Frank SHKRELI*/Ushtrinë time do ta bëj!

597
Sigal

Ishte një kohë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pothuaj pesë vjet më parë, që fjala ”ushtri” as të mos përmendej si pjesë e shtetformimit dhe sigurimit të shtetit më të ri në Evropë. Thuhej se, Kosova nuk ka nevojë për ushtri, sepse ishte organizata e Atlantikut Verior (NATO) ajo që do të kishte përgjegjësinë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë. Por punët po piqen dalëngadalë. Kosova së shpejti do të festojë 5-vjetorin e Pavarësisë së saj. Në arenën diplomatike është njohur nga pothuaj 100 vende të botës, përfshirë edhe shtetet më të rëndësishme të Perëndimit, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Europian, megjithëse kundërshtohet pavarësia e saj nga Serbia fqinje dhe miqtë e saj shekullorë, Rusia, Greqia, Kina e tjerë. Kosova si shtet i ri e i pavarur, synon që të bëhet pjesë jo vetëm e Bashkimit Evropian, por edhe anëtare e organizatës ushtarake perëndimore, NATO. Por, për t’u bërë anëtare e NATO-s, Kosova ka nevojë për ngritjen e një ushtrie profesionale, pasi nuk ka ndonjë vend anëtar të NATO-s pa ushtri.

Kohët e fundit po flitet dhe po shkruhet se viti 2013 do të jetë viti i bërjes së një ushtrie profesionale të Kosovës. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Agim Çeku tha të Mërkurën për Zërin e Amerikës se, krijimi i ushtrisë së rregullt të Kosovës, ”është një proces, i cili tashmë ka filluar me studimin e kapaciteteve që i duhen Kosovës për t’u përballur me kërcënimet dhe rreziqet, duke shtuar se një ndër institucionet që mundëson një jetë normale dhe funksionale të shtetit të Kosovës, është ushtria. Edhe gazeta e ushtrisë amerikane Stars and Strajps (”Stars and Stripes”), në një artikull nga Prishtina, të botuar javën e fundit të dhjetorit që kaloi, i bashkohet zërave të këtij debati duke thënë se Kosova synon krijimin e një force ushtarake, si  dhe të bëhet anëtare e NATO-s.   Siç dihet në Kosovë, NATO ka rreth 5600 ushtarë të NATO-s, ndërkohë që nja 800 prej tyre janë amerikanë. NATO, përveç rolit të saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ka ndihmuar gjithashtu në krijimin dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila konsiderohet si thelbi i një ushtrie të ardhshme për atë vend. Gazeta Stars and Strajps thotë se, megjithëse Ambasada Amerikane në Prishtinë nuk komentoi në lidhje me përpjekjet e Kosovës për krijimin e një ushtrie të rregullt, ajo citon shefin e Zyrës së ambasadës amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Mbrojtjes, Kolonelin Ray Wojçik të ketë thënë se: ”Ne mendojmë se është një rast shumë i mirë për ta, që të shqyrtojnë seriozisht se në ç’drejtim duhet të shkojnë”.  Megjithëse udhëheqësit e Kosovës shpresojnë për anëtarësimin e tyre në NATO, gazeta e ushtrisë amerikane  thotë se nuk është e qartë se si do të reagonin vendet e ndryshme anëtare të NATO-s ndaj ngritjes së ushtrisë së Kosovës, pasi ka kundërshtime madje edhe për statusin që gëzon tani FSK-ja. Por artikulli citon këshilltarin politiko-ushtarak të Ambasadës Amerikane Majkël Kreidler se, kjo është një situatë, “ku ne përpiqemi të zgjerojmë konsensusin dhe ta çojmë atë në një drejtim pozitiv”. Por, shton zyrtari amerikan, “arritja e një konsensusi në Bruksel është shumë e vështirë”.

Dihet se Amerika mbetet përkrahësja kryesore e Kosovës në shumë fushë, përfshirë edhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si edhe forma të tjera ndihmash për nevojat e saj, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë. Gazeta Stars & Strajps citon Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjeneralin Kadri Kastrati, i cili i thotë gazetës së ushtrisë amerikane se: ”Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik dhe i tillë do të mbeten përgjithmonë”. Ai vazhdoi duke thënë se: ”Çdo gjë që jemi duke bërë, e bëjmë në bashkërendim me atasheun ushtarak amerikan në Prishtinë si dhe me kolegët tanë që punojnë në Grupin Këshillues të NATO-s ose në Zyrën e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes”. Sipas gazetës amerikane, roli i ushtrisë amerikane do të jetë kyç në fazën e ardhshme të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës,  pasi parashikohet që në Qershor të këtij viti të ri-shqyrtohet ligji që mbulon veprimtarinë e kësaj force. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish-Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se, në këtë proces të ri-shqyrtimit të rolit të FSK-së dhe të ngritjes së ushtrisë së Kosovës, ai është në konsultime dhe beson se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, duke shtuar për gazetën Stars & Strajps se: ”Unë nuk do të formulojë asnjë rekomandim, i cili nuk bashkërendohet dhe që të mos pranohet nga Shtetet e Bashkuara”.

Sikur donte të qetësonte jo vetëm partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe rajonin, se ngritja e ushtrisë së Kosovës nuk do të përbëjë asnjë rrezik as kërcënim për asnjë vend të rajonit, ministri Çeku tha për “Zërin e Amerikës” të mërkurën, se ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë: ”Një forcë për të mirën e vendit, për të mirën e rajonit dhe jo një forcë që dikush duhet ta ketë frikë ose që paraqet kërcënim për dikë, por do të jetë një forcë që reflekton siguri për të gjithë”.

Ka ardhur koha që Kosova të ketë ushtrinë e vet. Ngritja e ushtrisë së Kosovës do të përmirësojë qëndrueshmërinë e paqes në vend si edhe në rajon dhe si anëtare, eventualisht e NATO-s, Kosova dhe ushtria e saj do të kontribuojnë jo vetëm për paqen në Evropë, por edhe në botë duke marrë pjesë në misione paqeruajtëse të NATO-s në zona me konflikte, anë e mbanë botës.

Një këngë e këngëtares së njohur dhe shumë popullore nga Kosova, Adelina Ismaili, e ka titullin ”Ushtrinë time do ta bëjë”, kushtuar luftës në Kosovë dhe ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Le të jetë ky vit, viti kur profecia e titullit të këngës së Adelinës të bëhet realitet, që Kosova ta bëjë, më në fund, ushtrinë e vet, ashtu që të bëhet anëtare, aty ku e ka vendin e saj, tek organizmat perëndimore ushtarake dhe ekonomike, NATO-s dhe Bashkimit Europian, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë si çdo vend tjetër anëtar i këtyre aleancave.

 *Ish- Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë