23 Gushti shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të stalinizmit, komunizmit dhe nazizmit. Anë e mbanë Evropës, 23 gushti kujtohet si një ditë simbolike kundër ekstremizmit, mos tolerancës dhe shtypjeve – një ditë ndërkombëtare e përcaktuar si e tillë nga Parlamenti Evropian, më 2008/2009, me qëllim që në atë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, “me dinjitet dhe pa dallime”.

Siç dihet, kjo datë është zgjedhur për arsye historike, pasi përkon me datën e nënshkrimit të Paktit të mos-agresionit – të quajtur Molotov-Ribbentrop, i vitit 1939 – midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, marrëveshje kjo e cila përmbante edhe një protokoll për ndarjen, në sfera influence midis; Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë, e disa vendeve evropiane, Rumanisë, Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Finlandës. Ky traktat famëkeq midis dy ideologjive komuniste dhe naziste të shekullit të kaluar, është cilësuar nga ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek si “bashkëpunimi midis dy formave më të këqija të totalitarizmit, që ka njohur historia e njerëzimit.”

Dita Evropiane për Kujtimin e Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur gjithashtu në disa vende edhe si “Dita e Shiritit të zi”, shënohet nga të gjitha entet e Bashkimit Evropian anë e mbanë Evropës, përfshirë vendet ish-komuniste, me përjashtim të Shqipërisë. Këtë ditë e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin, as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Më 21 maj të 2014-s, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën në mbështetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste, “Për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. Vitet e fundit, është bërë zakon që në këtë ditë, Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë të veçantë në kujtim të Ditës Ndërkombëtare, kushtuar viktimave të komunizmit dhe nazizmit.

Shënimi Ditës së Kujtesës ka për qëllim që, brez pas brezi, të ruhet kujtimi i miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit, si rrjedhim i deportimeve në masë, vrasjeve dhe zhdukjeve pa shenjë, viktimave të kampeve të punës dhe kampeve përqendrimit të këtyre regjimeve – ndërkohë që të njëjtën ditë të promovohen gjithashtu edhe vlerat demokratike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në kontinentin evropian por edhe në vendet individuale të kontinentit të vjetër.

Fatkeqësisht, Shqipëria jonë, zyrtarisht, nuk e ka gjetur ende vullnetin politik, forcën morale as dinjitetin kombëtar për tu bërë pjesë e Evropës, në këtë ditë të kujtimit të viktimave të komunizmit – dhe për të treguar dinjitetin e saj përballë totalitarizmit në përgjithësi, megjithëse politikanët e të gjitha ngjyrave dhe të partive kryesore politike shqiptare të këtyre 30-viteve post-komunizëm – bërtasin me të madhe, në përpjekje për të na bindur se ata i ndajnë vlerat me botën perëndimore. Por siç duket Shqipëria zyrtare, në këtë ditë, nuk dëshiron të jetë pjesë e Evropës – pasi nuk ka asgjë të bëjë me pjesën tjetër të Evropës, e cila çdo vit, me 23 gusht kujton dhe nderon viktimat e komunizmit dhe të nazizmit – ata burra dhe ato gra të guximshme, të cilat me qëndrimet e tyre mbrojtën vlerat e përbashkëta njerëzimit, në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit të tyre njerëzor.

Por, fatbardhësisht, dita e 23 gushtit nuk do të kalojë krejtësisht në heshtje as në Shqipëri, falë punës së palodhshme të Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Ashtu si në të kaluarën edhe sivjet, do të vazhdojë bojkotimi i kësaj dite nga autoritetet dhe entet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar. Por, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH), njofton në faqen e saj të internetit se ky ent – i cili në mendimin tim po bën një punë të mrekullueshme me gjithë kufizimet politike dhe financiare që i imponon legjislacioni shqiptar – njofton se në kuadër të 23 gushtit, Ditës Evropiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në disa qytete shqiptare po zhvillohen aktivitete përkujtimore të organizuara nga AIDSSH, në bashkëpunim me institucionet partnere, pushtetin lokal dhe komunitetin e të përndjekurve. Njoftohet se ceremoni përkujtimore do të zhvillohen në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, Belsh, Tepelenë dhe Tiranë, duke dokumentuar historinë individuale dhe familjare të të internuarve në Tepelenë e po ashtu, vijimësinë e dënimeve shumëvjeçare në kampe apo vende të punës në Lushnjë e Belsh, thuhet në njoftimin e AIDSSH.

2019 shënon 80-vjetorin e Paktit famëkeq Hitler-Stalin, nënshkruar më 23 gusht, 1939 — një aleancë tiranike kjo që shkaktoi Luftën e dytë Botërore si dhe vuajtjet dhe vdekjen e miliona njerëzve, anë e mbanë Evropës dhe botës. Ishte ky një pakt djallëzor midis dy diktaturave më të egra në histori, të cilat, si pjesë të ideologjisë së tyre – siç provoi edhe historia e shekullit të kaluar – komunizmi dhe nazizmi kishin një kauzë të përbashkët krimesh kundër njerëzimit, duke ushtruar një terror të paparë mbi njerëzimin si dhe shkatërrimin e shumë kombeve, anë e mbanë botës.

Por qëllimi përfundimtar pan-evropian për shënimin e kësaj dite të Kujtesës një herë në vit, është që këto krime të mos qiten në harresë, ashtu që të mos përsëriten më në historinë e njerëzimit. Në deklaratën e Parlamentit Evropian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, thuhet se, “në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit.”

Edhe Shqipëria duhet domosdoshmërish të shënojë këtë ditë zyrtarisht, me akt të Kuvendit të Shqipërisë. Jo vetëm për të nderuar dhe kujtuar viktimat e totalitarizmit, por edhe për të nderuar të mbijetuarit e komunizmit, ish-të përndjekurit e sotëm të atij të regjimi, të cilët me frymë i shpëtuan atij sistemi, por që edhe 30 vjet pas shembjes së komunizmit, vazhdojnë të vuajnë pasojat e asaj tiranie, shpirtërisht, psikologjiisht dhe materialisht. Një përkujtim i tillë i viktimave të komunizmit është i nevojshëm gjithashtu për të treguar se vërtetë shqiptarët duan të ndajnë me të tjerët popuj vlerat e tyre në mbrojtje të jetës dhe të drejtave universale të njeriut, duke shënuar këtë ditë me pjesën tjetër të Evropës dhe botës.

Fatkeqësisht, shenjat nuk janë inkurajuese se Shqipëria ka në mend ti bashkohet Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për të kujtuar viktimat e totalitarizmit duke i kushtuar atyre një ditë në kalendarin e saj. Klasa politike shqiptare, fatkeqësisht, refuzon të shkëputet krejtësisht dhe as nuk është përballur me të kaluarën e saj totalitare dhe komuniste. Përkundrazi, ajo po përpiqet me fjalë dhe me vepra të ruaj e të mbrojë atë të trashëgimi të hidhur kriminale për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur, i cili vazhdon të vuaj gjithnjë pasojat e atij regjimi. Fati i keq për shqiptarët është se duket se kjo klasë politike, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit – me fjalë dhe me veprat e saj pa bujë të madhe – është përcaktuar se cilën rrugë do të ndjekë. Por gjithsesi, po e mbyll këtë shkrim modest me pyetjen që kam shpesh në të kaluarën post-komuniste në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare: Cilën rrugë do të ndjekë Kombi shqiptar sot dhe në të ardhmen? Rrugën e vlerave dhe të drejtave bazë universale të njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore apo rrugën e një regjimi autoritar, përcaktuar gjysmë shekulli më parë nga një ish-diktatori, pasojat e rënda të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit?

Ka ardhur koha që të tregoni dinjitet kombëtar përballë totalitarizmit!

 

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë