Frank SHKRELI/ Shqiptarët janë një në trojet e veta!

614
Sigal

“Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rimë me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.  Sot kjo familje asht shue.  Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve të historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.  Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore.  Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore.  Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.  Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.” 

Nga fjalimi i At’ Gjergj Fishtës mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris – 1919

Shkas për këtë shkrim u bë një artikull që lexova në faqen e internetit të agjencisë së lajmeve INA me qendër në Shkup.  Redaksia e INA-s me të drejtë ankohet për një problem që e quan aktual, por në të vërtetë është një problem i vjetër dhe i vazhdueshëm.  Por, për më tepër, është një fenomen shqetësues edhe për nga fakti se ka mbijetuar në median shqiptare dhe që në të vërtetë është një shpikje dhe shpifje e politikës dhe medias anti-shqiptare të fqinjëve, që prej shekullit të kaluar, kur shqiptarët në trojet e veta në ish-Jugosllavi, cilësoheshin me lloj-lloj epitetesh fyese për t’i dalluar ata nga “Shqiptarët e vërtetë” të Shqipërisë së cunguar, në përputhje me zbatimin e strategjisë politikës sllave, se shqiptarët nën ish-Jugosllavi nuk janë aty në trojet e veta, por të ardhur.  Agjencia “INA” specifikisht ankohet ndaj disa “mediave në Shqipëri, që vazhdojnë t’i quajnë shqiptarët e Maqedonisë si shqiptaro-maqedonas”, duke shkruar se, epitete të tilla, “përbëjnë një skandal”.  Ajo citon profesorin  e Universitetit të Shkupit, Avzi Mustafa, i cili shpreh zemërimin e tij ndaj këtij fenomeni në median shqiptare duke thënë se: “Duhet të ndërpriten emërtimet e tilla.  Sepse me këto emërtime ata na llogarisin se ne jemi si emigrantë apo diasporë në Maqedoni.  Shqiptarët e Maqedonisë janë autoktonë dhe duhet të llogariten ashtu siç janë, e jo të emërtohen ashtu siç është praktikë në mediat e Shqipërisë, si maqedonas apo shqiptaro -maqedonas.  Në kontekstin gjeografik nëse duhet të përdoret, atëherë le të përdoret ajo që u takon shqiptarëve dhe të quhen shqiptarë të Shqipërisë Lindore. Por, do të ishte më e drejtë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të thirren shqiptarë të Maqedonisë”, u shpreh për Agjencinë INA, Profesori i Albanologjisë në Universitetin e Shkupit, Avzi Mustafa. “Ne jemi një komb, kemi një identitet shqiptar dhe nuk dallojmë më shqiptarët në Shqipëri, ndërsa dallojmë shumë nga maqedonasit”, tha në deklaratën e tij për INA-n, Profesori Mustafa.

Agjencia INA, njofton gjithashtu se, me nismën e saj, një grup intelektualësh së shpejti do i drejtojë një peticion mediave, institucioneve dhe udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë me qëllim që të, ”ndërpriten së përdoruri emërtime të tilla shpifëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë”.  Naser Pajaziti, njëri ndër drejtuesit e Agjencisë së lajmeve INA deklaroi në lidhje me këtë nismë se: “Qëllimi ynë është që të ndërpriten praktika të tillë, sepse konsiderohen si fyese dhe denigruese për çdo shqiptar në Maqedoni.  Me këtë fushatë kërkojmë mbështetje nga mediat, intelektualët shqiptarë dhe institucionet që të ndërpritet emërtimi i tillë i shpifur”, u shpreh Naser Pajaziti, i agjencisë INA.

Kjo nismë e Agjencisë INA meriton mbështetjen e të gjithëve, si një çështje prioritare, sidomos të përfaqësuesve të medias, por edhe të gjitha enteve politike, akademike dhe kulturore, anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi ky nuk është vetëm një problem për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, ndaj të cilëve janë përdorur epitete shpifëse e denigruese.  Nuk ka të falur që media shqiptare të bjerë preh e përdorimit të këtyre epiteteve, kur shkruan për shqiptarët në trojet e veta.  Mediat dhe politika sllave që i kanë shpikur këto epitete fyese ndaj shqiptarëve, i kanë përdorur dhe vazhdojnë t’i përdorin për qëllime të caktuara politike dhe gjeopolitike.  Por, këtë nuk duhet ta bëjnë media dhe politika shqiptare.  Në përpjekje për të përçarë e sunduar, politika sllave i përcaktonte shqiptarët që jetonin në trojet e veta në ish-Jugosllavi, me termin denigrues “shiptari” ose me epitetin edhe më denigrues, “shiftari”, për t’i dalluar ata nga shqiptarët e Shqipërisë, termi sllav për të cilët është “albanci”.   Qëllimi i kësaj politike shekullore anti-shqiptare nga fqinjët ishte që të zhdukeshin gjurmët e karakterit të kombit shqiptar në tokat e pushtuara prej tyre,  siç ka thënë edhe At’ Gjergj Fishta në Konferencën e Paqes në Paris pothuaj 100 vjet më parë është,  “për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasur ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.”  Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të vënë mandej paqen”. Prandaj, gjithnjë sipas Fishtës në të njëjtin fjalim, pasi “shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare” si e tillë atëherë,  të gjithë shqiptarët kudo, sidomos brenda kufijve të vetë etnikë dhe gjeografikë, duhet të përdorin parime të njëjta drejtshkrimore në lidhje me përcaktime të tilla në media, por edhe në prononcime e deklarata politike, si një ndërmarrje kjo e pandashme e ndërgjegjes dhe e identitetit të përbashkët kombëtar.