FRYRJA E PUSHTETIT NGA KALBËZIMI

781
Sigal

Ngutja e madhe e brigadierit të këtij lloj pushteti për të kthyer dhe kryetarin e shtetit në një bekshi pushteti qysh në ditët e para të hyrjes së tij në zyrën e Presidentit të Republikës, dëshmon jo vetëm etjen e pashuar për të hedhur të gjitha institucionet kushtetuese të këtij vendi në një dorë të vetme., por dëshmon edhe panikun që ka kapur këtë palo pushtet nga ndëshkimi i pritshëm për zullumet e tij të panumërta.

   Pasi pati privatizuar si një firmë e vetme TVSH-në e paguar me taksat e shqiptarëve, pasi ka privatizuar thuajse tërësisht ekonominë kombëtare dhe pronat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura, iu turr me ngutje të madhe privatizimit të institucioneve të tilla kushtetuese si Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Ushtria dhe pronat e saj, që janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe jo çiflig i hordhisë së pangopur pushtetare.

 Këtij lloj pushteti të sëmurë rëndë nga makutëria e pakufishme, nuk i duken të mjaftueshme privatizimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, privatizimi i Kolegjit Zgjedhor, privatizimi i Policisë së shtetit , privatizimi i administratës  shtetërore dhe i mbarë punonjësve buxhetorë të këtij vendi, por kërkon tani të privatizojë dhe gjeneralët e graduar fringo nga bekshiu i pushtetit në zyrën e kryetarit të shtetit (!)

  Nuk i duken të mjaftueshme tërë këto privatizime këtij pushteti putinist, por kërkon të privatizojë me ngutje të madhe dhe Prokurorinë e Republikës, të privatizojë mbarë Gjyqësorin në të gjitha hallkat e veta e të privatizojë dhe diplomacinë, duke e kthyer atë në një repart propagandistësh të pushtetit, që pritet të ngarkohet së shpejti me shpërndarjen e “veprave të udhëheqësit legjendar” nëpër botë…

 Për të mos i lodhur lexuesit me këndvështrimin tim, po përpiqem të rendit këtu ato fakte, që tanimë i dimë të gjithë, mbi mënyrat sesi kërkon ky pushtet i sëmurë rëndë të hedhë në një dorë të vetme të gjitha institucionet kushtetuese të këtij vendi tejet të lodhur nga shpërdorimet e pushtetit.

***

Rrënimi i institucioneve me anën e shkeljes së ligjit në emër të ligjit nisi qysh në ditët e para të ardhjes në pushtet të kësaj shumice me paterica. Ligji ekzistues mbi lirinë e medias parashikonte që Televizioni Publik Shqiptar të drejtohej nga një ekip i miratuar me konsensusin e të gjitha palëve. Pushteti i etur për të sunduar e jo për të qeverisur, i bëri të gjitha palët një të vetme dhe TVSH-ja ka vite të tëra që shërben si zëdhënëse e pushtetit e jo si organi i medias publike për informimin e saktë të qytetarëve, me taksat e të cilëve mbahet më këmbë.

  Rregullorja e Kuvendit ishte e miratuar me konsensusin e të gjitha palëve, por pushteti  aktual e ndryshoi sa deshi e si deshi  vetëm me konsensusin e brigadierit të vet.

  Kodi Zgjedhor i miratuar me konsensusin e të gjitha palëve, parashikonte që, kur dy anëtarë të KQZ-ë kërkonin hapjen e kutive për të verifikuar dyshimet, ai nen nuk votohej por zbatohej, megjithatë pushteti vendosi ta hidhte në votë ligjin, duke e kthyer KQZ-në e vet private në një “legjislativ” të vogël në shërbim të pushtetit. Dhe dihet pse u shkel ai nen i Kodit Zgjedhor, sikurse dihet edhe pse u dogjën nën Urën e Farkës dëshmitë ulëritëse të Rruzhdieve në vitin 2009…

  Për hedhjen e votës në kutinë e gabuar, kodi ekzistues nënkuptonte mjaftueshëm për çdo mendje të paprishur, se ato vota nuk llogariteshin. Por pushteti dhe kamerierët e tij në KQZ bënë një shpikje të re “ligjore”. I mbushën kutitë me votat që u duheshin dhe i grabitën në mes të ditës zgjedhjet për bashkinë e Tiranës më 8 maj 2011. Pastaj na thanë se e bënë nga meraku i madh i pushtetit për të “dëgjuar zërin e qytetarëve”(!) Dhe , për habinë e të gjithëve brenda e jashtë këtij trualli të nëmur nga çitakët e tij të sëmurë për pushtet, atë “ zë të qytetarëve” u pëlqeu ta dëgjonin dhe triumvirati i ambasadorëve , të cilët i patën numëruar vetë një ditë më parë dhe patën uruar atë ditë një fitues e ditën tjetër gjetën se në “ kutitë e gabuara”na qenkej futur pa dashje fituesi i ditës së dytë(!)…

  Me këtë “zbulim” të shkeljes së ligjit në emër të ligjit, pushteti  aktual mori dhe bekimin e triumviratit për të grabitur zgjedhjet në mes të ditës. Sepse ishte lodhur shumë duke i vjedhur zgjedhjet natën. E sepse pa Tiranën, pushteti mbetej vetëm me Shkodrën dhe tri bashki të vogla(!) Por edhe sepse pushteti e kishte merak të madh transparencën dhe “tolerancën zero” ndaj korrupsionit…

***

  A nuk qe pikërisht ajo”transparencë” e këtij deli pushteti, që ia doli madje ta rendiste vendin në radhët “e para në botë” për  marrëveshjen e fshehtë që shiti ujërat territoriale vetëm për të marrë si shpërblim mbështetjen e nevojshme të qëndrimit në pushtet me çdo kusht e me çdo çmim? Po ajo e famshmja “Zona C” e hidrokarbureve , që u la letër e bardhë nga Kuvendi i Rruzhdies, për të shkruar në të atë që t’i tekej pushtetit, a nuk ishte transparente? Po tenderi i paravendosur mbi lotarinë kombëtare, ku pushteti nuk pyeste për vlerën monetare por vetëm për ”biografinë” e fituesit, a nuk ishte transparent? Po emërimi i një bekçiu të pushtetit si kryetar të shtetit, a nuk ishte njëherësh aq konsensual dhe aq transparent sa e do ky palo pushtet i sëmurë? Po mbyllja e Ministrisë së Mbrojtjes, për të mbrojtur të palarat nga kontrolli i Kuvendit, mos nuk ju duket transparent? Apo mos nuk ju duket transparent shkarkimi i drejtorit të SHISH-it pa thënë arsyet e shkarkimit  dhe emërimi në vend të tij i një personi me dy shtetësi? Mos dyshoni gjë që kjo shkelje e ligjit përkatës nuk është transparente? Pse të mos betohet dhe për besnikëri ndaj “princit” të punësuar si “të këshilluar politik” në Presidencën shqiptare i biri i botës, kur mbase është betuar dhe  për besnikëri ndaj Madhërisë së Saj, Mbretëreshës, kur ka qëndruar si imigrant për 12 vjet të tërë? Tek e fundit, zotëria iku në mërgim për t’u specializuar në përdorimin e teknologjive moderne të survejimit e jo se kishte ndonjë zullum në shpinë nga koha e SHIK-ut të piramidave…

 Nuk ju duket transparent privatizimi me shumicë i pronave të Ushtrisë shqiptare, që janë pjesë e pasurisë kombëtare?  Kur privatizohet nga një firmë e vetme ekonomia kombëtare dhe pronat e të shpronësuarve nga diktatura, pse të mos privatizohen me transparencë dhe ato prona, si KLD-ja, SHISH-i e SHIU,Ushtria, Gjyqësori e Prokuroria, TVSH-ja e KQZ-ja?

  A nuk u qep që në krye me pe të kuq kjo maxhorancë gjysmake, vetëm “për hir të integrimit të vendit në BE”? A nuk i ka plotësuar kjo çqeverisje shembullore të gjitha detyrat për të “integruar vendin në BE”, por gjithnjë pas Serbisë mike?…

 Po ç’t’i bëjë “opozitës së bllokmenëve bllokues” kjo maxhorancë e udhëhequr me dorë të hekurt nga një enverist i thekur dhe e ndihmuar të rrijë më këmbë me të keq nga fraksioni më i majtë i të majtës sonë të sëmurë? Kjo maxhorancë që po bëhet copa për të integruar vendin në BE,  po bëhet njëmijë copa edhe për të dezintegruar opozitën, përpara se të integrojë vendin. Po bëhet copa  për të hedhur në dorë dhe opozitën me anën e opozitareve që bëjnë opozitën e opozitës. Se vetëm kur edhe opozita “bllokuese e integrimit” të jetë privatizuar nga një firmë e vetme, si të gjitha institucionet e tjera kushtetuese e jokushtetuese , vetëm atëherë opozita nuk do të jetë më “bllokmene”, po do të jetë “në një bllok me ne”, d.m.th me pushtetin dhe vetëm atëherë Shqipëria jonë nuk do të ketë më nevojë të integrohet në BE, se do të jetë kthyer në ditët e saj të lavdishme, kur ishte “Fanar i Kuq i Europës”…

 Atëherë nuk do të ketë as nevojë e as mundësi të dezintegrohet as opozita e as pozita. Nuk do të kemi më të shkëputur nga PD-ja për të përfaqësuar alternativën e qendrës së Djathtë ( më  të saktët që kanë mbetur) e nuk do të ketë as nga ata zërat e mekur që nuk guxojnë të dalin nga vatha , por vetëm kuadro të devotshme partie, që e futin kokën në mes të shalëve kur flet brigadieri i pushtetit.

  Mos e ka dëgjuar ndonjëherë njeri atë brigadier luftarak, që nuk i pushon goja duke recituar “shënimet e agjitatorit’ ditë e natë nëpër mediat e tij private e të privatizuara, të harrojë e të thotë edhe që shteti është ekuilibër i pushteteve të pavarura? Përse t’i hyjnë në punë pushtetit e popullit ato“pallavra të propagandës borgjeze”!…

 Brigadieri i zemëruar i këtij pushteti të fryrë keq nga kalbëzimi, i këtij pushteti mosmundash, që nuk kontrollon dot sa territorin e vet e që nuk vendos dot  as ligjin aty ku Kanuni mesjetar bën kërdinë në jetë njerëzore dhe ngujon fëmijët e shton analfabetizmin, na ngrefoset e këput mish se “do japë një dorë më të shkuar” për të vendosur ligjin ndërkombëtar(!)…

 Kësaj i thonë me transparencë të plotë:“bir Selmani i nënës, ç’të të qaj më parë?!”…