Frank Shkreli: Shqiptarët nën Serbi, “Na jemë shqyptarë, bre birë”!

653
Sigal

                                   

 

                

 Është
e pa mundur të mbetesh indiferent pasi të kesh shikuar programin, Shqipëria
Tjetër – Gjurmë Shqiptare — pikërisht segmentin mbi Shqiptarët e Sanxhakut, të
gazetarit të njohur shqiptar, Marin Mema.

 

Këtu më poshtë
mund të ndiqni dokumentarin e plotë
: https://www.youtube.com/watch?v=2PPx9diQKs0

 

Në dokumentarin e gazetarit të
guximshëm Mema bëhet fjalë për shqiptarët e Sanxhakut,  të cilët sot mbeten të vetëm dhe të harruar,
në dorë të fatit dhe të Serbisë.  Në
dokumente vihet në dukje se gjatë historisë, shqiptarët e Sanxhakut, i janë
nënshtruar presioneve të tmerrshme asimiluese, shpesh të përgjakshme, me popullsinë
sllave boshnjake. Serbia e sotme i njeh ata zyrtarisht si boshnjakë dhe si
rrjedhim shqiptarët nuk ekzistojnë në ato troje dhe nuk njihen si të tillë nga
shteti nën të cilin jetojnë, Serbia.  Por, realiteti më i dhimbshëm, siç thotë edhe
gazetari shqiptar Marin Mema në programin e tij, ata nuk njihen si shqiptarë,
madje as nga Shqipëria dhe as nga Kosova. Por, megjithëkëtë, gazetari Mema sjell
prova të forta, se me gjithë përpjekjet serbe, gjatë dekadave për të ndryshuar
identitetin e shqiptarëve të kësaj zone ku kanë jetuar stërgjyshërit e tyre,
aty ka ende një histori shqiptare ku edhe dallohen qartë gjurmët e identitetit
shqiptar të banorëve të Sanxhakut.  “Na jemë shqyptar, bre bir!  Na jemë kenë Shqyptar, pse ashtë rrotullue
koha, ajo ashtë diçka tjetër”,
shprehet një grua shqiptare e Sanxhakut, në
dokumentarin e gazetarit shqiptar, Marin Mema. Shqiptarët, raporton Mema, identifikohen
si “boshnjakë”, megjithëse nuk janë të tillë, dhe shton se në Sanxhak, për sa i
përket identifikimit kombëtar, është gjithçka më e lehtë, përveç se të jesh
shqiptar.  Duke qenë dëshmitar i frikës
së atyre banorëve për t’u identifikuar si shqiptarë, gazetari Mema me të drejtë
pohon, se prania e tij atje, “Ndoshta për
pak momente, ne u dhuruam diçka që ata nuk e kanë: lirinë, për të qenë
vetvetja, për të ndjerë se po flasim mes veti, për hallet e dertet që
s’kanë mundur t’ia shprehin kujt. Të tregon
për gjithçka tjetër që i mungon në jetën këtu, në tokën e tyre, që i përket dhe
s’i përket. I përket se këtu i ka rrënjët dhe s’i përket, sepse dikush kërkon
t’ua këpusë
.”   Gazetari Mema thotë,
se në rajonin e Sanxhakut, me një popullsi prej mbi 400.000 banorësh, ishte
ndeshur me mbiemra krejt shqiptar, por që gjatë dekadave janë sllavizuar, si
për shembull, familjet Makajt të kthyer në Makiq, Gjekajt janë kthyer në
Gjekiq, Nikajt janë bërë Sahaliloviq, fisi Gjokaj janë bërë Selmanoviq, e ashtu
me rrallë, thekson Mema.  Ai ka
intervistuar banorë të atyre fshatrave, të cilët rrëfehen se deri në moshën
20-vjeçare, nuk kanë folur aspak të ashtuquajturën“boshnjakçe”, por kanë
komunikuar në gjuhën shqipe. Gazetari Mema ka vizituar fshatra të Sanxhakut, të
banuara nga shqiptarë të fiseve të njohura të historisë së kombit, si p sh, Shkreli,
një ndër fiset më të mëdha atje, thotë gazetari. Pastaj fiset e përmendura Kelmendi,
Dukagjini, Shala, Lekaj, Fetahu, Zogaj, Kurtaj, Camaj e të tjera.

 

Në dokumentarin e gazetarit Mema shihet
qartë se personat me të cilët ka folur dhe të cilët e identifikojnë veten si
shqiptarë ose me origjinë shqiptare, ata shprehin nostalgjinë për çdo gjë
shqiptare dhe i ankohen gazetarit Mema për mos kujdesin që bota shqiptare ka
treguar dhe tregon ndaj tyre, ndërsa pohuan, se gazetari nga Shqipëria ishte i
pari që po interesohej për ekzistencën e tyre. Shqiptarët e Sanxhakut jetojnë
në frikë të përhershme, thuhet në dokumentarin e korrespondentit Mema, por me gjithë
frikën që kanë nga autoritetet serbe për identifikimin e tyre kombëtar, ata
prapë se prapë i shprehin ndjenjat e tyre për gjuhën, kulturën  dhe traditat, për të cilat nuk guxojnë të
flasin publikisht ose edhe me njëri tjetrin, por që u janë kaluar atyre brez pas
brezi nga të parët e tyre dhe për të cilat shprehin krenarinë e vet ndaj
përkatësisë kombëtare.

“Nuk
guxojna m’u kallzu se jemë shqiptarë… nuk guxojna me bajtë plisin këtu në
Serbi… shumë e dua gjuhën e shqiptarëve, e po më vjen barre (turp) se nuk di
me folë mirë shqip.”
 
Këtë realitet të dhimbshëm, thotë gazetari Marin Mema, e gjeti në pothuaj
çdo fshat të Sanxhakut që ai vizitoi. 
Pyetjes së gazetarit, nëse i dhemb humbja e gjuhës shqipe, një nga
banorët e moshuar i përgjigjet me lot në sy. “Po qysh s’më dhëpet,(dhimbet) more burrë? Të tanë, tanët kanë folë
shqip.  Plakanët kanë dekë, tashti vetëm
boshnjaçke”,
flitet.  Një tjetër
banor shprehet, se babai i tij nuk ka ditë hiç serbisht.  “Po më
dhepet (dhemb) shpirti që po hup (humb) shqipja.  Na e hupem (humbëm) shqipen
”.  “Unë i
kam në zemër shqiptarët prej Kosove e Albanie”
, thotë një tjetër , “Ama kurrë s’kem kontakt”, me ta. 

 

Z. Mema thotë se të jesh sot
shqiptar në Sanxhak është tepër e vështirë, në mos e pamundur.  Historikisht, periudha e artë në qoftë se
mund të quhet si e tillë për shqiptarët e Sanxhakut, konsiderohet të ketë qenë
në fillim të viteve ’40, kur ishte hapur shkolla e parë shqipe atje, si pjesë e
programit arsimor të Ministrit të atëhershëm të Arsimit në Shqipëri, Ernest
Koliqit, për Kosovën dhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Ja si shprehet
për atë periudhë për gazetarin Mema njëri prej banorëve të moshuar të asaj zone,
i cili në vitin 1941 kishte ndjekur shkollën shqip. Ishte kjo një periudhë që
gazetari Mema e cilëson si një kohë kur qyteti i Pazarit të Ri, ndryshe nga
tani, “Frymonte shqip pa patur detyrim të
fshihej.”
  Të rinjtë e asaj kohe, u
shpreh njëri prej shqiptarëve të intervistuar “Këndojshin kangë, shkojshim rresht nepër çarshi tue knue:                 

 

                      besa-besë unë jam shqiptar,

                      por çka më ndodhi unë nuk
kam fjalë,

                      po të më lidhni me
zinxhir

                      unë i këpusi, jam i lirë.

 

Knojshim
kangë, njerzit delshin prej dugajve e brohoritshin, bravo, bravo. Ishim të
veshur me këmisha të kuqe e pantollë të shkurtëra të zeza, simbolet e flamurit
të kombit”, shprehet shqiptari nga Sanxhaku”.

Por luftën për zhdukjen e
shqiptarëve në rajonin e Sanxhakut që e kishin filluar çetnikët e Drazha Mihailoviçit
e përfunduan komunistët jugosllavë duke vrarë e prerë shqiptarë të pafajshëm,
duke mbjellë frikë dhe duke detyruar shumë prej tyre të largoheshin nga trojet
e veta, për të shpëtuar jetën  po siç
shprehet edhe korrespondenti Mema që, “të gjejnë mënyra të ndryshme për të qenë
gjithçka, përveç se shqiptarë”. Gazetari Mema rrëfehet në fund të dokumentarit
se për të, “ishte e dhimbshme të prekësh
këtë realitet.”
  Shumë e vërtetë! Duke
parë dokumentarin e ndjeva veten sikur jam duke shikuar një film për një grup
shqiptarësh të izoluar nga historia diku në pjesë tjera të botës, e jo aty në
Sanxhak, si të thuash “një vrap pele” nga Prishtina dhe nga Tirana.  Mos interesimi për shqiptarët e Sanxhakut nga
Prishtina dhe nga Tirana zyrtare është i pakuptueshëm në këtë periudhë
historike në të cilën jetojmë sot.  Të
drejtat themelore bazë të njeriut, si liria për të përdorur gjuhën, kulturën
dhe identifikimi kombëtar, janë të garantuara edhe nga konventa dhe marrëveshje
të ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare.  Është e drejtë dhe përgjegjësi e dy shteteve
shqiptare që të mbrojnë si vëllezërit e vet dhe të drejtat e tyre, përfshirë; lirinë
e identifikimit kombëtar, përdorimin e gjuhës dhe të flamurit të shqiptarëve
jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e pafalshme që sot shqiptari
kudo qoftë në trojet autoktone të veta, ta ndjejë veten të frikësuar ose të
rrezikuar nga ushtrimi i të drejtës së tij – e sanksionuar ndërkombtarisht —
për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet.  Është e pafalshme që sot shqiptarët e
Sanxhakut ose kudo tjetër në Ballkan, në fillim të shekullit XXI, të kenë frikë
të identifikohen si të tillë ose të fshehin flamurin e kombit të vet nën
kolltuk.  U takon dy shteteve shqiptare
që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve kudo, përfshirë edhe të shqiptarëve të
Sanxhakut. Ata janë shqiptarë, e jo “boshnjakë” dhe si të tillë të drejtat e
tyre duhet të mbrohen aty ku jetojnë si edhe në nivele ndërkombëtare.  Në qoftë se Serbia kërkon të drejtat e një duzine
serbësh, që thuhet se jetojnë diku në afërsi të Fierit, pse mos të kërkojnë
Tirana dhe Prishtina zbatimin e të drejtave të njeriut për 400.000 shqiptarët e
Sanxhakut të identifikuar zyrtarisht si “boshnjakë”?  Sepse, siç u shpreh në fund të programit edhe
gazetari Marin Mema, “Kur nuk ka një
mbështetje serioze, si mund t’u kërkosh këtyre njerëzve të deklarojnë rrënjët e
tyre”,
në rrethanat e vështira shtypëse nën të cilat jetojnë. Në qoftë se
vazhdohet kështu me mosinteresim zyrtar për fatin dhe të drejtat e shqiptarëve
në trojet e veta autoktone, fatkeqësisht nesër do të flitet për “sanxhaqe” të tjera
anë e mbanë trojeve shqiptare, disa prej të cilave i ka venë dukje me mjeshtri në
dokumentarë të tjerë  gazetari Marin
Mema, i cili duhet të përgëzohet për punën që po bën.  Apeli i shqiptarëve që kanë mbetur në Sanxhak
(por edhe i shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë) është, siç bëri
thirrje njëri prej të moshuarve shqiptarë në dokumentarin për shqiptarët e
Sanxhakut: “Mos na harroni! Të djegun
jemë për Shqipni, por badihava. S’po kemë gja në dorë, hiç.”