Nga Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Thuhet se politika është fusha ku fillon e ku diskursi publik helmohet dhe vdes një herë e mirë. Mënyra se si zhvillohet debati politik dhe jo vetëm politik, por debati publik në përgjithësi në botën shqiptare, lë të kuptosh se jo vetëm që atmosfera e diskursit publik është helmuar, por në të vërtetë, debati publik – në kuptimin e vërtetë të fjalës – ka vdekur. Kjo vdekje e debatit publik që ka filluar me përfaqësuesit e politikës, nuk mbaron tek politika, por ka përfshirë tani mbarë shoqërinë shqiptare, ndërkohë që atmosfera e debatit publik është e helmuar – kur me qëllim për të shtypur kundërshtarin – jo vetëm politikani ngrihet kundër politikanit, por edhe shkrimtari kundër shkrimtarit, gazetari kundër gazetarit, opinionisti kundër opinionistit, avokati kundër avokatit, mjeku kundër mjekut, e ashtu me radhë. Duket sikur shoqëria shqiptare po përjeton një konflikt të përhershëm mbijetese. Madje edhe emrat më të njohur të kulturës dhe letrave të Kombit, janë çuar peshë kundër njëri tjetrit, në vend që të jenë shembull i një debati normal politik e publik në përgjithësi. Një shembull që do ti shërbente zgjidhjes së problemeve më të mëdha dhe të shumta me të cilat përballet Kombi shqiptar. Fatkeqësisht, në të gjithë këtë atmosferë të një debati publik të helmuar, viktima e parë e këtij diskursi të dështuar politik është gjithmonë e VËRTETA.

Shkas për këtë shënim u bë një lajm që lexova të hënën në mëngjes në shtypin shqiptar, sipas të cilit, numri dy i qeverisë së Tiranës, Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe në një status të postuar në internet, e cilësoi kundërshtarin e tij politik dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Fashën si, “idiotin e Tiranës”. Pa dashur të futem në polemikë me njërën ose tjetrën palë, ky karakterizim i Erion Braçes drejtuar Lulzim Bashës, më kujtoi titullin e një libri nga autori amerikan Ames Hoggan: “I’m Right and You’re an Idiot”, (“Unë kam të drejtë e ti je idiot”).

Më kujtoi gjithashtu protestat në Francë të disa muajve të fundit dhe mënyrën me të cilën qeveria dhe shoqëria franceze, në përgjithësi, kanë reaguar ndaj kërkesave të protestuesve. Si përfundim i protestave dhe pakënaqësive të shprehura rrugëve të Parisit, Presidenti Macron kishte ndërmarrë më herët një fushatë për të dëgjuar ankesat e francezëve anë e mbanë vendit, duke u takuar me kryetarët e bashkive dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë, për tu informuar më mire, për hallet e tyre. Si pjesë e kësaj fushate, Presidenti francez kishte në plan të mbante mbrëmë një fjalim drejtuar kombit për të njoftuar një sërë ndryshimesh politike që ka në plan të ndërmarrë qeveria e tij, bazuar në reagimet që kishte dëgjuar gjatë konsultimeve me publikun dhe në kërkesat e protestuesve. Me fjalë të tjera, gjatë një periudhe dy mujore diskursi normal me publikun, janë realizuar rreth 10.000 debate anë e mbanë vendit dhe janë numëruar pothuaj dy milionë reagime në internet, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP, të gjitha këto në lidhje me kërkesat dhe në përpjekje për të pasur një ide më të mirë për shqetësimet dhe për problemet me të cilat përballet Franca.

Nuk është e qartë nëse masat që do njoftoi Presidenti francez, Macron, si përgjigje ndaj kërkesave të protestuesve, do të shuajnë protestat e francezëve, por përpjekjet e tija për të dëgjuar edhe zërat kundërshtarë, tregon mënyrën se si, në një shoqëri normale, duhen trajtuar kërkesat dhe pakënaqësitë e popullit, pas protestave të gjata dhe të vazhdueshme. Agjencia e lajmeve, AFP, njofton se të pakën nga këndvështrimi i pjesëmarrjes, debati politik i nxitur nga qeveria duket se, kryesisht, doli me sukses, ndonëse përfundimi mbetet për tu parë, pasi të Presidenti Macron të ketë njoftuar masat e qeverisë për daljen e vendit nga ky qorrsokak.

Edhe në Shqipëri kanë vazhduar protestat ndaj qeverisë, por në vend që të pakën të ketë një diskurs normal politik, për të dëgjuar shqetësimet e të gjitha palëve, përfshirë edhe opozitën politike, ashtu siç ndodhi në Francë dhe në vende të tjera që përballen me situata të tilla – në Shqipërinë tonë ndodhë e kundërta. Të dy palët, kundërshtojnë dialogun pasi në krye me udhëheqësit e tyre partiakë, janë ngujuar në llogoret e veta politike dhe sulmojnë njëra tjetrën me fjalët më të fëlliqura të fjalorit të gjuhës shqipe. Ndonëse të dy palët janë shqiptare, janë përfaqësues dhe si të tillë edhe përgjegjës për fatin e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm të atyre që përfaqëson partia e tyre — prapë se prapë — sjelljet e tyre lënë të kuptosh se kjo klasë politike, as si shqiptarë dhe as si politikanë, sikur nuk kanë gjë të përbashkët me njëri tjetrin, sidomos kur është fjala për interesat madhore të Kombit dhe të mirëqenies së përditshme të qytetarëve. Në vend që të përpiqen të zgjidhin ose të pakën të minimizojnë konfliktet, politikanët shqiptarë, me veprat dhe sidomos me fjalët e tyre, duket se po e keqësojnë edhe më shumë situatën, në vend që ta përmirësojnë dhe më në fund ta zgjidhin dhe që qytetarët të vazhdojnë jetën normale.

Por le t’i kthehemi librit, “Unë kam të drejtë e ti je idiot”, të autorit Ames Hoggan: Autori përpiqet të kuptojë ,se si dhe pse njerëz normalë që konsiderohen krejtësisht të arsyeshëm, mbrojnë me këmbëngulje qëndrime krejtësisht të pa arsyeshme, duke e kthyer diskursin politik në një debat absolutisht të urrejtshëm ndaj kundërshtarëve politikë. Libri në të vërtetë është një forum mendimtarësh të njohur botërorë, të cilët eksplorojnë historinë dhe psikologjinë e diskursit politik dhe të metodave për tejkalimin e pengesave për një debat dhe komunikimin të vërtetë midis palëve me qëndrime të ndryshme. Si i tillë, ky libër është një vepër që, detyrimisht, duhej të lexohej nga politikanët si dhe nga mbështetësit dhe praktikuesit e një debati të mirëfilltë politikë e kudo.

Autori Hoggan shkruan se, “Objektivi diskursit të mirëfilltë politik e publik është që të inkurajohet pjesëmarrja dhe të zbardhet e vërteta dhe jo dekurajimi i opozitës ose që qëllimisht t’u jepet një goditje shkatërrimtare kundërshtarëve”. Debati i sotëm publik, sipas tij, është një ndotje që në të vërtetë saboton dhe diskrediton diskursin e vërtetë politik, polarizon njerëzit dhe i pengon ata që të mendojnë qartë.

Sulmet kundër karakterit të kundërshtarëve, në vend që të përqendrohen tek çështjet të një interesi dhe rëndësie të përgjithshme, në të vërtetë, largojnë vëmendjen e publikut nga problemet aktuale të vendit, shkruan autori Ames Hoggan. “Kur qëndrimet ekstreme të palëve përcaktojnë çështjet me rëndësi të debatit publik, atëherë problemet duken të pazgjidhshme dhe qytetarët humbasin interesimin e tyre në proceset politike” të vendit, duke mos marrë pjesë aktive në politikë, shkruan Debra Tannen, njëra prej kontribueseve të librit të autorit Ames Hoggan, “Unë kam të Drejtë e ti je idiot”.

Autori merr frymëzim nga murgu dhe aktivisti i paqes, budisti vietnamez Thich Nhat Hanh, i cili ka thënë: “Thuaj të vërtetën, por jo me qëllim për të ndëshkuar”, kundërshtarin. Prandaj, nuk do të thotë se njerëzit që nuk janë dakot me ne, kanë qëllime të këqija ndaj nesh. Si të tillë, ata nuk janë as idiotë as njerëz të këqij, është shprehur autori i librit “Unë kam të drejtë e ti je idiot”, Ames Hoggan.

Në fund, unë do i pyesja këta protagonistët shqiptarë, të cilët ndaj njëri tjetrit përdorin fjalët më të ndyra në fjalorin e gjuhës shqipe, përfshirë idiot – se në mungesë të një diskursi të mirëfilltë politik dhe publik dhe në përgjithësi objektiv, që respekton dhe toleron pikëpamjet e kundërshtarit – si mendojnë të zgjidhin problemet e mëdha dhe gjendjen e vështirë në të cilën e kanë hedhur vendin? Ashtu si edhe në Francë, shpresoj që zërat e arsyes të bëjnë thirrje dhe të angazhohen për një Debat të Madh Kombëtar, për një përpjekje për të dalë nga ky qorrsokak.

Shpresoj që për të dalë nga kjo gjendje e krijuar, të ketë një reflektim të thellë, jo vetëm personal dhe politik por edhe kombëtar nga ana e tyre — dhe të bëjnë një gjë të tillë duke mënjanuar armiqësitë dhe antagonizmat politike dhe partiake ndaj njëri tjetrit, me modesti dhe me respekt ndaj nevojës së madhe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta me të cilat përballen bashkatdhetarët vet, të cilët mund të kenë mendime të ndryshme për situatën në vend – ndoshta edhe prej një kundërshtari politik – por armiq nuk janë!