Gani Elezi/ Drejtësi e paguar shtrenjtë nga taksat e shqiptarëve

582
Në edicionet e lajmeve janë dhënë disa informacione për pagat dhe pensionet e prokurorëve dhe gjykatësve. Parashikohet që pagat e tyre të jenë në nivele shumë të larta, në raport me pagat e sektorëve të tjerë. Mund të jenë afro 300 mijë lekë në muaj. Veç kësaj parashikohet një skemë pensioni që do të rezultojë me një deficit prej 320 milionë USD në vit. Ndërsa nëse llogaritet vjetërsia në punë prej 40 vitesh për gjithë këta zyrtarë ky deficit shkon në 12.8 miliardë USD, sa trefishi i buxhetit që ka sot Shqipëria. Në se merren parasysh disa klauzola që edhe pas vdekjes së këtyre punonjësve bashkëshortja/bashkëshorti,bashkëjetuesja/ bashkëjetuesi merr 60%, ndërsa fëmijët 30% të pagës si pension, del që punonjësit e drejtësisë të marrin edhe kur pensionohen afro 110% të pagës mujore. A është e vlefshme një drejtësi e paguar kaq shtrenjtë? E paguar jo nga bosët e krimit, të politikës, por nga shqiptarët në formën e taksave dhe detyrimeve të tjera ligjore. Sido që ta shikosh kjo drejtësi nuk është ajo që presin shqiptarët. 

Integriteti moral i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Në parim drejtësia nuk realizohet në bazë të marrëdhënieve të interesit “më jep të jap’’. Pra për të mbrojtur punonjësit e drejtësisë nga korrupsioni,që ata të bëjnë vërtetë drejtësi, t’u japin atyre paga që i tejkalojnë më shumë se dhjetëfishin pagat e punonjësve të zakonshëm. Drejtësia ndërtohet dhe realizohet në bazë të parimit të integritetit moral, të përgjegjësisë dhe të detyrimit për të zbatuar kuadrin ligjor, kushtetues. Kjo është marrëveshja që bën shteti, shoqëria me të gjithë punonjësit e saj dhe jo marrëveshja e interesit. Nëse kërkojmë të mbrojmë nga korrupsioni gjyqtarët dhe prokurorët duke u dhënë atyre rroga dhe pensione stratosferike, në raport me pagat e punonjësve të sektorëve të tjerë, atëherë këtë duhet ta bëjmë me të gjithë profesionet. Këtë duhet ta bëjmë me policët, që çdo ditë përballen me krimin dhe korrupsionin. Këtë duhet ta bëjmë me ushtarakët, që çdo ditë dhe në çdo aksion rrezikojnë jetën në mbrojtje të vendit dhe në askione ushtarake ndërkombëtare. Këtë duhet të bëjmë me mjekët që çdo ditë përballen me probleme të shëndetit të qytetarëve. Këtë duhet ta bëjmë me të gjithë mësuesit dhe profesoratin që merren me edukimin dhe arsimimin e nxënësve dhe studentëve tanë. Këtë duhet të bëjmë me çdo punonjës të sektorit ekonomik, dhe të financave që çdo ditë përballen me tentativat e biznesit për t’iu shmangur detyrimeve tatimore, etj. Profesioni prokuror dhe gjyqtar nuk është profesion i detyruar përkundër disa favoreve të caktuara. Është profesion si gjithë të tjerët që duhet të realizohet në bazë të kuadrit ligjor dhe kërkesave që rregullojnë mbarëvajtjen e çdo sektori. 

Cinizëm në nivelin kriminal 

Pagat dhe pensionet e punonjësve të drejtësisë, si edhe të të gjithë sektorëve të tjerë, duhet të jenë në bazë të mundësive financiare që ka ekonomia jonë. Ekonomia shqiptare nuk e ka mundësinë dhe buxhetin të përballojë paga të tilla. Në kushte kur pagat dhe pensionet tona janë në nivele minimale, si është e mundur që caktohen paga e pensione të tilla për punonjësit e sistemit të drejtësisë. Është një shpërdorim i pafalshëm dhe me pasoja shumë të rënda në nivelin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Në raste të tilla na mbetet të themi ‘’na rrofshin prokurorët dhe gjyqtarët. Nuk ka rëndësi se si jetojnë, çfarë hanë, çfarë veshin, si shkollohen, si mjekohen shqiptarët’’. 

Shtresa e re e kadilerëve

Nga një trajtim i tillë i diferencuar do të na krijohet një shtresë e veçantë kadilerësh, që nuk do t’ia dinë për çfarë shkruhet në ligj, çfarë është drejtësia, por që do të investohet në ruajtjen e këtij statusi social. Është i pëlqyeshëm statusi i kadiut të vendit. Askush nuk dëshiron ta lërë atë. Thonë se kur ta bën kadiu nuk ke ku të ankohesh. Nga një kartel i mbajtur me paratë e drogës, të krimit dhe të politikës, si është konsideruar deri tani drejtësia jonë, do të na krijohet një kartel i “ndershëm”, i mbajtur me paratë dhe taksat e shqiptarëve. Çfarë ndryshimi do të ketë. Edhe pas reformës, edhe në të ardhmen, do të jetë një kartel interesash. Ajo që më bën përshtypje është se vëmendja e politikës nuk është fare në këtë argument. Më shumë janë angazhuar në argumentin se mos ligjet e miratuara “cënojnë” lirinë e shtypit se sa në argumentin se mos këto ligje cënojnë xhepin dhe nivelin e jetesës së shqiptarëve. Sa duket klasa politike, me privilegjet që i akordon punonjësve të sistemit të drejtësisë kërkon që t’i ketë ata nën kontroll dhe trysni edhe në të ardhmen. Nuk është i pakët presioni për të të hequr një pagë dhe benefice të tilla të larta. Nëse edhe SHBA dhe BE, suksesin e reformës në drejtësi e kanë projektuar kryesisht në skema të tilla pagash dhe pensionesh e kanë shumë gabim. Në një farë formë edhe ata po stimulojnë interesin material përballë integritetit moral dhe profesionale, që duhet të jenë në themel të procesit të vettingut. Unë vetë e denoncoj një sistem të tillë pagash dhe pensionesh, që do ta thellojë më tej gropën e deficitit të buxhetit tonë, do të thellojë më tej varfërinë e shqiptarëve, qoftë edhe pas “alibisë” për një drejtësi të pavarur. Le ta hedhin në diskutim popullor dhe të jeni të bindur se asnjë shqiptar nuk e dëshiron një drejtësi që do t’i kushtojë sa qimet e kokës, që do ta varfërojë atë edhe më shumë se sa është varfëruar deri tani. 
Sigal