Frank SHKRELI/ Të drejtat e njeriut dhe politika e jashtme

625
Sigal

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë për një kohë të gjatë e kanë konsideruar mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë si një pjesë të pandarë të politikës së tyre të jashtme.  Sidomos, Shtetet e Bashkuara e kanë promovuar mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut kudo në botë, si një pjesë thelbësore të politikës së jashtme amerikane, në përputhje jo vetëm me Kushtetutën e Amerikës, por edhe me Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.   Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur qëndrimin se, mbështetja ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut kudo në botë, “ndihmon në sigurimin e paqes, ndalon agresionin, promovon zbatimin e ligjit, lufton krimin dhe korrupsionin, forcon demokracitë dhe parandalon krizat humanitare.” Si e tillë, mbrojta e të drejtave të njeriut kudo, është konsideruar gjatë dekadave të kaluara si një politikë me rëndësi e interesit kombëtar për Shtetet e Bashkuara. Por ishte Presidenti Xhimi Karter ai, i cili në vitin 1976 e ritheksoi këtë angazhim të Amerikës në mbrojtje të të drejtave të njeriut duke e bërë këtë pjesë të  pandarë të politikës së jashtme të administratës së tij.  Ish-Presidenti Karter besonte se, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara duhej të pasqyronte, mbi të gjitha, parimet më të larta morale të kombit amerikan.  Duke njoftuar angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës e sidomos në ish-vendet komuniste, Presidenti Karter kritikoi politikën amerikane të ndjekur deri atëherë, duke thënë se: “Për shumë vite kemi qenë të gatshëm të pranojmë parimet dhe taktikat e gabuara  të kundërshtarëve tanë, nganjëherë, edhe duke hequr dorë nga parimet tona në favor të parimeve të tyre”, në kundërshtim të dukshëm me parimet tona në mbështetje të të drejtave të njeriut.  Presidenti Karter e pati përcaktuar qartë politikën e jashtme që do të ndiqte administrata e tij në marrëdhëniet amerikane si me aleatët ashtu edhe me kundërshtarët. “Politika jonë bazohet në një vizion historik të rolit të Amerikës në botë. Politika jonë rrjedhë nga një pikëpamje më e gjerë e ndryshimeve në botë.  Politika jonë i ka rrënjët në vlerat tona morale, të cilat nuk ndryshojnë kurrë. Kjo politikë mbështetet nga pasuria materiale dhe në fuqinë ushtarake. Kjo politikë ka për qëllim t’i shërbejë botës”, ka deklaruar ish -Presidenti Karter.

Politika e re e Presidentit Karter në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë anë e mbanë botës, çoi në vendimin që mori Kongresi Amerikan më 1976, për t’i kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit  “një raport të plotë vjetor “, që tani njihet si “Raporti mbi të Drejtat e Njeriut në Botë” e që botohet çdo vit dhe i cili pasqyron gjendjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës.

Në mbështetje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Shtetet e Bashkuara historikisht kanë bashkërenduar politikën dhe veprimtaritë e tyre në këtë fushë, me aleatët e tyre me rëndësi, përfshirë Bashkimin Europian dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Mirëpo, Freedom House, një organizatë e pavarur që monitoron gjendjen e lirisë dhe të të drejtave të njeriut në botë dhe e cila mbështetë ndryshimet demokratike kudo – në një raport të ri të botuar javën që kaloi- kritikon Shtetet e Bashkuara, Europën dhe vende të tjera se nuk po bëjnë sa duhet dhe sa munden në mbështetje të demokracisë anë e mbanë botës.  Sipas raportit të javës që shkoi të Freedom House, “Demokracitë kryesore të botës nuk kanë dhënë prova se po i përgjigjen seriozisht rritjes dhe shtrirjes së autoritarizmit në rajonet e tyre”.  Sipas një njoftimi për median nga Freedom House, në raport thuhet se, “Shtetet e Bashkuara, Europa dhe demokracitë e reja shpeshherë dështojnë që të ballafaqohen me rastet e shumta të shtypjeve politike në rajonet e tyre të influencës. Mos vullneti për t’u përballur me shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, me raste të  shtypjes së shoqërisë civile, me kufizimet dhe pengesat ndaj lirisë së medias dhe masa të tjera anti-demokratike – po vihet re në një periudhë ndërsa janë duke u shtuar sfidat ndaj institucioneve demokratike nga fuqitë autoritare në zonën e Euro-Azisë, në Lindjen e Mesme, në Kinë dhe gjetiu”, thuhet në raportin e Freedom House.

Në raportin e titulluar,“Në Mbështetje të Demokracisë në Botë: Një vlerësim i fuqive kryesore”, thuhet se ndër 10 vendet më me rëndësi në botë, përfshirë Bashkimin Europian, nuk tregojnë asnjë kujdes ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut në rajonet e tyre dhe nuk kundërshtojnë autoritarizmin në rritje. Ndër vendet kryesore demokratike të botës, sipas raportit, vetëm Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një ndihmesë modeste në mbështetje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.

“Vetëm disa vende kryesore demokratike, në mënyrë të vazhdueshme, mbajnë një qëndrim të prerë në mbrojtje të vlerave të veta në vendet përtej kufijve të  tyre”, pohoi drejtoresha e raportit në fjalë, Sarah Repuçi. Ajo u bëri thirrje vendeve kryesore demokratike që të tregohen më të angazhuara  dhe më të kujdesshme në mbështetje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, “Në një kohë që diktaturat dhe diktatorët po shtojnë influencat e tyre anë e mbanë botës”, theksoi ajo duke shtuar se, “demokracitë e mëdha duhet të tregojnë një interesim më të madh ndaj vendeve ku demokracia dhe mbështetësit e saj kërcënohen më së shumti.  Kjo vlen veçanërisht, kur aktet shtypëse dhe shkeljet flagrante ndaj të drejtave të njeriut janë në rritje e sipër, sidomos në vendet fqinje të një vendi demokratik”.  Në lidhje me Kinën, drejtorja e raportit të Freedom House, u bëri thirrje vendeve demokratike që të punojnë së bashku për t’ju përgjigjur shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe nismave anti-demokratike të udhëheqjes komuniste kineze dhe të mos shikojnë vetëm interesat e menjëhershme ekonomike dhe strategjike të tyre, në kurriz të të drejtave të njeriut të popullit kinez. Raporti vjen në përfundim se ndonëse pothuaj të gjitha vendet për të cilat bëhet fjalë në raport japin ndihma të mëdha për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në vende të ndryshme, ato në përgjithësi pas zgjedhjeve sipas raportit, dështojnë të mbështesin dhe të promovojnë demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut nëpërmjet politikës së tyre tregtare dhe ekonomike.

Këtë muaj, gjermanët dhe bota festuan 25-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, simbolit të shkeljes dhe të abuzimit me të drejtat e njeriut nga komunizmi ndërkombëtar që kishte skllavëruar gjysmën e Europës për pothuaj një çerek shekulli. Gjatë një ceremonie në përkujtim të këtij përvjetori, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi me këtë rast se shembja e Murit të Berlinit u jep shpresë edhe rajoneve të tjera të botës ku, “liria dhe të drejtat e njeriut vazhdojnë të kërcënohen dhe të shkelen”, tha ajo.  Të hënën, në një fjalim që mbajti në Australi, kancelarja gjermane paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të prishë stabilitetin dhe sigurinë në zona të gjëra të Europës Lindore, në qoftë se Moska nuk sfidohet në Ukrainë. Kancelarja gjermane tha se, aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe destabilizimi i Ukrainës tani, “venë në pikëpyetje të gjithë rendin e tanishëm paqësor në Europë.” Ajo paralajmëroi në fjalimin e saj në Australi, ku mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të G20, se, “nuk kemi të bëjmë vetëm me Ukrainën. Por kemi të bëjmë me Moldavinë, me Gjeorgjinë dhe në qoftë se vazhdon ky trend, atëherë ne duhet të pyesim për Serbinë dhe pastaj do të detyrohemi të bëjmë pyetje se ç’bëhet me vendet e Ballkanit Perëndimor”, shtoi udhëheqësja gjermane. Shqetësimi i kancelares gjermane duhet të merret seriozisht dhe paralajmërimi i saj duhet të shërbejë si një kambanë që duhet të dëgjohet si një paralajmërim për veprim të përbashkët nga të gjitha vendet demokratike të botës, para se të jetë vonë. Dhe në përputhje me raportin e Freedom House, botuar javën që kaloi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Europë dhe anë e mbanë botës, nevojit një bashkërendim më të madh midis vendeve kryesore demokratike për të kundërshtuar autoritarizmin në rritje e sipër dhe për t’u përballur me sfidat kërcënuese ndaj lirisë dhe demokracisë, madje, edhe 25 vjet pas shembjes së komunizmit në Europë.

Frank Shkreli

SOM

 “Politika jonë bazohet në një vizion historik të rolit të Amerikës në botë. Politika jonë rrjedhë nga një pikëpamje më e gjerë e ndryshimeve në botë.  Politika jonë i ka rrënjët në vlerat tona morale, të cilat nuk ndryshojnë kurrë. Kjo politikë mbështetet nga pasuria materiale dhe në fuqinë ushtarake. Kjo politikë ka për qëllim t’i shërbejë botës”, ka thënë Xhimi Karter