Sigal

Njoftohet se këtë javë, qeveria e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama miratoi fonde nga buxheti i shtetit për vitin 2019, për pesë komunitetet fetare në Shqipëri. Vendimi i qeverisë përcakton se si duhet të shpërndahen këto fonde në mbështetje të komuniteteve fetare në vend, mos qofsha gabim, përfshirë edhe ndarje rrogash për disa nëpunës fetarë.

Unë jam besimtar dhe mbroj të drejtat dhe lirinë e të gjitha enteve fetare dhe të secilit person që të ushtrojë lirinë e fesë, sipas ndërgjegjes së vet. Ndoshta është përvoja ime prej një gjysmë shekulli në Amerikë dhe trajtimi i marrëdhënieve midis fesë dhe shtetit këtu në Shtetet e Bashkuara, ato që influencojnë pikëpamjen time në lidhje me këtë çështje, por them se vendimi i qeverisë shqiptare, për të ndarë fonde për bashkësitë fetare, është një ide e keqe dhe pranimi i këtyre fondeve nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, që kanë nënshkruar marrëveshje me të, është i gabuar.

Është detyrë dhe obligim moral dhe ligjor, bazuar edhe në konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut – që qeveria të garantojë lirinë e fesë për të gjithë qytetarët e vet, pa dallim dhe në rastin e Shqipërisë, që qeveria t’ua kthejë komuniteteve fetare pronat e konfiskuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Vende të ndryshme anë e mbanë botës, sipas kushtetutave dhe strukturave ligjore të tyre, historikisht, kanë marrëdhënie dhe përvoja të ndryshme midis shtetit dhe enteve fetare që veprojnë në to.

Disa e konsiderojnë veten shtete laike, (laicite ose secular) ndërsa vende të tjera njohin, në një mënyrë ose një tjetër, një fe zyrtare shtetërore. Shqipëria është një shtet shekullar, laik, që në parim dhe në kuptimin e plotë të fjalës, qeveria e saj duhet të mbajë një distancë politike dhe duart larg nga entet fetare dhe përfaqësuesit e tyre, por, ama gjithmonë duke garantuar lirinë e fesë dhe të veprimit të këtyre enteve në shoqërinë shqiptare, sipas besimit dhe ndërgjegjes së tyre. Kjo nuk do të thotë se feja dhe entet fetare nuk duhet të kenë ndonjë rol shoqëror së bashku. Përkundrazi! Në besimin e tyre, fetë kryesore të shqiptarëve në thelb kanë dashurinë për njëri tjetrin dhe ndihmën për të varfrit, si një aktivitet njerëzor, shoqëror dhe hyjnor. Gjëja që politikanët dhe përfaqësuesit fetarë duhet të kenë të përbashkët është roli dhe përgjegjësia e tyre prej udhëheqësish politikë e fetarë – se përveç kujdesit dhe ndihmave që duhet t’u ofrojmë, “të varfërve më të varfër” në shoqëri, siç i ka cilësuar Shën Nëna Terezë më të nevojshmit midis nesh – është urdhri më domethënës i Perëndisë, që të duam dhe të respektojmë njëri tjetrin, si nga pikëpamja politike ashtu edhe fetare.

Në këtë fushë, politikanët mund të marrin pak shembull nga udhëheqësit fetarë shqiptarë dhe të tregojnë më shumë respekt ndaj njëri tjetrit, në diskursin e tyre politik dhe në komunikimet e përditshme midis tyre, duke u bërë më të njerëzishëm e më të kuptueshëm edhe ndaj nevojave njerëzore dhe problemeve të mëdha me të cilat përballen bashkatdhetarët e tyre, pa marrë parasysh përkatësitë fetare, ose qëndrimet politike ose partiake.

Udhëheqësit e bashkësive fetare në Shqipëri

Por duke pasur gjithmonë parasysh dallimet e roleve të ndryshme që shteti dhe feja duhet të luajnë në një shoqëri moderne dhe demokratike. “Sigurisht që feja dhe qeveria janë dy ente krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra”, ka shkruar në vitin 1768, John Dickinson, njëri prej baballarëve të Kombit Amerikan. “Qëllimi i njërës (qeverisë) është që të promovojë mirëqenien shoqërore dhe kënaqësinë e përkohshme në këtë botë, ndërsa objektivi i tjetrës (fesë) është që të promovojë mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë për njerëzit, me qëllim të amshimit të shpirtit dhe të sigurimit të jetës së pasosur. Në qoftë se këto dy ente janë të ndara nga njëra tjetra, me role të ndryshme, atëherë në përgjithësi mbrohet paqja midis njerëzve dhe mirëqenia shoqërore, do të ruhet. Por, në qoftë se ngatërrohet roli i tyre duke përzier detyrat dhe përgjegjësitë e shtetit me fenë, atëherë midis shtetit dhe komuniteteve fetare do të lindin konflikte, armiqësi dhe persekutime, të cilat kanë mbuluar botën me gjak dhe kanë turpëruar natyrën njerëzore”, ka shkruar John Dickinson në vitin 1768.

Historia e marrëdhënieve midis shtetit dhe enteve fetare në Shqipëri, gjatë shekullit të kaluar, dhe persekutimi i fesë dhe përfaqësuesve të tyre nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duhet të bëjë më të kujdesshëm përfaqësuesit fetarë dhe qeverinë aktuale si dhe ato në të ardhmen, se si duhet të trajtohen marrëdhëniet midis fesë dhe shtetit në radhët e shqiptarëve, ashtu që të mos përziejnë rolet dalluese që duhet të ekzistojnë në shoqëri. A është ndarja e buxhetit nga qeveria për bashkësitë fetare në Shqipëri e njoftuar këtë javë, një ndihmë apo një shpërblim? Kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt. Asgjë e mirë nuk vjen nga kjo përzierje rolesh midis fesë dhe shtetit. Mund të jem gabim, por kështu mendoj unë. Shikoni përvojën e Greqisë fqinje në këtë mes, ku në fund të vitit që kaloi qeveria e Kryeministrit Tsipras nënshkroi një marrëveshje me Kishën Ortodokse greke për t’i dhënë fund statusit të nëpunësit publik për priftërinjtë ortodoksë. Ndonëse kjo nismë e Athinës nuk ka gjasë që të ndajë rolin e Kishës dhe shtetit në Greqi, edhe ata kanë parë se roli që luan Kisha Ortodokse greke në punët e shtetit është diçka anakronike për shekullin e 21-të. Këtu në Shtetet e Bashkuara, ndarja e qartë e roleve midis fesë dhe shtetit, për më shumë se dy shekuj, është bërë pjesë e strukturave ligjore, qeveritare dhe shoqërore. Si e tillë, kjo ndarje konsiderohet si një prej gur-themeleve bazë të vlerave demokratike të këtij vendi.

Qeveria ose shteti, duart larg nga feja dhe feja duart larg nga qeveria dhe shteti! Ky është muri që duhet të ekzistojë midis tyre. Shqipëria është një republikë kushtetuese dhe jo një teokraci. Bashkësitë fetare që sanksionohen dhe që mbështeten nga shteti, financiarisht dhe politikisht, herët ose vonë, bëhen kukulla të shtetit e të qeverisë në fuqi. Le të kujdeset qeveria për sigurinë kombëtare, për ndërtimin e infrastrukturës dhe mirëqenies ekonomike, ndërsa udhëheqësit fetarë le të predikojnë fjalën e Zotit dhe dashurinë midis njerëzve nga mjediset e kishave dhe të xhamive.

Frank Shkreli – Ish-Drejtori i VOA për Euroazinë