Fushatë e çuditshme me tepsi, bakllava dhe timon makine

625
Bardhyl Berberi 
Fushat e e zgjedhjeve është ndezur dhe bashkë me të dhe shumë skandale. Liderët politikë nuk dinë se çfarë të shpikin po ju hyjnë njerëzve deri në gëzime familjare në dasma apo datëlindje duke pozuar me ata për atë të shkretë vote. Pozojnë dhe luajnë valle me të njohur dhe të panjohur vetëm që t’i trullosin dhe ata t’iu japin votën. Padyshim që gjuha shkon atje ku dhemb dhembi. Ka 26 vjet që Shqipëria ka ngelur në udhëkryq të historisë së saj. Shqipëria ka ca politikanë që kanë para, pushtet e që kanë krijuar parajsa fiskale dhe vegjetojnë në një luks të zi. Në këto vite të gjata tranzicioni këta horra politikanë që ngjisin shkallët e karrierës, jo me djersën e ballit, por duke shkëmbyer burrërinë me privilegjet, integritetin me favoret. Ky është një takëm i ri politikanësh që janë gjendur dhe vazhdojnë të jenë; nëpër zyra, në ministri, drejtori etj. Ata janë gjendur me shumicë në parlament, biznes privat, spital, shkollë, dhe padyshim në çdo lagje. Këtë takëm politikanësh i njohin të gjithë, janë të veshur me firmato, me kokën e lyer me bojë që dihet publikisht se kujt kodoshi i shërbejnë. Ata e shohin veten në pasqyrë dhe shijojnë luksin, krekoset e fryhen si ata gjelat e detit …Ata gjenden kudo: Në gjirin e partisë apo në krye të organizatave jo qeveritare ku me paratë e destinuara për të varfrit, pleqtë, apo romët kënaqin grykësinë e pangopur. Ato gjenden në universitete ku kërkojnë para nga studentët për të kaluar provimet. Ata gjenden në administratën shtetërore, ku për çdo shërbim kërkojnë zarfin nën tavolinë. Ato gjenden në gjykata ku ngopin gjykatësit vampirë. Ata i gjejmë në spitale, farmaci, madje edhe furra buke ku përziejnë miellin me bojë. Ata , të shesin fruta e perime me hormone, ata vjedhin vota ditën e votimeve, ndajnë zarfe me para për të blerë votat me lista ushqimesh të të varfërve … Ata të kërkojnë 3-5 mijë euro për një vend pune, kërkojnë favor seksual për një rrogë të ulët shteti. Ata, ndonëse kanë shumë emra dhe me precedent penal, vazhdojnë të jenë në punë. Ata fitojnë tenderë dhe koncesione për t’i ndarë paratë me shefat e tyre, ata ndjehen mirë në këtë terren, sepse është habitati i tyre i përkryer. Ata dalin nëpër emisione televizive dhe flasin për shpresën, të ardhmen e ndritur dhe reformat. Ata edhe kur kapen brenda një skandali të rëndë financiar gjithmonë qëndrojnë jashtë burgut, pa iu hyrë asnjë gjemb në këmbë… E pamë tërkuzën e gjatë për miratimin e reformës në drejtësi që i ngjan pëlhurës së Penelopës, thuret ditën dhe shthuret natën, Jetën e bëjnë njerëzit e ndershëm mbi një mjedis të caktuar dhe ky mjedis nuk duhet që t’ua u lemë ta zotërojnë horrat. Po nuk u prenë metastazat e tyre kanceroze, atëherë e keqja do të na vërë poshtë dhe do të na marrë frymën. Ka shumë djem e vajza dhe personalitete shqiptare që ndodhen jashtë atdheut, të cilët kanë kapacitete dhe integritet që gjërat t’i ndryshojnë për mirë dhe Shqipëria të shpëtojë nga horrat. Imagjinoni një intelektual të shquar, një profesor apo akademik ekonomist apo jurist të shquar që është i detyruar të përkulet përpara këtyre horrave. Si është e mundur që një shoqëri në demokraci të pranojë të keqen si model dhe akoma më e trishtueshme është, kur këta horra na paraqiten si vlerë … Kjo është trashëgimia më negative që po iu lemë fëmijëve tanë …Politikanë aventurierë, të paditur të korruptuar të çmendur që po e mbajnë peng të ardhmen tonë. Atdheun tonë në këto 26 vjet demokraci e kanë lënë me themele të çara dhe mure të plasaritur … Është koha kur më 25 qershor do të votohet dhe vota është ajo, që duhet të heqim horrat që kemi nëpër këmbë dhe t’ua u besojmë pushtetin njerëzve të ndershëm …Jo tepsisë, apo bakllavasë, apo sheqerpares dhe timonit të makinës që po bredh edhe në studio televizive. O popull është radha jote, hiqu maskën demagogëve dhe jepja votën atij që e meriton. 
Sigal