Frank SHKRELI/Xhorxh Bush bashkon Presidentët

60

Thënie e skalitur në murin e “Qendrës së Presidentit Xhorxh W. Bush” në Universitetin Metodist të Jugut në qytetin Dallas të shtetit Teksas : “Ne besojmë në shoqëritë e lira që vlerësojnë bindjet morale. Ne besojmë në tregjet e lira private, të njerizuara nga një qeveri e mëshirshme. Ne besojmë në një ekonomi që shpërblen punën e rëndë, në komunitete që mbrojnë të brishtët, si dhe në detyrën dhe përgjegjësinë e kombeve për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e të gjithëve”.

 Të enjten më 25 Prill u inaugurua “Qendra e Presidentit Xhorxh W. Bush”, hapësirë, e cila përfshinë Bibliotekën e Presidentit Bush si edhe Institutin “Bush”, themeluar nga Presidenti dhe Zonja Bush, sipas njoftimit të Qendrës me qëllim për të “vazhduar punën e tyre për përhapjen dhe forcimin e lirisë në këtë vend dhe anë e mbanë botës.”

Në inaugurimin e kësaj qendre, e cila është biblioteka e 14 presidenciale dhe e dyta më e madhja pas bibliotekës të Presidentit Reagan – morën pjesë Presidenti në detyrë Barak Obama dhe ish-presidentët Xhorxh Bush plaku, Bill Klinton, Xhimi Karter, si dhe një numër personalitetesh ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Rasmusen dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe 15.000 personalitete të ftuar.

Qëllimi i bibliotekave presidenciale është në përgjithësi që brezi i tanishëm dhe brezat e ardhshëm të mësojnë mbi presidentët, historinë amerikane dhe botërore gjatë periudhës që ata kanë shërbyer si presidentë të Amerikës. Qëllimi i Qendrës dhe Bibliotekës së Presidentit Bush, sipas portalit të saj është që të “shërbejë si burim për studimin e jetës dhe të karrierës së Xhorxh W. Bush, ndërkohë që, promovon gjithashtu, njohjen më të mirw të zyrës së presidentit, të historisë amerikane dhe të çështjeve të rëndësishme të politikave publike”, gjatë mandatit të tij si president. Në këtë bibliotekë, sipas drejtorit të saj Mark Langdale, do të ruhen të gjitha arkivat e dy mandateve të administratës Xhorxh W. Bush, informacione dixhitale dhe më shumë se 200-milionë komunikime elektronike (e-mail-s), që përbën koleksionin më të madh elektronik të bibliotekave presidenciale, ekspozita që pasqyrojnë vendimet kyçe të administratës “Bush” si dhe ekspozita dixhitale dhe vizuale për t’ia bërë më të lehtë vizitorëve të ndjekin masat dhe vendimet e marra nga Presidenti Bush si dhe arsyet dhe parimet që e drejtuan atë në marrjen e vendimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Natyrisht në këtë dokumentacion përfshihen edhe tekste të ndryshme historike, gjithsej nja 70 milionë faqe nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë gjatë Presidencës “Bush”.  Si e tillë, kjo qendër u ofron material dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianëve, akademikëve, studentëve dhe publikut, të cilët do të përpiqen që vet të rivlersojnë politikën dhe vendimet, shpesh kontraversiale, që ka marrë Presidenti Xhorxh Bush dhe të cilat mbeten objekt interpretimesh të ndryshme.

Megjithëse, shpenzimet për ndërtimin dhe inaugurimin e kësaj Qendre janë mbledhur nga fonde private, gjithsej 500-milionë dollarë, tani e tutje Biblioteka do të administrohet nga Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që kujdesen edhe për bibliotekat e tjera presidenciale, me fjalë tjera nga taksapaguesit amerikanë.

 Inaugurimi i kësaj Qendre dhe biblioteke është i rëndësishëm për historinë e Shteteve të Bashkuara dhe për politikat kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë tetë vjetëve të administratës së Xhorxh W. Bush. Njëkohësisht ishte një rast i rrallë që pesë presidentët e Amerikës, anëtarë të një klubi ekskluziv, ishin së bashku dhe të cilët gjatë 25 vjetëve të kaluara kanë përcaktuar politikën e brendshme dhe të jashtme të Amerikës. Gjatë pothuaj tre dekadave të kaluara, ata kanë argumentuar dhe debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Megjithë ndryshimet politike midis tyre, gjithmonë duke nënvizuar qëndrimet dhe parimet qeverisëse për të mirën e Amerikës dhe të botës, gjithmonë duke vënë dashurinë për Amerikën mbi të gjitha interesat, personale, politike ose partiake. Takimi i pesë presidentëve amerikanë në Dallas në inaugurimin e Qendrës “Xhorxh W Bush”, ishte një pasqyrim i demokracisë së vërtetë se megjithë ndryshimet e mëdha në pikëpamjet politike midis tyre, presidentëve amerikanë, mbi të gjitha, tregojnë admirimin dhe respektin për zyrën e presidentit dhe dashurinë për atdheun e tyre, Amerikën. Ky takim, sipas Presidentit Obama, i cili shpesh ka kritikuar politikat e paraardhësit të tij –ishte gjithashtu një moment që ai e cilësoi si një “ditë e veçantë për demokracinë” dhe një rast që ish-Presidenti Bill Klinton e  karakterizoi si një ditë, “celebrimi për atdheun tonë, të cilin të gjithë ne e duam”. Në fjalimin e tij, Presidenti Obama lavdëroi, ish-presidentin Xhorxh Bush për udhëheqjen e tij pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, për përpjekjet e tij për të luftuar sëmundjen e AIDS në Afrikë si edhe për politikat e tij të arsimit dhe të emigracionit.

 Presidenti Xhorxh Bush, në fjalimin e tij përshëndetës, tha me sytë e përlotur dhe plotë emocion se: “E  dedikoj këtë bibliotekë me një besim të palëkundshëm në të ardhmen e vendit tonë”, -duke shtuar se,- “ishte një nder të udhëhiqja një vend aq trim dhe aq fisnik siç janë Shtetet e Bashkuara…dhe se, pa marrë parasysh sfidat me të cilat përballet vendi, Amerikën e prêt një e ardhme më e mirë”.

 Ndonëse ky inaugurim u cilësua nga një gazetë amerikane si “një dasmë pa alkool”, ceremonia kryesisht u përqendrua mbi aspektet pozitive të administratës së Xhorxh W Bush prej dy mandatesh dhe jo mbi çështjet kontraversiale siç ishte lufta në Irak.