hap shteti vajzave tona?”

 

Detyrë
qytetare dhe shtetërore është të bashkojmë forcat në luftë ndaj dukurisë së
prostitucionit, kësaj plage sociale, ku Shteti dhe OJF duhet të jenë partnerë
në shpëtimin e skllaveve të seksit e jo t’i bishtnojë detyrimit moral dhe
ligjor. Le të shqetësohemi për të pasur arritje në këtë drejtim. Le t’i lëmë
ato fatkeqe (se shumica janë bërë pabesisht mall tregu) në heshtjen e “punës”
që bëjnë, por patjetër në kujdesin e shtetit për rehabilitim. Le të
shqetësohemi të gjithë edhe për ato vajza që hasmëritë i kanë izoluar nga drita
e diellit, nga shoqëria, nga jeta në përgjithësi. Ato që janë të ngujuara. Le
të flasin e të ngrenë zërin fort deputetët për këto viktima të pafajshme, le të
gjejë një rrugëzgjidhje shteti për to, le të shkruajnë e të debatojnë
sociologët e vërtetë dhe krerët e feve. Të gjitha këto as japin, por as
kërkojnë lekë nga Buxheti i Shtetit, por edhe nëse kërkojnë, do të ishin lekët
shpenzuar drejt që në fakt e shëndoshin dhe e forcojnë shoqërinë.

 

.