Frank Shkreli/ “Shteti Islamik duhet të asgjësohet”

581
Kështu u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama gjatë një konference që zhvilloi të martën me shtypin së bashku me presidentin francez Francois Hollande, pas takimit dhe bisedimeve të tyre kokë më kokë, në Shtëpinë e Bardhë. Në fillim të konferencës me shtypin, Presidenti amerikan e siguroi Presidentin e Francës dhe nëpërmjet tij, popullin francez se, “Si amerikanë ne do të mbështesin miqtë tanë”. Udhëheqësi amerikan, me një gjuhë më të ashpër, se çka përdorur deri më tani, u tha gazetarëve se, “Terrorizmi i sponsorizuar nga Shteti Islamik nuk mund të tolerohet”, duke shtuar se ai “duhet të asgjësohet” dhe se këtë do ta bëjmë së bashku. Ai e cilësoi terrorizmin si “një murtajë që na kërcënon të gjithëve. “Objektivi i vizitës së Presidentit francez në Washington ishte që të merrte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një koalicion më të gjerë ndërkombëtar në luftën kundër ISIS-it e që do të përfshinte edhe Rusinë në luftën kundër terrorizmit. Por rrëzimi i një aeroplani rus nga Turqia të martën, që ajo tha se ndodhi në territorin e saj ajror, duket se ndërlikoi disi bisedimet midis dy udhëheqësve. Të dy udhëheqësit u bënë thirrje Turqisë dhe Rusisë që të punojnë dhe të bisedojnë së bashku për të mos e keqësuar më tej situatën e krijuar nga rrëzimi i aeroplanit luftarak rus. Presidenti i Shteteve të Bashkuara sugjeroi gjatë konferencës me shtypin që zgjati një orë se, në qoftë se, Rusia do të përqendronte disa nga këto aktivitete të fundit ushtarake kundër Shtetit Islamik, këto konflikte dhe gabime mund të evitoheshin më kollaj. Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se, ndonëse po pret për hollësi të mëtejshme mbi incidentin që ndodhi në hapësirën turke, “Turqia ka të drejtën e vet të mbrojë territorin dhe hapësirën ajrore të saj”. Ai u shpreh gjithashtu se, Moska është më e interesuar të mbështesë diktatorin sirian Bashar Al Assad, sesa të luftojë kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Ai cilësoi pak si me ironi mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit për regjimin diktatorial të Bashar Al Assadit, si “një koalicion prej dy shtetesh”, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë një koalicion prej më shumë se 60-shtetesh”, që sipas tij kanë “ndërprerë aktivitetet terroriste dhe kanë sulmuar pozicionet e Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak. “Ndërkaq, media citon Presidentin rus Putin, të ketë reaguar ndaj incidentit të rrëzimit të aeroplanit rus nga forcat turke, duke thënë se rrëzimi i aeroplanit rus nga Turqia “do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet midis dy vendeve”, gjë që, sipas vërejtësve politikë, do të komplikojë me siguri përpjekjet e Presidentit Hollande, kur të vizitojë Putinin në Moskë brenda dy ditësh, me qëllim për të krijuar një front të gjerë ndërkombëtar në luftën kundër ISIS. Deri tani Rusia ka refuzuar gjithnjë tu bashkohet thirrjeve për largimin e presidentit të Sirisë Assad nga pushteti. Si rrjedhojë, zyrtarët francezë, përballë kësaj situate të re të krijuar nga rrëzimi i aeroplanit rus nga Turqia, citohen nga media të jenë shprehur se në vend të bashkëpunimit ata do të përpiqen të realizojnë të paktën një angazhim për një bashkërendim ndërkombëtar të aktiviteteve kundër Shtetit Islamik. Megjithëkëtë, Presidenti francez theksoi optimizmin e tij se, “mbarë bota është e angazhuar” në luftën kundër ISIS dhe se shpreson të sigurojë më shumë bashkëpunim edhe nga Rusia, e cila mbështet regjimin e diktatorit Assad dhe aeroplanët e të cilës po sulmojnë forcat moderuese që janë kundër regjimit të Assadit, në vend që të luftojë kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Pas sulmeve terroriste në Paris, Franca falë ndihmës nga agjenci të zbulimit të fshehtë amerikan, ka shtuar sulmet ajrore kundër objektivave kryesore të Shtetit Islamik. Ndërkaq, gjatë konferencës me përfaqësues të medias në Shtëpinë e Bardhë të martën, Presidenti i Francës, Hollande, shprehu falënderimet, solidaritetin dhe mirënjohjen e tij dhe të popullit francez për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vendit të tij pas sulmeve në Paris. Ai deklaroi se me Shtetet e Bashkuara, “ne ndajmë të njëjtin qëndrim dhe besim ndaj lirisë”. Ai, njëkohësisht bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët aktivitetesh ushtarake kundër terrorizmit, pas sulmeve në Paris dhe ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Shteti Islamik. Komentatorët politikë theksojnë, se ishte Franca ajo që është sulmuar kësaj radhe nga terrorizmi dhe si rrjedhim është Presidenti Hollande ai, i cili po kryeson përpjekjet për një koalicion të gjerë ndërkombëtar kundër ISIS dhe jo udhëheqësi i botës së lirë, Presidenti Obama, për të cilin 66% e amerikanëve shprehen se, ai nuk ka një plan të qartë për të asgjësuar Shtetin Islamik. Vërejtësit politikë thonë gjithashtu se, Washingtoni e Parisi mund të kenë të njëjtin objektiv për zhdukjen e kësaj murtaje, por duket se midis tyre ekziston një divergjencë, e cila pasqyrohet në pikëpamje të ndryshme politike, se si duhet dhe cilat janë masat që duhet të merren, për realizimin e këtij objektivi të përbashkët për asgjësimin e Shtetit Islamik.
Sigal