Frank Shkreli/ Suzanna Shkreli nis fushatën për në Kongresin Amerikan

682
Më në fund është zyrtare! Ndihmës-prokurorja shqiptaro-amerikane në shtetin Miçigan (SHBA), 29-vjeçarja Suzanna Shkreli është kandidatja e re e Partisë Demokrate në rajonin elektoral ose në distriktin numër 8 të Kongresit Amerikan. Ajo zëvendëson kandidaten e parë të Partisë Demokrate, Melissa Gilbert, e cila njoftoi kohët e fundit se për arsye shëndetësore u tërhoq nga gara për në Kongresin Amerikan. (Për arsye etike, më duhet të rrëfej që nga fillimi se Suzanna është vajza e një kushëririt tim, jo të largët, me të cilin jemi rritur në katundin Amull, afër Ulqinit). 


Sigal

Suzanna
Shkreli, kandidatja e Partisë Demokratike (SHBA) për zonën numër 8 të Kongresit
Amerikan të shtetit Miçigan.

 Ndihmës-prokurorja shqiptaro-amerikane dhe kandidatja e Partisë Demokrate, në garën e saj për të përfaqësuar votuesit në distriktin numër 8 do të përballet me kandidatin e Partisë Republikane, kongresistin Mike Bishop. Nuk do të jetë e lehtë gara politike për Suzana Shkrelin, sidomos kur të merret parasysh fakti se kjo është fushata politike e parë e saj, për një detyrë të lartë, në një proces mjaft të ndërlikuar, ndërkohë që do të zhvillojë një garë ndaj një kundërshtari republikan me përvojë politike. Duke shpjeguar arsyen se pse ka vendosur t’i përgjigjej ftesës së Partisë Demokrate për të kandiduar për në Kongresin Amerikan, Suzana Shkreli thotë në faqen zyrtare të fushatës së saj se: “Si prokurore, unë përballem çdo ditë me sfida serioze dhe në Gjykatë jam dëshmitare e dështimeve dhe mos aftësisë së Kongresit për t’u marrë me nevojat bazë të familjeve amerikane, për çështje siç janë krijimi i punëve me paga të mira, shkollimi me kushte të volitshme financimi dhe sigurimi i pensioneve të sigurta për të moshuarit. Ne përballemi me sfida të forta dhe serioze në shtetin Miçigan dhe si amerikane e brezit të parë me origjinë shqiptare”, theksoi zonjusha Shkreli, “jam përballur vet me shumë sfida e vështirësi në jetën time të përditshme. Si e tillë, nuk mund të rrijë duarkryq dhe nuk dëshiroj të lejojmë një Kongres të vazhdojë të mos funksionojë si duhet ndërkohë që vazhdon të mos përfilli dhe të mos jetë i interesuar për nevojat bazë të familjeve punëtore të shtetit Miçigan. Kjo është arsyeja që po kandidoj për në Kongresin amerikan”, nënvizoi shqiptaro-amerikania, Suzanna Shkreli. 


Ajo vazhdoi duke thënë se si, “Prokurore në Sektorin e Mbrojtjes së Fëmijëve, të zonës Macomb të shtetit Miçigan, unë çdo ditë përballem me sfida dhe marrje vendimesh për të mbrojtur fëmijët nga abuzimet seksuale dhe nga dhuna”. Duke iu referuar kundërshtarit të saj republikan, kandidatja demokrate tha se, “Mike Bishop dhe Kongresi i tanishëm refuzojnë të përballen me këto sfida dhe nuk merren seriozisht me asnjë zgjidhje të problemeve”. Në deklaratën e saj, duke njoftuar kandidaturën e saj për në Kongresin Amerikan, Shkreli u shpreh se prindërit e saj, Zefi dhe Maria, “Janë imigrantë shqiptarë, të cilët ç’prej ardhjes së tyre në Amerikë kanë punuar rëndë për të bërë të mundur shkollimin e lartë për mua, për vëllezërit e mi dhe për motrën time”. Suzanna vet ka lindur dhe është rritur e shkolluar në Miçigan. Ajo u jep kredi prindërve të saj për inkurajimin që i kanë dhënë për të siguruar një shkollim të lartë, duke u thënë fëmijëve të vet vazhdimisht se arsimi i përgjithshëm është jetik për zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Kjo është arsyeja, theksoi ajo, se pse kam vendosur t’ia kushtoj karrierën time mbështetjes ndaj brezit të ardhshëm, për të siguruar që edhe ata të kenë të njëjtat mundësi që kisha unë”. 

Për sukseset e saj ajo shprehet se i është mirënjohëse familjes dhe thotë se përveç ndihmesës për familjen e saj, ajo shpreson që t’ia kushtojë gjithë karrierën e saj mbështetjes së interesave të publikut. Suzanna Shkreli është mbrojtëse e fortë e të drejtave të viktimave të krimeve në këtë vend, ndërsa edhe jashtë vendit ka përfaqësuar Departamentin Amerikan të Drejtësisë në trajnimin e pjesëtarëve të enteve ligjore dhe policore të vendeve të ndryshme për të mbrojtur viktimat e krimit. Kohët e fundit ajo ishte dërguar edhe në Shqipëri nga Ministria Amerikane e Drejtësisë me të njëjtin mision. Një prej arritjeve të Suzana Shkrelit, jashtë punës së përditshme si prokurore për të cilën ajo ndihet krenare, është roli që ajo ka luajtur në themelimin e Shoqatës së Avoketënve Shqiptaro-Amerikanë të shtetit të Miçiganit (Albanian-American Bar Association of Michigan). Misioni i kësaj shoqate – e njohur zyrtarisht nga shteti – është që t’i shërbejë komunitetit shqiptar dhe që anëtarët e saj të ushtrojnë avokatinë si një grup i bashkuar etnik, kulturor dhe profesional, duke u dhënë mundësi shqiptarëve që të punojnë së bashku për përmirësimin e jetesës së tyre dhe për të mirën e komunitetit në përgjithësi. Duke njoftuar fillimin e fushatës për në Kongresin Amerikan, Suzana Shkreli deklaroi se, “Jam gati” për fushatën, e ndërgjegjshme për punën e rëndë që kërkon një fushatë e tillë politike, shpesh brutale këtu në Amerikë dhe njëkohësisht e vetëdijshme për sfidat dhe problemet me të cilat do të përballet në fushatën që e pret, në javët dhe muajt e ardhshëm. Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë e lehtë. 

Nuk do të jetë kollaj për Suzanën të fitojë kundrejt një kundërshtari republikan me përvojë, por ky vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara është si asnjë tjetër më parë, me surpriza si ato që shohim në nivelin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara. Çdo gjë e është e mundur. Fitorja e saj do varet kryesisht nga zhvillimi i një fushate intensive dhe të gjithanshme nga ana e saj, nga programi që ajo do shpalosë si pjesë e fushatës së saj, si dhe nga aftësitë e saj politike për të bindur votuesit e atij distrikti elektoral se ajo është personi më i mire dhe më i përgatitur që duhet t’i përfaqësojë ata dhe të mbrojë interesat e tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Për realizimin e fitores, Shkreli ka nevojë mbi të gjitha, që pikësëpari të sigurojë mbështetjen e pa kursyeshme të Partisë Demokratike që ajo përfaqëson, por edhe të mund të llogarit ndihmën dhe përkrahjen e fortë të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi. Më në fund, pasi të jenë bërë të gjitha përpjekjet për një fushatë të suksesshme dhe pasi t’u jenë komunikuar zgjedhësve të gjitha programet dhe idetë politike të Suzana Shkrelit, për tu absorbuar nga votuesit para zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor, më në fund fati i kandidaturës së saj është në dorë të zgjedhësve. 

Votuesit janë sovrani, ata e kanë fjalën e fundit. Por, cilido që të jetë rezultati përfundimtar, është pozitiv fakti që kandidatura e Suzana Shkrelit për në Kongresin Amerikan ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane, të asaj shqiptaro-amerikane, por edhe medias në trojet shqiptare. Si gjithmonë, është e rëndësishme për komunitetin e vogël shqiptaro-amerikan, në krahasim me grupe më të mëdha etnike në këtë vend, që brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve që përfaqësohet nga persona të nivelit si Suzana Shkreli, të tregojnë se janë të gatshëm të sakrifikojnë duke kandiduar për poste të ndryshme politike, nga më të voglat në nivele vendore e shtetërore e deri në më të mëdhatë të nivelit federal, duke zhvilluar një fushatë bindëse dhe të ndershme. Shpresoj që kandidatura e Suzana Shkrelit për tu bërë anëtare e Kongresit Amerikan tregon pjekurinë dhe vendosmërinë e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, se ky komunitet është i denjë dhe i gatshëm të marrë pjesë aktive në procesin politik amerikan, këmbë për këmbë me grupe të tjera. Kandidatura e Suzanna Shkrelit përbën gjithashtu edhe një zhvillim historik të angazhimit serioz politik të komunitetit shqiptaro-amerikan, pasi mesa dihet, kjo duhet të jetë kandidatura e parë e një femre shqiptaro-amerikane që synon një post në Kongresin Amerikan. Natyrisht, ne i urojmë sukses në fushatë dhe shpresojmë në fitoren përfundimtare të Suzannës, por cilido qoftë rezultati në nëntor, komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar me historitë e deritanishme të suksesit të këtij brezi- përfaqësuese e të cilit është edhe Suzana Shkreli.