Frank SHKRELI /Turqia në tym

627
Sigal

Për disa ditë rresht tani, protestuesit në sheshin “Taksim” të Stambollës kanë zhvilluar protesta anti-qeveritare, të cilat filluan si një demonstratë kundër një plani urban ndërtimi në tokën e një parku, por të cilat, eventualisht, morën përmasa kundër qeverisë  dhe politikave të Kryeministrit turk  Recep Tayyip Erdogan Erdogan. Demonstratat nga protestuesit, të cilët Kryeministri turk Erdogan, i cilësoi si ”elementë ekstremistë”, janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në Turqi për një periudhë të gjatë. Policia, ndërkaq, ka ndërmarrë masa të forta kundër protestuesve disa prej, të cilëve kanë marrë guximin, të përballen me forcat e mëdha policore, duke marshuar drejtë zyrave të Kryeministrisë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës  dhe Ministria e Brendshme e Turqisë ka thënë se mbi 1700 veta janë arrestuar, ndërkohë, që sipas saj, shumë prej tyre janë liruar tanimë.   Deri tani, mediat ndërkombëtare njoftojnë se ka pasur shumë të plagosur nga dhuna policore ndaj  protestuesve.

Por mënyra se si u soll qeveria “Erdogan” me protestuesit paqësorë, duket se zemëroi shumë qytetarë turq, të cilët iu bashkuan protestave, pasi u shprehën për median se ata besojnë në një shoqëri shekullore, jo në dogma fetare, ndërsa akuzojnë qeverinë me baza islamiste të Kryeministrit Erdogan, se pas dhjetë vjetësh në pushtet, ai dhe qeveria e tij po bëhen gjithnjë më autoritarë.

Reagimet nga Organizata Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut mbi përdorimin e tepruar të forcës me dhunë  nga autoritetet turke, ishin të shpejta dhe denoncuese, ndërsa aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë edhe Uashingtonin, i bën thirrje qeverisë turke që të tregohet e matur dhe të mbrojë të drejtën dhe lirinë e të shprehurit.   Duke iu përgjigjur  pyetjeje së një  gazetari fund javën që kaloi, në lidhje me autoritarizmin në rritje e sipër të Kryeministrit Erdogan dhe nëse protestat anti-qeveritare në Turqi, mund të jenë shenjë e një përkeqësimi të gjendjes në rajon — zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Xhen Psaki, u përgjigj duke thënë se: “Ne jemi të shqetësuar në lidhje me numrin e njerëzve që u plagosën kur policia shpërndau protestuesit në Parkin Gezi të Stambollës”.  “Ne besojmë”,- tha zëdhënësja e DASH,- “se stabiliteti, sigurimi dhe begatia afatgjatë e Turqisë garantohen më së miri duke mbrojtur liritë bazë të fjalës së lirë, të së drejtës për t’u mbledhur dhe për të protestuar, që siç duket,  ishin këto të drejta që po ushtronin protestuesit.   Mbrojtja dhe zbatimi i këtyre lirive është  jetësor për çdo demokraci të shëndoshë”, komentoi ajo duke dhënë reagimin zyrtar amerikan.

Zëdhënësja e DASH-it u tha gazetarëve se natyrisht ne kemi parë raportet e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, mbi ato që po ndodhin në Turqi.  Organizata Amnesty International në një deklaratë në portalin e saj mbi protestat në Turqi, citon Drejtorin e Amnesty International për Europën, Xhon Dalhuisen, i cili e cilësoi ndërhyrjen e policisë atje si një, “përdorim të shëmtuar i forcës së tepruar policore në Stamboll”,  dhe nënvizon se, “përdorimi i forcës së tepruar  me dhunë në Turqi është rutinë, diçka e zakonshme, normale, por përgjigja e egër ndaj protestave krejtësisht paqësore në sheshin “Taksim”, është me të vërtetë një përgjigje e turpshme”. Ndërhyrja e egër e policisë turke, thotë organizata Amnesty International, “ka ndezur dhe pezmatuar gjendjen nëpër rrugët e Stambollit, ku kanë mbetur të plagosur me dyzina njerëz.” Amnesty International shton se: “Autoritetet turke duhet të marrin masa urgjente për të parandaluar vdekje dhe plagosje të tjera dhe njëkohësisht u bën thirrje atyre të lejojnë protestuesit që të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore për të protestuar dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë publikut”, ndërkohë që, janë plagosur nga 1000 protestues dhe ka pasur të pakën dy të vdekur,  sipas  Organizatës së të Drejtave të Njeriut, Amnesty International. Drejtori i Amnesty Interational për Europën, Xhon Dalhuisen shtoi se: “Është e qartë se përdorimi i forcës nga ana e policisë turke ndaj dhunës që në vetvete ishte tepër e vogël nga ana e protestuesve, nuk u nxit nga dhuna e demonstruesve, por nga dëshira (e autoriteteve) për të ndaluar dhe për të diskurajuar çdo lloj proteste.” Amnesty International thotë gjithashtu se, megjithë keqësimin e krizës, autoritetet turke nuk po tregojnë asnjë shenjë se ata do të ndryshojnë drejtimin politik  ose nëse do të marrin masat e nevojshme për të siguruar sigurinë e demonstruesve dhe të publikut në përgjithësi.  Si rrjedhim, Amnesty International u bën thirrje urgjente aktivistëve të saj anë e mbanë botës që të marrin masa në lidhje me gjendjen e krijuar në Turqi dhe njëkohësisht  i bën thirrje Kryeministrit turk, Erdogan, “që menjëherë t’i japë fund dhunës policore, arrestimeve të dhunshme dhe arrestimeve pa afat”, të protestuesve dhe u bëhet thirrje autoriteteve që të ndërmarrin një “hetim të pavarur dhe efektiv në lidhje me dhunën”, dhe të mbajë përgjegjës ata që kanë kryer  dhunë dhe abuzime ndaj protestuesve paqësorë. Mediat ndërkombëtare njoftojnë nga Stambolla dhe Ankaraja se, protestat anti-qeveritare kanë filluar të përhapen anë e mbanë vendit, si një shenjë e moskënaqësisë së protestuesve ndaj asaj që ata konsiderojnë si një politikë autoritare e qeverisë së Kryeministrit Erdogan,  politikë kjo që, sipas tyre,  kërcënon liritë individuale të qytetarëve, ndërsa  përpiqet  t’i imponojë shoqërisë turke një agjendë politike konservatore me bazë në dogma fetare.  Sipas lajmeve dhe imazheve në televizion, pjesëmarrësit në këto protesta janë kryesisht në moshë të re dhe thuhet se vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë turke, por Kryeministri turk i cilëson ata si një pakicë “plaçkitësish” dhe “ekstremistësh”, të cilët po përpiqen t’i imponojnë shumicës vullnetin e tyre dhe njëherazi ngarkon me faj partitë kryesore të opozitës se janë ato që po manipulojnë protestat për qëllime të veta partiake, si dhe akuzoi grupe të pa emër, “të brendshme dhe të jashtme”, të cilat sipas tij, duan të dëmtojnë Turqinë. Por siç duket,  Presidenti i Turqisë Abdulah Gul, nuk i shikon këto protesta me të njëjtin këndvështrim politik si Kryeministri Erdogan.  Ai u tregua më i kuptueshëm ndaj kërkesave të protestuesve duke thënë se, zhvillimi i protestave paqësore është një e drejtë demokratike dhe shtoi se, “demokracia nuk do të thotë vetëm mbajtja e zgjedhjeve”, por sipas Presidentit Gul demokracia, “duhet të lejojë edhe shprehjen e lirë dhe të natyrshme të pikëpamjeve të ndryshme, në situata të ndryshme dhe me kundërshtime dhe mendime opozitare të lloj -llojshme”. Reagimi i ashpër ndaj protestave paqësore në Turqi nga qeveria e Kryeministrit Erdogan ka shkaktuar shqetësime jo vetëm në radhët zyrtare amerikane, siç vihet në dukje nga komenti i zëdhënëses se DASH, por edhe në median amerikane, e cila ka raportuar gjerë e gjatë mbi protestat dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve turq në Stamboll.  Gazeta “Nju Jork Tajms” në një editorial të saj thotë se: “Z. Erdogan shpesh ka folur në lidhje me angazhimin e tij për të zhvilluar Turqinë si një vend model demokratik dhe si një fuqi politike dhe ekonomike rajonale…, por mos toleranca e tij në rritje e sipër karshi atyre që kundërshtojnë politikat e tija, përpjekjet e tij për të frikësuar median si dhe planet e tija për të ndryshuar kushtetutën, me qëllim për t’i dhënë kompetenca më të mëdha presidencës, detyrë për të cilën ka në plan të kandidojë më 2014-n, me objektivin për të zgjatur periudhën e pushtetit të tij — janë tepër shqetësuese”,  komenton “Nju Jork Tajms” dhe përfundon duke thënë se: “Megjithëse z. Erdogan ka fituar në tri zgjedhje…. revolucionet e pranverës arabe kanë treguar se, sa shpejtë mund të ndryshojnë fatet politike… Në këtë moment të rrezikshëm, z.Erdogan dhe partia e tij duhet të tregojnë angazhimin e tyre serioz në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtës për t’u mbledhur dhe për të protestuar, si dhe të deklarojnë zotimin e tyre për të plotësuar nevojat e popullit turk”, përfundon editoriali i gazetës amerikane “Nju Jork Tajms”, në lidhje me protestat dhe dhunën e përdorur kundër demonstruesve nga policia turke.