Frank Shkreli/ Shqiptarët në Mal të Zi dhe politika e shumicës ndaj pakicës

598
Tre javë më parë kisha shkruar mbi planet për mbajtjen e një konference ndërkombëtare mbi gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, (konferenca e dytë mbi këtë subjekt) e cila u mbajtë në sallën historike, “Meadoe Brooke Mansion” të Universitetit Oakland në Roçester të Miçiganit. Konferenca u sponsorizua nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Enti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani. Gjatë konferencës u paraqiten referate nga akademikë dhe specialistë nga SHBA dhe ekspertë të ftuar nga trojet shqiptare në Ballkan dhe nga Europa. Gjatë punimeve të konferencës, specialistë të fushave të ndryshme mbi gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, diskutuan, ndër të tjera, çështje siç janë arsimi, të drejtat e njeriut dhe të kulturës së shqiptarëve në trojet e veta autoktone nën Mal të Zi. U mbajtën referate mbi subjekte që prekin jetën e përditshme të shqiptarëve në Mal të Zi, siç janë qeverisja vendase, aplikimi i ligjit ndërkombtar, por edhe mbi rolin që luan ose duhet të luaj Bashkimi Europian në promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare, e veçanërisht të drejta e shqiptarëve në Mal të Zi. Konferenca u mbajtë në kohën e duhur për të tërhequr vëmendjen e botës, por veçanërisht vëmendjen e SHBA karshi situatës së shqiptarëve në Mal të Zi, e cila sipas vetë atyre që jetojnë atje është një gjendje në të cilën ata e ndjejnë veten të diskriminuar në shumë fusha që preku Konferenca në Universitetin Oakland të shtetit Miçigan në SHBA. Vetëm ditët e fundit mësuam se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka në plan të organizojë atë që organizuest e cilësojnë si një “Protestë për dinjitet”, duke i thënë “Stop Diskriminit”, sidomos në fushën e arsimit, duke shtuar se “duam të arsimohemi si shqiptarë”. Në njoftimin e tyre për protestë para Komunës së Ulqinit, organizuesit bëjnë pyetje nëse politikanët shqiptarë të atyre trojeve do të marrin pjesë në atë protestë paqësore. Konferenca si kjo që u mbajt në SHBA mund të venë në dukje hallet dhe situatën jo të drejtë, në krahasim me të tjerët, të shqiptarëve nën Mal të Zi dhe ekspertë që morën pjesë në këtë konferencë, shqiptarë dhe të huaj, ndonëse ia paraqsin situatën e shqiptarëve botës, ashtu siç është dhe siç kanë bërë edhe më parë, është pjesëmarrja dhe qëndrimi i përbashkët i shqiptarëve pa dallim e sidomos bashkimi i faktorëve politikë shqiptarë atje, që të kërkojnë të drejtat që u takojnë atyre në bazë të konventave ndërkombëtare dhe në bazë të vet ligjeve të vendit. Konferenca është meritë e të gjithë pjesmarrësve dhe diasporës shqiptare në Amerikë, por mbi të gjithë është një kontribut që bashkë-organizatorët e kësaj konference, profesorët shqiptarë në Amerikë, Shinasi Rama dhe Viktor Ivezaj i dhanë çështjes së shqiptarëve nën Mal të Zi dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në trojet e veta.

Deklarata e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare
Pothuaj një vit më parë dhe konkretisht më 1 nëntor 2014 u organizua Konferenca e Dytë Ndërkombëtare mbi “Shqiptarët në Mal të Zi”. Ajo i zhvilloi punimet në Universitetin e Oakland me një paraqitje historike të kërkimeve shkencore. E organizuar nën përkujdesjen e me mbështetjen e Departamentit të Shkencave Politike dhe të Programit të Studimeve Ndërkombëtare, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane, në zhvillimet e kësaj veprimtarie morën pjesë studentë, shkollarë, udhëheqës të bashkësisë shqiptaro-amerikane, figura të spikatura të biznesit dhe të politikës nga SHBA dhe Europa. Konferenca bashkoi kërkues nga fushat e ndryshme të studimit, të së drejtës ndërkombëtare e të qeverisjes, që analizuan dhe vlerësuan problemet ende të pazgjidhura që preokupojnë shqiptarët në Mal të Zi. Konferenca e dytë iu ofroi kërkuesve e studiuesve mundësinë për debatuar mbi problemet e shumta lidhur me politikat e dështuara të Malit të Zi për të përfshirë dhe për të trajtuar si duhet edhe pakicën shqiptare që jeton në trojet e veta. Në konferencë u paraqitën kërkime që provojnë se bashkësia shqiptare në Mal të Zi vazhdon të viktimizohet nga politikat shtetërore malazese që synojnë asimilimin e tyre të dhunshëm dhe emigrimin përmes mundësive të kufizuara për edukim e punësim, prapambetje e qëllimte ekonomike, mungesë e decentralizimit të qeverisjes dhe programeve të tjera qeverisëse që kanë si synim që të mbysin e zhdukin gjuhën, kulturën dhe trashëgimninë shqiptare. Oratorët pohuan se shumë nga angazhimet e Malit të Zi për të mbrojtur pakicat nuk janë zbatuar dhe nuk janë përfshirë në legjislacionin e këtij shteti. Të dhënat konfirmojnë frikën legjitime të shqiptarëve se “bashkimi” i Malit të Zi me Europën, nuk do ta përmirësojë statusin e tyre të ardhshëm. Premtimet e politikanëve të këtij vendi fshehin realitetin e shkeljes së lirive të njeriut dhe të drejtave të barabarta, deri sa të arrihet në pikën që popullsia etnike shqiptare nuk do të jetë më faktor me peshë në politikën e Malit të Zi. 
Punimet kryesore nga Prof. Ivezaj dhe Prof. Rama
Konferenca paraqiti dy punime kryesore nga profesorët Viktor Ivezaj dhe Shinasi Rama, si dhe një numër të ndjeshëm paraqitjesh nga folësit që diskutuan mbi një numër problemesh e cështjesh lidhur me identitetin e shqiptarëve, politikat e pakicës, dhe influencat e huaja dhe shtetet amë. Mbas fjalës mirëseardhëse nga Prof. Paul Kubicek dhe prof. Ivezaj, Prof. Shinasi Rama (NYU) analizoi evolucionin e identitetit të malazesëve që janë një grup etnik kompleks me dy elemente të përbashkëta, luftën kundër Otomanëve dhe fenë ortodokse. Mirëpo, në rrugën e shndrrimit të tyre ne komb, ata nuk u bënë një etni, por ata u lidhën me idenë e shtetit dhe në këtë proces të zgjerimit të shtetit, por edhe gjatë pavarësisë e më pas, ata nuk janë ndalur asnjëherë nga përpjekja për të spastruar pakicat e ndryshme. Tani, shteti malazes rreket të ndërtojë kombësinë malazese duke bërë një përpjekje të madhe për t’i asimiluar të tjerët në këtë kombësi. Në rastin e shqiptarëve që nuk ndajnë me ta as fenë, as traditat, as lidhjen me shtetin, e as gjuhën, rruga që po ndiqet është “Përçaj e sundo”, asimilimi e përjashtimi i studiuar përmes emigrimit, çka edhe ka pasoja të rënda për ta si pakicë që jeton në trojet e veta, ashtu dhe për të ardhemn demokratike të Malit të Zi. 
Kontributi i studiuesve të tjerë
Profesor Viktor Ivezaj (WSU) argumentoi se diskriminimi etnik i shqiptarëve në Mal të Zi është pasojë e “polarizimit etnik”, një metodë e përdorur nga shteti dhe që nuk është rezultat i urrejtjeve të vjetra etnike, siç paraqitet në literaturë. Prof. Ivezaj thotë se nëse kjo politikë e polazimit etnik nuk ndalohet, atëherë pakica shqiptare në Mal të Zi do të vazhdojë që të ushqejë një qëndrim negativ ndaj shtetit, diçka që kur të shprehet publikisht do ta kapë Malin e Zi në befasi dhe do të ketë pasoja negative për zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike në atë shtet. 
Dr. Nail Draga (Qendra Kulturore, Ulqin) ofroi një analizë të vecantë e të thelluar të regjistrimeve të popullsisë të bëra në Malin e Zi në periudhën 1948-2011. Ai paraqiti të dhëna të pakontestueshme se numrat e popullsisë zyrtare të Malit të Zi, nuk e pasqyrojnë si duket gjendjen e popullsisë aktuale. Duke vënë në dukje të meta e gabime në mbledhjen, analizmin e raportimin e të dhënave, Dr. Draga argumenton se gjithçka tregon se metodklogjia e përdorur nga Zyra e Regjistrimti të Popullsisë në Mal të Zi synon që të zvogëlojë numrin e poipullsisë shqiptare deri në atë pikë sa ata të kthehen në një factor krejt të parëndësishëm politik. 
Doktorante Agata Biernat (Nicolaus Copernicus University, Turin Poland), në punimin e saj analizoi politikat e vetëqeverisjes në rajonin e Malësisë. Ajo paraqiti metodat e ndjekura nga shqiptarët për të influencuar në sistemin politik në Mal të Zi për të arritur qëllimet e tyre dhe për të psur përfaqësimin e tyre politik në komunën e Tuzit. 
Dr. Sabina Osmanovic (Universiteti i Shkodrës dhe Universiteti i Tiranës) sqaroi se si një numër pyetjesh dhe përgjigjesh të dhëna hedhin dritë mbi pritshmëritë e shqiptarëve para referendumit për pavarësinë dhe perceptimet e tyre mbas pavarësisë. Duke krahasuar përmes një numri të ndjeshëm pyetjesh (a) premtimet që Malazesët kishin bërë para referendumit për pavarësi në vitin 2006 dhe (b) përgjigjet e tyre se sa kishte arritur Mali i Zi të përmbushte këto premtime tetë vjet më vonë, në vitin 2014, ajo argumentoi se shqiptarët janë të diskriminuar dhe të pa integruar si duhet në të gjithë sferat e jetës ekonomike, politike dhe shoqërore. 
Dr. Angjell Gojcaj (Universiti i Shkodrës) paraqiti një analizë bashkëkohore të politikave sociale dhe shtetërore diskriminuese që tashmë janë konsistente në kohë të ndjekur nga qeveria e Malit të Zi. Duke ndjekur një logjikë institucionaliste, Dr. Gojcaj, u përqëndrua në tre llojet e ndryshme të të drejtave të pakicës shqiptare – e drejta e simboleve kombëtare, e drejta e përfaqësimit politik dhe e drejta e punësimit. Duke u mbështetur në statutet e të konvetat e të drejtës ndërkombëtare, mongrafitë dhe raportet e ndryshme të paraqitur, ai e provoi në mënyrë të pakundërshtueshme praninë e trajtimit diskriminues të shqiptarëve dhe të grupimeve të ndryshme që përfaqësojnë shqiptarët në Mal të Zi. 
Doktorant Grid Rroji (CUNY) ekzaminoi efektet e mbështetjes së vakët të shtetit shqiptar për të drejtat e pakicës etnike shqiptare në Mal të Zi, si dhe pasojat që ka pasur kjo sjellje për stabilitetin rajonal dhe sigurinë. Rroji, mbeshteti argumentin se përkeqësimi i të drejtave njerëzore në Mal të Zi, së bashku me mungesën e mbështetjes së Shqipërisë për pakicat kombëtare shqiptare në shtetet fqinjë, paraqet një rrezik të vazhdueshëm për të ardhmen e shqiptarëve, por edhe për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë rajonale. 
Prof. Paul Kubicek (Universiteti Oakland) vlerësoi rolin e BE për statusin e shqiptarëve etnikë në Mal të Zi. Duke e ndjekur këtë rol nga këndvështrimi i të drejtave të minoriteteve, si dhe duke ndjekur qasjet e shqiptarëve ndaj BE dhe Malit të Zi, Prof. Kubicek, ofroi një listë të prioriteteve dhe bëri disa sugjerime të vyeshme se cilat rrugë duheshin ndjekur për të siguruar që qeveria e Malit të Zi dhe strukturat e tjera të respektonin të drejtat e shqiptarëve. Ai argumentoi se afrimi i Mali të Zi me bE duhet të kushtëzohehsin me respektimin e të drejtave të minoriteteve, posaçërisht të shqiptarëve. 
Prof. Shinasi Rama analizoi rolin e diasporës shqiptare nga Mali i Zi dhe tregoi përpjekjet e saj për të ndikuar në administratën amerikane dhe në organizatat e tjera. Duke shpjeguar rolin në rritje të diasporës, Prof. Rama e vuri theksin tek roli në rritje i diasporës për kushtëzimin e sjelljes së politikanëve dhe ndërgjegjësimin e bashkësisë shqiptaro-amerikane, si dhe në ndërtimin e strukturave që po punojnë me administratën e më shoqërinë civile për të përcuar e sqaruar gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi. 
Mbështetësit e konferencës
Disa organizata shqiptaro-amerikane e mbështetën dhe morën pjesë në konferencë, përfshirë Fondacionin “Plavë-Guci,” shoqatën shqiptaro-amerikane “Malësia e Madhe” dhe shoqatën shqiptaro-amerikane “Ana e Malit”. Mbështetësit që nuk mundën të vinin, por që i kontribuan mbarëvajtjes së konferencës ishin fondi humanitar “Malësia”, Fondacioni “Ded Gjon Luli”, Fondacioni “Dom Simon Filipaj” dhe shoqata shqiptaro-amerikane “Kraja”. Komiteti Organizues po përgatitet që të organizojë Konferencën e tretë në Mal të Zi në vitin 2016. Kjo do të koincidojë me 10 – vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi dhe qëllimi i saj është që të shihet më qartë gjendja e shqiptarëve, 10 vjet pas pavarësisë së Malit të Zi, si dhe hedhja dritë mbi problemet shoqërore e politike që shqetësojnë aktualisht shqiptarët. 
Sigal