Frank Shkreli*: Vaclav Havel me rastin e 80-vjetorit të lindjes

608
Sigal

Në Republikën Çeke, në disa vende
europiane dhe këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua këtë javë – më 5 tetor –
80-vjetori i lindjes së ish-disidentit dhe ish-presidentit të fundit të
Çekosllovakisë dhe presidentit të parë të Republikës Çeke postkomuniste, Vaclav
Havel. Pas largimit nga detyra e presdientit, Havel ia kushtoi jetën promovimit
të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.

Në Shtetet e Bashkuara u organizuan me
këtë rast ceremoni përkujtimore në New York, në Washington, në Florida dhe në shtete
të tjera me rastin e 80-vjetorit të lindjes së disidentit të famëshëm
antikomunist, i cili ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2011, në moshën
75-vjeçare.

Me
këtë rast, Kryetari i Bashkisë së qytetit të New York-ut, Bill de Blasio
shpalli 28 shtatorin si Ditën e Vaclav Havelit në New York. 28 shtatori është
datë simbolike për popullin çek, pasi është Dita e Shën Vaclavit dhe do të
ishte njëkohsisht edhe dita e emrit të Vaclav Havelit, i cili po të jetonte sot
do të ishte 80-vjeç. Në të vërtetë e gjithë java, nga 28 shtatori deri më 5
tetor, ishte një javë kushtuar me ceremoni të ndryshme kujtimit të këtij
disidenti të njohur antikomunist dhe njërit prej mbështetësve më të mëdhej të
të drejtave të njeriut kudo në botë. Njëra prej ceremonive kushtuar Vaclav
Havelit në New York ishte edhe ajo që u mbajt Universitetin e njohur Columbia,
ku u zbulua busti i dramaturgut çek. Në atë ceremoni mori pjesë edhe Kryetari
Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Jan Hamacek, i cili tha se, “Vaclav
Havel-i është simbol i lirisë dhe i të drejtave të njeriut dhe jo vetëm për ne,
qytetarët e Republikës Çeke.” Ai shtoi se, “Ekziston nevoja për të kujtuar
trashëgiminë e tij, sepse sot bota nuk është hiç e sigurt dhe se liritë dhe të
drejtat e njeriut nuk janë ende aspak të garantuara për të gjithë”. Në këtë
ceremoni morën pjesë dy udhëheqsit më të lartë të Kongresit amerikan, Kryetari
i shumicës republikane Paul Ryan dhe Udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy
Pelosi, si dhe një numër kongresistësh nga të dy partitë kryesore amerikane.

Është
e pamundur që në këtë përvjetor të mos shënoj disa kujtime personale mbi
vizitën parë të Vaclav Havelit në Washington, që në të vërtetë, në një formë
ose një tjetër, mund t’i kem ndarë me lexuesit edhe më përpara, por që ia vlen
të përmenden edhe me këtë rast.

Më kujtohet ajo ditë sikur të ishte dje. Ishte viti 1990 dhe Muri
i Berlinit ishte shembur. Vaclav Havel, udhëheqësi moral dhe disidenti i
shquar antikomunist i Çekosllovakisë, i cili kryesonte qeverinë e parë të lirë që
prej vitit 1948, po vizitonte Uashingtonin, si udhëheqës i ri i atij vendi.
Kishte takime të nivelit të lartë, ndër të tjera, në Shtëpinë e Bardhë dhe
në Kongres. Por, nja një javë para se të fillonte vizitën e tij zyrtare në
Uashington, Shërbimi Sekret i Amerikës, përgjegjës për sigurimin e udhëheqësve
të huaj gjatë qendrimit të tyre në Washington, kishte lajmëruar Zërin e
Amerikës se udhëheqësi i ri i Çekosllovakisë, Vaclav Havel dëshironte të vizitonte
Shërbimin Çekosllovak të Zërit të Amerikës. Ky lajm natyrisht që shkaktoi
një entuziazëm të paparë deri atëherë në radhët e gazetarëve çekosllovakë, por
edhe për ne të tjerëve, pasi më në fund ishte realitet, në mesin tonë ishte
Vaclav Havel – disidenti i famshëm antikomunist, përkrahësi i të drejtave të
njeriut dhe dramaturgu për të cilin kishim folur aq shumë, për të pakën një
çerek shekulli, në programet e Zërit të Amerikës. Komunizmi kishte renë me të vërtetë
— Vaclav Havel ishte në Washington. Për më tepër, po vizitonte Zërin e
Amerikës. Dukej si një ëndërr e pa imagjinueshme. Diçka themelore dhe e
papritur kishte ndryshuar në botë! Pas takimit që kishte zhvilluar Presidentin
Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ku i kishte folur atij mbi rolin e
rëndësishëm të transmetimeve të Zërit të Amerikës në luftën për t’u çliruar nga
kthetrat e komunizmit anë e mbanë Evropës Lindore, Zoti Havel ishte nisur për
në një vizitë personale që kishte kërkuar të bënte tek kryeqendra e Zërit të
Amerikës. Me të ardhur në ndërtesën e VOA-s, Zoti Havel u përshëndet me
drejtorin e përgjithshëm ë asja kohe, Riçard Karlson dhe me zyrtarë të tjerë,
por mezi priste të takohej me stafin çekosllovak, ku pata fatin të isha edhe
unë i pranishëm si këshilltar i programeve drejtuar Evropës Lindore. Haveli na
habiti të gjithëve kur filloi të thërriste emrat e folësve dhe
të gazetarëve çekosllovakë, përfshirë edhe ata që përdornin pseudonime, të
cilët i kishte dëgjuar rregullisht nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës.Megjithëse
nuk njiheshin me njëri tjetërin, takimi i Zotit Havel me stafin Çekosllovak
të Zërit të Amerikës u kthye me të vërtetë në një takim tepër
emocional për të gjithë. Natyrisht, si disident kundër regjimit komunist, regjim
të cilin ai e kishte cilësuar si,“absurdistan”, Havel-i jo vetëm besonte por
ishte ndër mbështetësit më të rreptë të lirisë së fjalës dhe të shtypit ,si
edhe promovues i vendosur i rolit të rëndësishëm që media duhet të luajë në një
shoqëri demokratike.

 

Pasi kishte qenë dëgjues i rregullt i Zërit të Amerikës gjatë luftës së
ftohtë, ai ishte njëri prej përkrahsëve më të zellshëm të
transmetimeve ndërkombëtare, sidomos atyre amerikane. Duke iu drejtuar stafit
të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 1990, Zoti Havel tha, “Ju të Zërit të
Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi ngjarjet anë e mbanë
botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë dhe në këtë mënyrë ju
keni ndihmuar në realizimin e revolucionit antikomunist paqësor, për të
cilin kemi pritur aq shumë kohë.’’

Kujtim nga vizita e parë e Vaclav
Havel-it në kryeqendrën e Zërit të Amerikës, Shkurt, 1990

 

Vdekja e Vaclav Havel-it në vitin 2011 ishte një humbje e madhe për mbarë
botën, pasi bota humbi zërin e ndërgjegjes dhe mbështetësin e fortë të të
drejtave të njeriut, dhe jo vetëm në vendin e tij. Ai fliste kundër shkeljes së
të drejtave të njeriut në Rusi e në Kinë, në Kubë dhe kudo që ato të drejta
abuzoheshin nga diktatorët brutalë dhe udhëheqësit autokratë.

 

Vaclav Havel kishte gjithashtu dijeni të plotë edhe
për vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës
dhe gjatë viteve 90, aktivisht kritikoi politikën serbe të gjenocidit
kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore
të NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtur
qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të
mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel,
në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan
Millosheviçit të Serbisë. 

 

Në këtë 80-vjetor të lindjes së Vaclav Havel-it është me vend të kujtojmë
se kauza e lirisë për të cilën ai luftoi gjithë jetën, më në fund triumfoi. Por
siç tha edhe gjatë ceremonive në New York me rastin e 80-vjetorit të lindjes së
Vaclav Havel-it,
Kryetari Dhomës
së Deputetëve të Republikës Çeke, Jan Hamacek, “Ekziston gjithnjë nevoja për të
kujtuar trashëgiminë e tij, sepse sot bota nuk është hiç e sigurt dhe se liritë
dhe të drejtat e njeriut nuk janë ende aspak të garantuara për të gjithë.” Megjithkëtë,
në këtë 8-vjetor të lindjes së tij, mund të konstatohet se bota në përgjithësi
është sot më e mirë, falë sakrificës dhe kontributit të Vaclav Havel-it në
mbështetje të dinjitetit njerëzor dhe të lirive bazë për çdo individ dhe në çdo
vend. Pa dyshim, se
trashëgimia e tij -për të cilën
foli kryetari i Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke – do të përjetësohet
nga shembulli dhe vendosmëria e tij, që gjithë jetën punoi dhe veproi për të mirën
e përbashkët të njerëzimit dhe që, nepërmjet revolucionit moral, i tregoi njerëzimit
fuqinë e popullit për të ndryshuar botën.” Ai, sipas
ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, gjithashtu me origjinë
çeke dhe mbështetëse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e provoi
gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ka thënë mbi trashëgiminë morale dhe
politike të Vaclav Havel-it se, “Ai me veprimtarinë e tij ka treguar, se një
vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra, kur ka udhëheqësin e duhur me
parime morale”.

 Eh, po ta kishte pasur Shqipëria – si një vend i vogël që është – një
udhëheqës me parimet morale të Vaclav Havel-it?!