Frank SHKRELI/Vdekja e ambasadorit të ndërgjegjes, mbështetës i fortë i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

564
Sigal

Më 28 janar ndërroi jetë në Uashington diplomati i njohur amerikan dhe mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Max Kampleman.   Për më shumë se 30-vjet ai punoi për presidentë demokratë dhe republikanë,  duke ia dedikuar jetën dhe karrierën e tij paqes, lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, anë e mbanë botës. Ai punoi për Presidentin demokrat Jimmy Carter, i cili e caktoi atë si përfaqësues të Shteteve të Bashkuara në mbledhjen lindje-perëndim të Madridit, (1981-1983) – e njohur si Konferenca për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë – me qëllim për të detyruar Bashkimin Sovjetik dhe vendet komuniste të Evropës Lindore që të zbatonin marrëveshjen e Helsinkit për respektimin e të drejtave të njeriut të vitit 1975.  Ai vazhdoi në këtë detyrë edhe gjatë administratës së Presidentit republikan Ronald Reagan, i cili më vonë e emëroi atë si kryedelegatin amerikan në bisedimet e Gjenevës, me përfaqësuesit sovjetikë për pakësimin e armëve bërthamore, që sipas Ronald Reaganit,  ”nuk kishte objektiv më të rëndësishëm”, për t’u realizuar gjatë mandatit  të tij të dytë presidencial.    Për këtë detyrë tepër me rëndësi, ai zgjodhi diplomatin Max Kampleman, të cilin gazeta komuniste sovjetike e kohës, Izvestiya e përshkroi  Kampleman-in, ”si mik i kafshëve dhe armik i komunistëve”, duke iu referuar me frazën e parë, detyrës që ai pati për një kohë të shkurtër si kryetar i organizatës, ”Miqtë e Kopshtit Zoologjik në Uashington”,  dhe me të dytën, shërbimit të tij të gjatë si kryenegociator i Shteteve të Bashkuara për zbatimin e të drejtave të njeriut dhe për kontrollimin e armëve bërthamore.

Ndaj vdekjes së ambasadorit  Kempelman, Uashingtoni zyrtar reagoi nëpërmjet zëvendëspresidentit Joe Biden, i cili e lavdëroi atë si një kampion i të drejtave të njeriut dhe si kampion  i pakësimit të numrit  të  armëve bërthamore.    ”Në kulmin e Luftës së Ftohët, ai ishte kampion i negociatave për marrëveshje shumë të rëndësishme mbi zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të pakësimit të armëve bërthamore”, tha zoti Biden nëpërmjet një deklarate që lëshoi Shtëpia e Bardhë  me këtë rast. Në këtë deklaratë thuhet, gjithashtu se, “ambasadori Kempelman, vitet e fundit të jetës së tij,  ia kushtoi avancimit të vizionit që ai ndante me Presidentin Reagan dhe të tjerë – d.m.th vizionit për një botë pa armë bërthamore”.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit  (DASH)  komentoi vdekjen e ambasadorit Kempelman, duke thënë se, ”ambasadori Kempelman , me një elokuencë të pashoqë, avancoi idenë se respekti i të drejtave të njeriut është jetik për bashkëpunimin dhe paqen midis shteteve.”    Në deklaratë e DASH,  thuhet gjithashtu se: ”Lidershipi i ambasadorit Kempelman ishte i pazëvendësueshëm për suksesin e negociatave mbi angazhimet për zbatimin e të drejtave të njeriut si edhe për një botë më stabile gjeostrategjike.  Ai nuk pushoi kurrë së punuari për kontrollimin e kërcënimit që vjen nga armët bërthamore dhe as nuk pushoi kurrë së foluri në mbrojtje të kauzës së lirisë dhe të të drejtave të njeriut.  Për shërbimin e tij ndaj atdheut, paqes dhe lirisë në botë,  ai  mori dekoratat më të larta  civile të këtij vendi nga Presidentët  Ronald Reagan dhe Bill Klinton.

Ambasadori Kempelman,  angazhimin e tij ndaj lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut kudo në botë,  e tregoi edhe gjatë krizës dhe luftës në Kosovë.    Ai së bashku me personalitetet më të dalluara dhe më me influencë  të politikës dhe diplomacisë amerikane të asaj kohe, si Senatori Bob Dole  e Zbigniew Brzezinski,  i bënë thirrje Presidentit Bill Clinton se vetëm udhëheqja e fortë dhe e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara mund të zgjidhë krizën më të madhe të sigurimit sot në Europë, ndërsa forcat e serbe nën komandën e Presidentit  Sllobodan Milosheviç  vrasin e presin popullsinë civile në Kosovë, duke rrezikuar stabilitetin dhe paqen në rajon.    Madje, madje, ambasadori Kempelman me kolegët e tij, i bënin thirrje administratës Klinton se përveç sulmeve ajrore,  NATO duhej të përgatitej të dërgonte forcat këmbësore në Kosovë, duke i shkruar Presidentit Clinton se tani,  ”të gjithë sytë janë kthyer kah Uashingtonit.    Vetëm udhëheqja e fortë e Shteteve  të  Bashkuara mund të  bindë Milosheviçin që të ndalojë spastrimin etnik të shqiptarëve… pasi egërsia që po ushtron ai në Kosovë, rrezikon më shumë se jetën e popullsisë civile dhe stabilitetin rajonal. Rrezikohen interesat e Shteteve të Bashkuara, kredibiliteti i NATO-s, si dhe sukseset e arritura në Bosnje”.  Në një apel tjetër të nënshkruar  nga ambasadori  Kempelman dhe kolegët e tij i thonë  Presidenti Klinton se vetëm bombardimet nuk do të ndalojnë fushatën e Milosheviçit të vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe shpërnguljeve të detyrueshme të shqiptarëve, dhe kërkonin që  në asnjë mënyrë nuk duhej  të  bëhej ndonjë ”kompromis” ,për ta shpërblyer atë për fushatën e tij të terrorit.

Ambasadori Max Kempelman ishte mbështetës i pakompromistë i të drejtave të njeriut, besonte dhe punoi gjithë jetën e tij për një botë pa armë bërthamore.  Si politikan, ai nuk i përket asnjë kategorie dhe do të kishte shumë të vështirë të vepronte në atmosferën e ndasive politike e partiake që  mbizotëron sot në Uashington.  Me një rast, ai pat shkruar se, “asnjë njeri që pranon të vërteten si sovrane, nuk mund të jetë ushtar i një partie ose i një lëvizjeje, sepse si i tillë nuk mund të shkojë përpara me ta,  me të njëjtit hapa”. Mbi të gjitha, ai besonte se respektimi dhe zbatimi i të drejtave të njeriut  dhe liria e plotë e individit, përfshirë edhe lirinë e fjalës, janë faktorë  të domosdoshëm për një paqe dhe siguri të qëndrueshme botërore.