Frank Shkreli/ Shumë pak dhe tepër vonë!

567
Anë e mbanë botës po bëhen përgatitje për të shënuar Shenjtërimin e Nënë Terezës, më 4 shtator 2016. Natyrisht se atë ditë vëmendja dhe sytë e botës do të drejtohen kah Vatikani dhe Roma, epiqendra e aktiviteteve, aty ku Papa Françesku do të kryesojë meshën dhe ceremoninë për lartësimin e Shenjtëreshës Nënë Tereza, bijës së kombit shqiptar dhe Nënës më të varfërve anë e mbanë botës. Por nuk feston vetëm Vatikani dhe Kisha Katolike. Festojnë të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe dashamirës të paqes anë e mbanë botës. Festojnë shtete dhe organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Këtë ditë e shënojnë komunitete dhe organizata fetare dhe bamirëse anë e mbanë botës. Është e vërtetë se Nënë Tereza i takon botës. Por ajo, pikësëpari i takon kombit shqiptar. Ajo prej aty doli. Do e s’do dikush, ajo aty i ka rrënjët, si bartëse e virtyteve më të shëndosha të kombit shqiptar. Përfaqësuesja më e denjë e frymës së vëllazërimit më të kulluar midis njerëzve pa dallim, e cila gjatë gjithë jetës luftonte ndasitë midis besimeve, kulturave dhe kombeve. Ndërkaq, ndonëse isha në dijeni të shumë përgatitjeve anë e mbanë botës për Shenjtërimin e Nënë Terezës, u turra të shoh se si do e kujtojë Shqipëria bijën e saj në këtë ditë të shënuar. Gjeta njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, të cilën lexuesi mund ta lexojë më poshtë – botuar, më 31 gusht 2016, – vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan – ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, kushtuar Shenjtërimit të Nënë Terezës. Tepër vonë dhe shumë pak, thashë me vete, pasi Vatikani kishte njoftuar datën e shenjtërimit shumë kohë më parë, pothuaj në fillim të këtij viti. Pa dashur të futem në polemika me askënd, lexuesi të vlerësojë vet, nëse Shqipëria mund të bënte diçka më shumë dhe më herët, për t’u përgatitur për këtë ditë. Do e s’do njeriu, ky moment të sjellë ndër mend për ata që u kujtohet letra që qarkulloi kohët e fundit e që Nënë Tereza i kishte dërguar Ramiz Alisë, drejtuar, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”, më 2 shtator 1989 pas një vizite që kishte bërë në atdheun e saj. Në atë letër, ajo shpreh kënaqësinë e saj që, “Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim , më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Në atë letër, Nëna Terezë i shkruan Ramiz Alisë se veprimtaria e saj, “nuk është çështje biznesi, as politike” dhe shton se, “Unë nuk kam as ar e as argjend, por juve do t’ju jap motrat”. Kërkesa e Nënë Terezës bie në veshë të shurdhët dhe refuzohet kategorikisht nga Ramiz Alia, nga ai, të cilit Nënë Tereza iu drejtua si, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”. Shqipëria e gjysmëshekullit më parë nuk kishte nevojë as për Nënë Terezën, as për motrat e saj, i kishte shkruar Ramiz Alia, Nënë Terezës, pasi “Shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë… i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Kjo ishte atëherë, po sot, pas 25 vitesh post-komunizëm? 
Po sot, pas 25 vitesh post-komunizëm?

Shpresohej për një mëkëmbje të vlerave, të kulturës dhe traditave të shtypura kombëtare nga regjimi komunist për pothuaj gjysmë shekulli. Kultura nuk është një njoftim ose grumbull njoftimesh, por është një fuqi gjykuese morale e vlerave për të cilat shquhej Nënë Tereza dhe për të cilat në këtë tokë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë të kësaj bote, me çmimin ‘Nobel për Paqe’. Ndërkaq të dielën, më 4 shtator do t’i akordohet titulli më i lartë nga Kisha Katolike, Shenjtëreshë, që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për meritat, veprimtarinë dhe trashëgiminë që la pas për mbarë botën. Po të duam të jemi të saktë dhe të sinqertë me vetveten, duhet të pranojmë ashtu siç është prononcuar shpesh edhe ajo vet në shumë raste, Nënë Tereza i përket këtij grumbulli njerëzish në këtë tokë, këtij kombi të quajtur shqiptar. Jo vetëm sa për sy e faqe, por ajo shprehimisht i përkiste këtij kombi me gjakun dhe zanafillën e saj si element i përbashkët i këtij kombi,megjithëse armiqtë e kombit shqiptar u përpoqën dhe gjithnjë përpiqen ta përvetësojnë atë si të tyren ose të pakën të hedhin tym rreth zanafillës së saj. Po mos ta kishte, kombi shqiptar do të duhej të shpikte një Nënë Terezë dhe si të tillë duhej ta mbajë në shuplakë të dorës, për nder të vet, si bijë e këtij populli dhe për hir të së vërtetës, po se po, por edhe për sytë e botës. Kjo, në mos për asgjë tjetër, atëherë të bëhet jo vetëm për dëshirën, por edhe për nevojën që shqiptarët, me vlerat që përfaqëson Nënë Tereza, të marrin pjesë në valle me popuj të tjerë, jo si një popull i prapambetur në Europë, por si një komb, i cili në venat e gjakut të tij ndjen thellësisht nevojën për lartësimin moral dhe shoqëror, vlera këto mbi të cilat Nënë Tereza – bijë e këtij populli – kishte përqendruar veprimtarinë dhe jetën e saj. Mungesa e nderimit dhe vlerësimit të duhur ndaj veprimtarisë së Nënë Terezës, sidomos në këtë moment historik, kam drojë se, madje edhe në këtë periudhë post-komuniste, vë në pikëpyetje vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë së sotme për t’u ngjitur në shkallët dhe për t’u venë në radhët qytetërore me kombet simotra të botës së përparuar.

Ja njoftimi i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, botuar, më 31 gusht 2016, – vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan – ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, kushtuar Shenjtërimit të Nënë Terezës

Ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës 3-10 shtator 2016 në BKSH


Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, fton publikun e kryeqytetit të vizitojë në datat 3-10 shtator ekspozitën “homazh”, kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore. Nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores te poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, nga albumet mbresëlënëse te monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të, kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë mes Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim. Përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe shalli i saj, sot pronë e MHK.

Ju mirëpresim!

Sigal