Frank Shkreli: Zgjedhjet përfunduan – Po tash?!

607
Ja mori fund fushata elektorale në Shqipëri dhe në Kosovë. Po numërohen votat dhe po shpallen fituesit. Çdo fushatë elektorale që përfundon me zgjedhje, ka fituesit dhe humbësit. Fituesit gëzohen dhe humbësit, natyrisht, janë të zhgënjyer. Disa janë të lodhur e të mërzitur e të tjerët ndihen triumfues. Këtu në Amerikë thonë se politika është një sport i ashpër. Ndeshja përfundoi dhe rezultatet zyrtare janë në proces që t’i njoftohen publikut. Për gjithçka ka një kohë dhe një stinë. Ashtu ishte edhe stina e fushatës dhe më në fund e zgjedhjeve – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Është ky një ushtrim që votuesi angazhohet, normalisht, çdo katër vjet ose edhe më herët, siç ishte rasti i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë,për të zgjedhur përfaqësuesit e vet. Kjo stinë mori fund dhe së shpejti, bazuar në votat e hedhura nga shqiptarët për partitë e tyre të preferuara do të formohen qeveri të reja në Prishtinë dhe në Tiranë. Në momentin e këtij shkrimi, duket se Partia Socialiste do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandateve për të krijuar e vetme qeverinë, ndërsa në Kosovë pritet të formohet një qeveri koalicioni, ose të mbahen zgjedhje të reja, pasi asnjë parti e vetme nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për formuar qeverinë. Si për fituesit ashtu dhe për humbësit mori fund fushata u mbajtën zgjedhjet dhe po numërohen votat. Për mirë ose për keq sovrani e tha fjalën e fundit. Humbësit duhet të japin përgjegjësi për humbjen, ndërsa për fituesit, tani është koha për veprim, për cilën do qoftë parti ose ose koalicione partishë. Si fituesit ashtu edhe humbësit e zgjedhjeve duhet ta dinë se ndonëse mund ta konsiderojnë veten si të tillë, ata janë pikë së pari qytetarë të një komuniteti më të gjërë e më të madh se sa pjesëtarë të një vathi të ngushtë të cilësdo partie politike qofshin dhe se para Zotit dhe para popullit, si fituesit ashtu edhe humbësit, të gjithë janë të barabartë. Cilat do qofshin animet e juaja politike, fituesit të reflektojnë dhe të tregojnë përvujtëri dhe respekt në debatet dhe dialogët e ardhshëme politikë, qoftë në formimin e qeverisë së re, qoftë në konsolidimet e qëndrimeve politike për qeverisjen e shqiptarëve katër vitet e ardhshme. Gjëja që ka munguar këto 27 vjet, por që nevojitet tani është dialog dhe jo monolog midis palëve të ndryshme politike, në qoftë se ekziston dëshira për fuqizimin e kombit shqiptar, për një jetë më të mirë, në paqe dhe siguri për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim. Në qoftë se jeni të sinqertë me veten dhe me popullin shqiptar, madje edhe si fitues, duhet të reflektoni seriozisht se diçka nuk po ecën siç duhet dhe se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri, kur 56% e popullsisë do t’ia mbathte duke u larguar nga vendi, po të kishte mundësi. Është ky një fakt që pasqyron jetën e përditshme të shqiptarëve e me të cilin nuk mund të mburret as Partia Socialiste, e cila ka qeverisur vendin katër vitet e fundit dhe që duket se po shkon drejt fitores së këtyre zgjedhjeve dhe as partitë e tjera të vendit. Në qoftë se jeni fitues, të tregoheni modestë dhe mirënjohës për besimin që u ka dhënë votuesi shqiptar. Mos i mitizoni “arritjet” dhe “sukseset” tuaja, sepse shqiptarët janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre. Votuesi shqiptar është i vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendet. Ndoshta reagimi më normal i moskënaqësisë i votuesit shqiptar karshi partive politike ishte pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Fitues e humbës: shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të lodhur me një politikë grindavece e të përçarë, e cila vetëm mendon për vete dhe ruajtjen e kolltukëve. Mos e mendoni veten pra si Gjergj Kastriotë, Isa Buletinë, Ismail Qemalë, Luigj Gurakuqë e Themistokli Gërmenjë, sepse asnjë prej jush nuk jeni të tillë. Po të kishit meritat e këtyre dhe të tjerëve patriotë të historisë së kombit shqiptar, Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi, do ishin ndryshe sot nga gjendja politike dhe ekonomike në të cilën e ka hedhur kombin kjo klasë politike. Shqipëria nuk është as e Partisë Socialiste, as e Partisë Demokratike, as e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe as e ndonjë partie tjetër politike, ashtu siç nuk është as Kosova pronë e PDK-ës, LDK-ës, AAK-ës ose VV-ës, e tjera. Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të konsiderohen si Nëna e të gjithë shqiptarëve, pa dallim dhe politika duhet të kujdeset për të gjithë. Të gjithë shqiptarët dhe të gjitha partitë politike, anë e mbanë trojeve shqiptare – fituese ose jo në zgjedhjet e fundit — kanë të drejta dhe përgjegjësi kombëtare të barabarta. Si të tilla dhe mbi të gjitha, për to duhet që të përcaktohen interesat kombëtare si prioriteti numër një për të gjithë, nga fituesit dhe humbësit së bashku – mbi ato të individit që përfaqëson partinë ose të partisë – dhe të tregohet angazhim serioz për të punuar drejtë realizimit të tyre, qofshi në qeveri qofshi në opozitë. Ka mjaftë çështje politike dhe ekonomike e të tjera, të dorës së dytë, për të cilat pozita dhe opozita mund të debatojnë pa fund. Por koha e fushatës dhe e zgjedhjeve kaloi. Morën fund gjithashtu edhe trumbetimet e sloganeve dhe e premtimeve boshe. Tashti është koha që fituesit dhe humbësit në zgjedhje të punojnë për një Shqipëri dhe për një Kosovë, shpirtërisht dhe fizikisht integruese dhe gjithë-përfshirëse për të gjithë shqiptarët – të një Shqipërie e Kosove me të vërtetë shqiptare. Kështu që të gjithë bijtë e bijat e shqipes, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre politike – do t’i konsiderojnë trojet shqiptare si çerdhe të nxehta për të gjithë pa dallim, ashtu që të ndalohen prirjet masive të emigrimit nga trojet shqiptare, që sot për sot, historikisht mund të jetë rreziku më i madh që i kanoset kombit shqiptar. Masat e nevojshme që duhen marrë për parandalimin e këtij rreziku duhet të jetë prioriteti numër një kombëtar. Sot për sot, interes më të madh kombëtar se ndalimi i zbrazjes së trojeve shqiptare nuk ka. Fituesve u është dhënë mandati që të punojnë, ashtu që Shqipëria dhe Kosova të adhurohen nga vet shqiptarët dhe të respektohen ndërkombëtarisht, të zhvilluara politikisht dhe ekonomikisht, të integruara në organizmat euro-atlantike, me qëllim që të kufizohet emigrimi masiv i shqiptarëve në vende të huaja. Është ky një fenomen trishtues për të ardhmen e trojeve shqiptare, ndërkohë që kënaq lakmitë e armiqve shekullorë të shqiptarëve, të cilët historikisht kanë synuar një realizim të tillë madje edhe nëpërmjet politikave ekonomike dhe ushtarake për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Nuk ka interes as pasuri më të madhe kombëtare se populli shqiptar dhe mbrojtja dhe siguria politike dhe ekonomike e mirëqenies së tij. Se si të arrihet realizimi i këtij objektivi të zhvillimit ekonomik dhe politik për të cilin ëndërrojnë shqiptarët për më shumë se një çerek shekulli tani, është përgjegjësi e qeverive që do të formohen nga partitë dhe aleancat e dala nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Cila parti ose koalicion partish – me programet e tyre reale politike dhe ekonomike – do të përcaktojë rrugën që do të ndjekin Kosova dhe Shqipëria gjatë katër viteve të ardhshme? Cilat do qofshin ato, vullneti i popullit shqiptar i shprehur nëpërmjet votës së lirë pret nga kjo klasë politike, që më në fund, të përcaktojë rrugën dhe të zbatojë politika dhe programe për realizimin e idealeve dhe interesave të larta kombëtare. Përcaktimi dhe realizimi i interesave madhore dhe jetike të kombit, siç është ndër të tjera, edhe ndalimi i emigrimit në masë i shqiptarëve – i nevojitet një harmonizim mbarë kombëtar i të gjitha partive politike pa pasur nevojë që të ndryshojnë identitetin politik të tyre. Ka kaluar gjithashtu edhe koha kur për hallet e shqiptarëve fajësoheshin fatkeqësitë e ngjarjeve historike. Sot, ju jeni përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve dhe si të tillë jeni përgjegjës ndaj kombit dhe para historisë, për gjendjen aktuale dhe për të ardhmen e brezave. Kjo është koha e juaj për të vepruar. Për ndryshe bëhet vonë. Mos tash, kur?
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Sigal