Frank SHKRELI / Trashëgimia e Gjergj Kastriotit – Skënderbe del edhe njëherë të mbledhë kuvendin

70

Me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë

Të  mërkurën më 28 Nëntor i mbarë kombi shqiptar feston me krenari 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me atdhetarë të tjerë ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skënderbe – Fatosit të Kombit – duke bërë kështu realitet ëndrrën e të parëve, megjithëse fati i zi dhe armiqtë e kombit bënë që liria dhe pavarësia e shpallur në Vlorë të mos përfshinte të gjithë kombin. Është pra, Flamuri i Gjergj Kastriotit, Flamuri i lirisë, i nderit, i burrërisë dhe i besës, i asaj Besëlidhjeje që shënon historia në Lezhën e Gjergj Kastriotit dhe në Lidhjen e Prizrenit. Me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë me 25 Prill 1968, duke u folur shqiptarëve që ishin mbledhur atje për të festuar këtë përvjetor në Vatikan, por drejtuar gjithashtu edhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre, Papa Pali i VI tha:  ”Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i Gjithmonshmi i fisit tuaj,  i cili gjithherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit, e të burrërisë.   Fatosi Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive.  Ai ua ka lënë trashëgim, bashkë me miqësinë e miqve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, pasi e konsideron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shenjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI. Gjergj Kastrioti  ishte i madh sepse për një çerek shekulli udhëhoqi luftën duke korrur fitore pas fitoreje kundër osmanlinjve turq, fuqisë më të madhe ushtarake që njihte atëherë bota.  Me të drejtë, armët e Skënderbeut po ekspozohen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit, për t’u kujtuar vizitorëve aktet heroike dhe luftën e tij për liri e pavarësi të fisit ilir.   Por ai ishte dhe mbetet  më i madh për nga aftësitë e tij udhëheqëse si dhe për nga karakteri dhe morali i tij, cilësi këto që i njiheshin nga më të mëdhenjtë e asaj kohe.   Kur botës shqiptare i mungojnë heronjtë e vërtetë, Skënderbeu është heroi i të gjitha stinëve dhe i të gjitha kohërave. Kombi shqiptar në këtë 100-vjetor ka nevojë për heronj kombëtar si Gjergj Kastrioti, por në mungesë të tij, atëherë ajo që mund të bëhet është, që kombi në përgjithësi, duke përfshirë klasën politike në veçanti, por dhe çdo shqiptar kudo qoftë, secili sipas mundësisë, përgjegjësisë dhe vendit që zë në shoqëri – të gjithë si pasardhës të Illyrisë së vjetër – të betohen në këtë 100-vjetor se mbi të gjitha do të punojnë për një Arbëri të lirë, për një bashkim etnik dhe për një angazhim historik për të zgjuar njëherë e mirë  cilësitë dhe virtytet e lashta mijëvjeçare të racës ilire.  Ky përvjetor është gjithashtu një rast për të forcuar konceptin e idesë  të interesave kombëtare – dhe jo atyre personale — duke marrë si shembull  trashëgiminë e Gjergj Kastriotit -Skënderbe, i cili si asnjë udhëheqës tjetër në historinë e kombit shqiptar, mundi të bashkonte të gjithë princat e asaj kohe nën një udhëheqje të vetme, duke forcuar kështu unitetin kombëtar moral e shpirtëror, por edhe atë gjeografik, duke i bërë ashtu të gjithë krenarë dhe të denjë të jenë pjesë e një trungu të përbashkët.  Ai adhurohej nga shqiptarët e çdo krahine, të çdo klase shoqërore dhe çdo besimi.  Skënderbeu i mblodhi të gjithë nën hijen e Flamurit Kombëtar.  Ishte kjo fuqi morale dhe kombëtare që i dha Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të tij pothuaj fuqi mbi-natyrore për të përballuar dhe për të fituar kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës së tij. Ngritja e Flamurit në Vlorë 100-vjet më parë dhe energjia ringjallëse që po tregohet anë e mbanë trojeve shqiptare në festimet e këtij 100 vjetori sot, më bindin se gjaku shqiptar ka ende fuqi përtëritëse në shpirtin e vet dhe se edhe i Madhi  Zot nuk e ka harruar kombin shqiptar.  Lufta dhe fitoret e Skënderbeut kundër osmanlinjve kanë lënë, ndër shqiptarë, një trashëgimi lirie dhe shprese për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, ashtu siç do ta dëshironte vet Gjergj Kastrioti.   Në krahasim me sfidat me të cilat përballej  kombi në kohën e Skënderbeut, a janë më të mëdha sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar? Shpresoj që kjo brezni e 100-vjetorit të Pavarësisë kombëtare të mos jetë një brezni e nëmur, e papërcaktuar për qëllimet dhe interesat madhore të kombit shqiptar, por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar,  bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeu:  ”Pra, ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithnjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.” Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë kombëtare, të falemi  dhe të falënderojmë për trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare përfshirë edhe  karakteristikat më të çmueshme të trungut tonë arbëror: nder, besë e burrëri — Ty Gjergj Kastrioti -Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlinjve, Mbret i Epirit.