Gavrosh Levonja/ Kanabis, mbijetesa e radhës

620
Sigal

Gavrosh Levonja 


Që institucione të
shtetit shqiptar administrojnë të paktën një linjë të trafikut të drogës, nuk e
vë aspak në dyshim. Lidhur me këtë nuk nisem aspak nga ngjarje të tilla si
“Piper-ët” në Divjakë e së fundi në Ishëm, nuk nisem gjithashtu as nga guximi
jo normal që kanë njerëzit, të cilët blejnë farë kanabisi, mbjellin e
kultivojnë pa iu trembur fare syri nga fushatat masive të policisë në
asgjësimin e plantacioneve të mbjella me këtë bimë ilegale, e aq më pak nuk
ndikohem nga sinjalizimet e “qytetarit digital” të Berishës, që për hir të së
vërtetës të gjithë sinjalizimet kanë rezultuar realitet. Konkluzionin në fjalë
e bazoj vetëm në faktin që Shqipëria, me gjithë burimet që ka, me gjithë
“pasuritë” mbitokësore e nëntokësore ka qenë është dhe do të jetë një shtet
insuficient, me fjalë të tjera nuk mund të mbjetojë pa ndihmën e një shteti të
huaj apo një grupimi shtetesh. Historikisht Shqipëria mbijetesën e saj e ka
siguruar falë ndihmave të shteteve që kanë pasur interesa në Shqipëri. Duke
filluar nga viti 1925 kur filloi të funksiononte si një shtet normal e deri në
fund të Luftës së Dytë Botërore, Ahmet Zogu arriti të realizonte një zhvillim
edhe pse modest të vendit në sajë të ndihmave të Italisë së Musolinit. Pas
luftës shteti komunist i Enver Hoxhës mbijetoi falë kontributeve të Bashkmit
Sovjetik dhe ingranimit të ekonomisë shqiptare në strukturat e KNER (Keshilli i
Ndihmës ekonomike Reciproke), një organizëm i krijuar nga BS me qëllim
koordinimin e aktivitetit ekonomik të shteteve të kampit socialist për të
plotësuar nevojat e njëri tjetrit si dhe për të mbështetur aleatët e
pazhvilluar siç ishte dhe Shqipëria. Pas divorcit me sovjetikët ishte Kina ajo
që do të mbante gjallë Shqipërinë komuniste duke ndërtuar një numër rekord
fabrikash e uzinash, duke siguruar dhe lëndën e parë për to, pa përmendur
“paratë e thata” “cash” që Mao Ce Duni jepte për të mbajtur në kufij normalë
nivelin e jetesës së popullit shqiptar. E megjithatë duke qenë se prodhimet
“Made in Albania” gjenin treg vetëm në Lindje duke u shkëmbyer mall me mall ose
siç njihej athere “klering”, shteti shqiptar nuk ishte në gjendje të siguronte
valutë perëndimore për të cilën kishte tepër nevojë. Pikërisht, në këtë
periudhë, diku nga gjysma e parë e viteve 60-të filloi kontrabanda e cigareve
në drejtim të Italisë duke bashkëpunuar me organizata mafioze italiane. Kjo
kontrabandë siguronte disa herë më tepër dollarë, marka e lireta se sa gjithë
eksportet shqiptare të marra së bashku. Që atëhere në Tiranë filluan të binin
në sy veturat luksoze të Qazim Myftiut, një kuadër i Sigurimit të Shtetit, i
cili drejtonte këtë kontrabandë, kontrabandë që do të vazhdonte deri në rënien
e sistemit komunist, ndërkohë që Myftiun e kishin spostuar duke e zevendësuar
me Lorenc Nënshatin. Pas ndryshimit të sistemit nuk ka njeri që të mos e dijë
që shqiptarët edhe pse u mbyllën pothuajse gjithë fabrikat e uzinat edhe pse
rendimenti në bujqësi e miniera ra pothuajsë në zero, shqiptarët pa mohuar
problemet që ishin normale dhe për vende të tjerë mbijetuan falë parave të emigrantëve,
por kryesisht falë kontrabandës në drejtim të ish-Jugosllavisë si dhe
aktiviteteve të tjera ilegale si ishte dhe pastrimi i parave. Më vonë do të
vazhdohej me trafik armësh, droge që vinte nga vende të Azisë, apo
prostitutash. Sot një pjesë e madhe e kësaj “industrie” ilegale është
zëvendësuar nga kultivimi i kanabisit shqiptar, pa përjashtuar dhe përpunimin e
drogave të forta siç bëhej në “laboratorin” e zbuluar në Labinot. Të gjitha
këto nuk e kam për gjë t’i marr mbrapsht nëse del kryeministri, një ministër
ose ekspert i ekonomisë që të publikojë shifra konkrete ama jo me përqindje, me
të cilat të tregojë se Shqipëria është me një buxhet të balancuar.