Frank SHKRELI/ Të mos i mbyllet fryma shtypit!

513
Sigal

 Kjo javë është mbushur me aktivitete kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit, që do të kulmojnë me Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit më 3 Maj 2014. Aktivitetet filluan në Uashington të organizuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Kombet e Bashkuara në  Nju Jork dhe UNESCO që do të mbajnë një konferencë ndërkombëtare dy ditore, më 5 dhe 6 Maj, në Paris. Ndërkohë, aktivitetet në mbrojtje të lirisë së shtypit gjatë kësaj jave, përfshijnë edhe mbledhjen këtë javë në kryeqytetin Tallin të Estonisë mbi lirinë e internetit, të organizuar nga qeveria estoneze.

Dita Ndërkombëtare kushtuar Lirisë së Shtypit është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe është caktuar të shënohet çdo vit më 3 Maj. Kjo është një ditë, kur në të gjithë botën festohet zbatimi i parimeve themelore të lirisë së shtypit, rëndësia e medias në një shoqëri të lirë dhe integriteti i vet gazetarisë, në zhvillimin e një shoqërie demokratike. Njëkohësisht, është një rast për të vlerësuar dhe për të komentuar mbi gjendjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, dhe është një ditë e caktuar kur liria e medias mbrohet nga sulmet ndaj pavarësisë së saj, ndërkohë që kujtohen dhe nderohen gazetarët, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Tema e aktiviteteve të këtij viti është: Liria e medias për një të ardhme më të mirë. Liria e fjalës dhe rrjedhimisht liria e shtypit dhe medias në përgjithësi, është një e drejtë themelore e njeriut, siç përcaktohet qartë në artikullin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Zbatimi i këtyre parimeve bazë të lirisë së shtypit nga shtetet dhe qeveritë, të cilat kanë nënshkruar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ka nevojë gjithashtu, edhe për gazetarë profesionistë, të cilët e kryejnë punën e tyre duke u bazuar në standardet më të larta etike dhe profesionale të gazetarisë, duke botuar ose duke transmetuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje, informacione të sakta, të paanshme dhe objektive, duke paraqitur kështu edhe opinione të ndryshme për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria.  Media, me të vërtetë e lirë dhe e pavarur, do të duhej të shërbente si një pasqyrë, jo vetëm për vet shoqërinë, por për më tepër edhe për udhëheqësit politikë, të cilët mund të kenë humbur lidhjet dhe komunikimin normal me njëri-tjetrin, si dhe kontaktet me shoqërinë, interesat e të cilës ata janë zgjedhur t’i mbrojnë dhe t’i përfaqësojnë.

Këtu në Amerikë, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit shënohet çdo vit, madje, edhe nga nivelet më të larta të qeverisë. Edhe sivjet, sipas një njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) Shtetet e Bashkuara filluan aktivitetet e tyre me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të premten më 25 Korrik, në Misionin e Amerikës pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në mbrojtje të gazetarëve, ose mediave që censurohen, sulmohen, kërcënohen ose veprimtaria e të cilëve shtypet. Me aktivitetet e tyre, përfaqësuesit amerikanë, përpiqen gjithashtu, që të tërheqin vëmendjen e botës ndaj fatit të gazetarëve dhe për t’u bërë thirrje qeverive që shtypin lirinë e gazetarëve, që të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtën universale të lirisë së fjalës, bazuar në angazhimet që ata kanë marrë me nënshkrimin e konventave ndërkombëtare. Në kuadër të aktiviteteve në mbrojtje të lirisë së shtypit që do të kulmojnë me 3 Maj, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, Samantha Pouers, e cila ishte vet gazetare, dhe si e tillë kishte mbuluar luftën në Bosnje, para se të emërohej krye-diplomatja e Shteteve të Bashkuara në OKB, të premten mbajti një fjalim në ”Overseas Press Club” ku tha se, “Gazetaria e mirë dhe e dobishme, e bazuar në punë të rëndë dhe në standarde të larta etike të gazetarisë, shërben si një sitë, ose filtër, që na nevojitet të dallojmë gënjeshtrat nga realiteti”. Ajo tha se, qeveritë që shtypin ose që përpiqen të pengojnë lirinë e medias, janë ato qeveri ose regjime që, “nuk kanë besim në legjitimitetin e tyre, ose të cilave në sytë e popullit u mungon kredibiliteti në politikat e tyre”. Andaj, për të ndaluar kritikat ndaj politikave të tyre, regjime të tilla, tha ajo, barazojnë kundërshtimet ose kritikat legjitime ndaj politikave të pushtetarëve me tradhti ndaj vendit, dhe si përfundim përpiqen të kontrollojnë, të korruptojnë dhe të frikësojnë shtypin dhe gazetarët me lloj-lloj masash që qeveria ka në dispozicion. Ambasadorja amerikane theksoi gjithashtu se disa qeveri bëjnë ç’mos që të manipulojnë shtypin, duke paguar ose duke kufizuar botimin e gazetave, ose duke manipuluar me lejet e transmetimit dhe të botimit, duke ua dhënë ato një numri të preferuar miqsh dhe përkrahësish të tyre. Ajo përmendi rastin e Turqisë, e cila sipas ambasadores amerikane, “megjithëse mban zgjedhje të lira, lajmi i kohëve të fundit për përpjekjet e qeverisë turke për të kufizuar veprimtarinë e internetit dhe vendimi i asaj për të ndaluar ”Tvvitter”, u përhap anë e mbanë botës. Por ajo shtoi se, më pak është i njohur fakti se, sipas Organizatës për Mbrojtjen e Gazetarëve, vitin e kaluar,  Turqia ishte në vendin e parë me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur në botë”. Edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kohët e fundit ka marrë masa të jashtëzakonshme për të shtypur lirinë e fjalës në vendin e tij, ndër të tjera, duke ndaluar transmetimet perëndimore dhe duke u përpjekur të bllokojë edhe internetin. Nga ana e saj, Ambasadorja amerikane pranë OKB-së, Samantha Pouers ritheksoi përkrahjen e administratës së Presidentit Obama ndaj lirisë së shtypit si një pjesë përbërëse dhe e vazhdueshme e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se, “Çdo ditë, diplomatët tanë demonstrojnë mbështetjen e tyre për të drejtën që njerëzit kudo, duhet të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, të jenë të lirë të botojnë dhe të transmetojnë pa frikë, se do të ndëshkohen si përfundim i veprimtarisë së tyre gazetareske”.

Përfaqësuesja amerikane tha para “Overseas Press Club” në Nju Jork se, “Çdo demokraci, përfshirë edhe demokracinë tonë, përballet me sfida, por ndryshimi është se demokracia posedon brenda sistemit të saj mjetet për t’u përballur me zgjidhjen e problemeve nëpërmjet alternativash të ndryshme, (përfshirë shtypin e lirë e të pavarur)….ndërsa autokratët mund të ofrojnë vetëm ruajtjen e Status Quo-së, të interesave dhe privilegjeve të tyre, si dhe të miqve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë”. Ajo tha se, ne besojmë që herët ose vonë, gënjeshtrat e diktatorëve do të zbulohen nga gazetarët, të cilët nuk duhet të pushojnë së kërkuari të vërtetën.  Ambasadorja Samantha Pouers përfundoi fjalimin e saj kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit në botë, duke cituar Uinston Çurçillin, i cili ka thënë se, “Shtypi i lirë është roja vigjilente e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut, të drejta të cilat çmohen dhe respektohen nga njerëzimi”. Liria e shtypit, sipas Çurçillit, “është armikja më e rrezikshme e tiranisë”.

Rëndësia e lirisë së shtypit është sot aq e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishme, se sa ka qenë ndonjëherë më parë. Shumë qeveri anë e mbanë botës, ndonëse shtihen si mbrojtëse të lirisë së medias, vazhdojnë të shtypin ose të pengojnë lirinë e fjalës dhe të abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe të gazetarëve duke përdorur lloj-lloj taktikash, përfshirë tatimet. Nuk jam në dijeni të ndonjë aktiviteti, zyrtar ose jo-zyrtar, në Shqipëri ose në Kosovë për të shënuar këtë ditë, por në kontekstin shqiptar, dje lexova një kryeartikull të gazetës “Telegraf” të Tiranës, në të cilin thuhej se, ditët e fundit, qeveria shqiptare paska marrë një vendim, të bërë publike nga ministri i Financave, nëpërmjet të cilit u bën publike rregullat e tatimit mbi vlerën e shtuar apo si njihet shkurt me termin, tvsh, që prek rëndë median. Autori e akuzon vendimin e qeverisë si një masë që “kërkon të falimentojë mediat, që po nxjerrin çdo ditë lakuriqësinë dhe babëzinë tuaj”.  Dashtë Zoti që kjo të mos jetë një masë presioni apo frikësimi nga ana e qeverisë ndaj lirisë së medias në Shqipëri dhe ndaj botuesve dhe gazetarëve që mundohen nën rrethana edhe ashtu shumë të vështira sado pak të ruajnë parimet e gazetarisë së lirë e të pavarur, pa i komprometuar ato? Vallë, mos është kjo një masë e tërthortë, por e qëllimshme për t’i bërë presion medias dhe lirisë së veprimit të saj, duke e bërë punën e gazetave edhe më të vështirë se ç’është tani? A nuk mund të ishte ky një vendim pak më i favorshëm për median? Andaj, përballë këtij vendimi të ministrit shqiptar të Financave, të njoftuar para disa ditësh, a mund të thuhet në këtë përvjetor të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, që po shënohet në më shumë se 100-vende të botës, se qeveria shqiptare është me të vërtetë dhe sinqerisht e vendosur, që në përputhje me konventat ndërkombëtare, po mbështet fjalën e lirë dhe lirinë shtypit, si në parim, ashtu edhe në praktikë?