Frank SHKRELI/ Shqiptarët meritojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian!

621
Sigal

Ja më në fund edhe një zhgënjim tjetër! Europa i thotë JO edhe njëherë dhe me plotë gojë dhënies së statusit kandidat, Shqipërisë. E shtynë vlerësimin, edhe për gjashtë muaj të tjerë. Ishte ky një vendim, jo i papritur i vendeve më të rëndësishme të Europës, si Gjermania, Franca, Anglia dhe më pak të rëndësishme si Holanda e Danimarka. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian (BE) qe shumë i qartë për vendimin që mori të martën.  Është e qartë se, Europa, megjithë fjalorin diplomatik që përdorin përfaqësuesit e saj për përparimet e bëra deri tani në Shqipëri,  ky vendim nga Brukseli tregon se ajo nuk është e bindur se, Shqipëria është serioze në luftën e saj kundër korrupsionit, ndaj krimit të organizuar dhe reformave në drejtësi, si dhe ndaj çështjes së pronësisë dhe reformave në administratën publike,  për të merituar statusin e vendit  kandidat për Shqipërinë.  Gjithashtu, një ndër  thirrjet e perëndimorëve ndaj klasës politike shqiptare ka vazhduar të jetë nevoja për krijimin e një atmosfere të re politike bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, si një shenjë dhe domosdoshmëri për një qeverisje të mirëfilltë demokratike. Në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë thuhet se:”Dialogu  konstruktiv dhe i vazhdueshëm politik mbetet shumë i rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të reformave”.  Me fjalë të tjera, mungesa e një dialogu të vërtetë politik, sidomos midis dy palëve kryesore politike, mbetet diçka për t’u dëshiruar dhe si e tillë një pengesë në rrugën e integrimit. Ndonëse pak më herët Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle, kishte rekomanduar dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, ai ja ”hodhi topin” qeverisë shqiptare duke thënë se, dhënia e statusit të vendit  kandidat, Tiranës: ”Tani është në dorë të qeverisë shqiptare”, në qoftë se është serioze për të plotësuar kushtet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjithë.   Megjithëse, besohej se gjatë vitit të kaluar ishte përmirësuar disi klima e qëndrimit të Europës ndaj Shqipërisë dhe zbatimit të kushteve, vendimi i BE-së të martën erdhi si një pasqyrim i një doze të madhe të realitetit të gjendjes, jo si një “tush i ftohët”, por si një goditje e rëndë ndaj aspiratave të Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si njëri ndër kombet më të vjetra të kontinentit për të zënë vendin e vet aty ku i takon, në bashkësi me kombet e tjera të Europës.

Si është e mundur që shqiptarët, të cilët janë kombi që favorizon me përqindje dërmuese anëtarësimin  në Bashkimin Europian, është më larg këtij qëllimi se pothuaj çdo komb tjetër, 20 e sa vjet pas rënies së komunizmit. Pse kjo vonesë dhe pse kaq gjatë?! Kujt i intereson mosintegrimi i shqiptarëve. Statusi i kandidatit është vetëm fillimi. Dhënia e statusit, si të thuash, do të dukej vetëm si shenjë e vullnetit të mirë europian ndaj Shqipërisë -gjë që nuk ndodhi – në rrugën e saj të gjatë drejtë integrimit dhe asgjë tjetër. Sepse raporti i Komisionit Europian e bën të qartë se, problemet vërtetë të mëdha për negociata me Shqipërinë mbeten për periudhën kur të bisedohet për vet pranimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që siç tha pardje për Deutsche Vvelle, Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, mund të marrë 8-10 vjet. Tani lind pyetja se sa serioze është Europa për anëtarësimin e Shqipërisë.  A nuk meritonte Shqipëria një konsideratë sa Rumania dhe Bullgaria, apo nga keq llogaria e parakohshme ndaj meritave të anëtarësimit të këtyre dy vendeve dhe ndofta ndonjë tjetri, tani e paguan Shqipëria. Pyetja tjetër më me rëndësi është se sa serioze dhe sa e sinqertë është në të vërtetë klasa politike shqiptare, që Shqipëria realisht të hyjë në rrugën drejtë integrimit europian.  Kërkesa e Europës duhet të jetë angazhimi njëherë e mirë i pozitës dhe opozitës shqiptare për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe për të adaptuar standardet politike dhe ekonomike që u janë kërkuar të gjithëve për anëtarësim.  Këto standarde dhe këto kritere për anëtarësim në klubin që quhet Bashkimi Europian, nuk janë as të reja, as nuk kanë ndryshuar që prej miratimit të tyre 20 vjet më parë në Kopenhagë.  Pra, janë gjithnjë aktuale, megjithëse, kryeministri i tanishëm shqiptar, z.Edi Rama deklaroi muajin e kaluar duke hedhur dyshim mbi angazhimin e tij, në një takim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, se: “Bashkimi Europian nuk është më ajo që kemi ëndërruar në fillim, kur nisëm përpjekjet për t’u bërë pjesë e saj”.  Zoti Rama foli me atë rast për “një situatë paradoksale pasi e gjithë kjo”, sipas tij, po ndodhë në një moment, kur Bashkimi Europian nuk është tamam çfarë kishim në mendje kur filluam të luftojmë për të.  Dhe sa më shumë i afrohemi, aq më shumë duhet të trajtojmë me diçka ndryshe nga çfarë kishim ëndërruar”, theksoi Kryeministri shqiptar.  A  donte të hidhte dyshime kryeministri shqiptar me këtë deklaratë se, Shqipëria kishte humbur interesimin për anëtarësimin e saj në BE dhe se ishte më e interesuar tani për aleanca rajonale, pasi ato nuk kanë kushte as detyrime? As klima e politikës së polarizuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit nuk ka ndihmuar në rrugën e integrimit të vendit.  Në të vërtetë, polarizimi politik, mund të jetë një ndër arsyet kryesore të hezitimeve europiane për t’i hapur Shqipërisë dritën jeshile.  Nuk më kujtohet emri i një zyrtari europian disa vite më parë, por më kujtohet deklarata e tij në lidhje me diskursin e ashpër politik në Tiranë, sidomos të debateve në Parlament, i cili pat thënë se, “në qoftë se këta (politikanët shqiptarë) nuk merren vesh me njëri- tjetrin, si mund të presim që ata të merren vesh me ne.”.  E vërtetë ose jo, varet nga pikëpamja e secilit prej nesh, por fatkeqësisht kjo është përshtypja që perëndimorët kanë për klasën politike shqiptare.  Debati politik në Shqipëri duket sikur nuk lë hapësirë për kompromis.  Shumicat qeverisëse, gjatë viteve, përfshirë edhe shumicën e tanishme qeveritare, kanë deklaruar me mburrje se duke pasur shumicën në Parlament, mund të bëjnë çfarë të duan, pa marrë parasysh qëndrimet  e opozitës ose të shoqërisë civile.  Kjo nuk është demokraci e vërtetë, pasi demokracia e vërtetë, përveç shumicës në Parlament, është gjithashtu, dhe ndoshta më me rëndësi, një proces i vazhdueshëm e gjithëpërfshirës, ku duhet të dëgjohen të gjitha palët dhe  të merren në konsideratë të gjithë zërat kundërshtarë, në një frymë tolerance dhe kompromisi për mendimet dhe qëndrimet e të tjerëve.  Është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe konsensusi politik mbi çështje madhore të kombit, siç është anëtarësimi në BE dhe integrimi njëherë e mirë i shqiptarëve, përfshirë edhe Kosovën, në organizmat euro-atlantike. Ky ishte edhe mesazhi i Sekretares së Shtetit Hillari Klinton para Parlamentit shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vitin që kaloi. Duke folur për veten e saj, ajo vuri në dukje se megjithëse, kishte bërë një fushatë të ashpër kundër dhe kishte qenë kundërshtare politike e Presidentit Obama, ajo punoi për ‘të si Sekretare e Shtetit.  Pyetjes se si është e  mundur që si kundërshtare e tillë politike t’i shërbente administratës së Obamës, Hillari Klinton u përgjigj para parlamentarëve shqiptarë duke deklaruar se: “Është krejt e thjeshtë. Ne të dy e duam atdheun tonë”. Hillary Klinton, duke folur si mike e kombit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u bëri sfidë përfaqësuesve shqiptarë që të gjejnë rrugën e sinqertë të bashkëpunimit, “sepse më në fund”, -tha ajo, “udhëheqësit në një demokraci të vërtetë, vendosin interesat e kombit mbi interesat personale dhe partiake”.   Zonja Klinton me të drejtë tha me atë rast se ndonëse Shqiptarët kanë një histori mijëra vjeçare, është ekzaktësisht kjo periudhë në të cilën jetojmë, e cila mund të ketë pasojat më të mëdha që ka përballur ndonjëherë kombi shqiptar për konsolidimin përgjithmonë të demokracisë për brezat e ardhshëm.  Në fjalimin e saj, Hillari Klinton, i drejtoi Parlamentit shqiptar disa pyetje të mprehta që janë edhe sot aktuale, sidomos përballë shtyrjes së dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ndër të tjera, ajo pyeti:  “A do vazhdojë Shqipëria të ndërtojë një qeverisje të mirë?  A do të vazhdojnë udhëheqësit  e saj të sigurojnë besimin e popullit se puna e qeverisë do të japë rezultate të mira?  A do të lini më një anë interesat personale dhe partiake, për të mirë të vendit tuaj?A do të ndërmerrni bërjen e reformave që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët? A do të luftoni korrupsionin që favorizon disa në kurriz të shumicës? A do të vazhdoni të bëni punën e rëndë që nevojitet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, duke qenë të vetëdijshëm se është rruga që ofron paqen dhe progresin për të gjithë qytetarët tuaj?”  Ishin këto pyetje që vetë zonja Klinton tha se, vetëm udhëheqësit shqiptarë mund t’u përgjigjen, por janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe marrje masash vendimtare në qoftë se, -siç tha ajo një vit më parë në Parlamentin shqiptar, -“dëshironi të bëni përparim drejtë anëtarësimit të Shqipërisë në BE, aty ku e kini vendin”, -tha ajo.  “Këtë detyrë, -përfundoi ajo- ua kini borxh fëmijëve dhe brezave të ardhshëm…në një botë mundësish, tolerance dhe gjithëpërfshirëse.”. Shqiptarët meritojnë anëtarësimin në një Europë të bashkuar, e cila i respekton ata si të barabartë me të gjitha kombet e tjera dhe njëkohësisht, shqiptarët meritojnë një qeveri, një opozitë dhe një klasë politike, që do të bëjnë çmos për të bërë të mundur realizimin e kësaj ëndrre shekullore të të gjithë shqiptarëve kudo.