Frank SHKRELI/ Shqipëria, atëherë dhe sot

663
Sigal

Turp e faqe e zezë për ata që i fusin fëmijët e kësaj moshe në këtë siklet indoktrinimi – Ku ishin prindërit?

Në të vërtetë këto fotografi, që kanë shokuar lexuesit dhe shikuesit, e që janë përhapur si zjarr në internet, flasin vet dhe nuk kanë nevojë për ndonjë koment.  Thuhet se, fotografia ka vlerën e një mijë fjalëve. Për të mos u zgjatur shumë, duhet thënë se përpjekjet e disa qarqeve politike në Shqipëri, për të sjellë në vëmendjen e popullit – përfshirë përdorimin e fëmijëve të pafajshëm -figurën e Enver Hoxhës, të ideologjisë dhe regjimit të tij diktatorial, janë sa të shëmtuara aq edhe të pafalshme për një vend anëtar të NATO-s dhe për një shtet që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.  Dihet se këto nuk janë grupe jashtë proceseve politike të  shtetit dhe qeverisë -sepse çdo vend ka grupe të çmendurish që veprojnë jashtë institucioneve. Kemi edhe këtu në Amerikë të tillë, por në rastin e Shqipërisë  kemi të bëjmë me organizata/parti/shkolla, si dhe me individë që udhëheqin ose që kanë udhëhequr Shqipërinë e që ende janë  në pozita kyçe partiake e qeveritare, përfshirë edhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë.   Skena të tilla shëmtuese për të glorifikuar  komunizmin dhe protagonistët e tij në një nivel të organizuar zyrtar siç po ndodhë në Shqipëri vit pas viti, nuk ka ndodhur askund në Europën Lindore, me përjashtim të Rusisë së Putinit.

Gjatë dy dekadave të kaluara, si shumë shqiptarë të tjerë brenda dhe jashtë trojeve tona, kisha shpresën se në Shqipërinë tonë të vuajtur do të ndodhte, më në fund, një ndarje historike njëherë e mirë, e të mirës nga e keqja dhe nga tragjeditë që kanë pllakosur kombin shqiptar me dekada dhe me shekuj.  Shpresohej se më në fund kombi shqiptar po çlirohej nga influenca e ideologjive të huaja si dhe nga robërimi nga të huajt.  Ky spektakël i shëmtuar i 5 Majit në Shqipëri, tregoi edhe njëherë hipokrizinë e kësaj klase politike të këtyre 20 viteve të fundit, jo vetëm ndaj botës, por më tepër ndaj popullit që ajo përfaqëson.  Ishte në të vërtetë edhe një provë tjetër e mos vullnetit të këtij brezi politikanësh për të shkëputur veten dhe shoqërinë shqiptare nga trashëgimia e komunizmit.  Është kjo një klasë, e cila  ka refuzuar të hapë dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgënjeshtron të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijërave viktimave të këtij regjimi, fati  dhe as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.

Presidenti Ronald Reagan në fjalimin e tij më 1983-n mbi “Perandorinë e së keqes”, ku i referohej regjimeve komuniste të asaj kohe, ka thënë se në botë ekzistojnë e mira dhe e keqja. Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona, ka thënë Reagan, duke shtuar se edhe “kombi ynë amerikan ka një trashëgimi të së keqes me të cilën duhet të përballemi dhe ta luftojmë. Por, “Krenaria e këtij vendi,”  ka thënë Ronald Reagan, “është aftësia e tij për të kapërcyer të këqijat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotua se nuk do ndodhin kurrë më.  “Ne nuk guxojmë t’i kthehemi kurrë më asaj historie. Në atdheun tonë, nuk ka vend për racizëm, anti-semitizëm ose lloje të tjera urrejtjesh etnike ose raciale”.  Presidenti Reagan i konsideronte ideologët dhe diktatorët si individë që i shërbenin së keqes.  Ai ka thënë se, të këqijat më të mëdha të kësaj bote nuk ndodhin, “As në kampet e përqendrimit as në kampet e punës së detyrueshme. Por të këqijat më të mëdha, ndaj njerëzimit, – ka thënë ai – “konceptohen dhe planifikohen në zyra të ngrohta, me drita dhe të shtruara me qilima,  nga njerëz të qetë, të veshur me këmisha të bardha e kravata”.  “Këta, -ka thënë ai -janë më të rrezikshmit, sidomos atëherë kur njerëzit e mirë nuk i kundërshtojnë”.  Njerëzit e ndershëm, sipas Reagan-it, duhet ta njohin të keqen që vjen nga këta ideologë diktatorial dhe mbështetësit e tyre  dhe ta luftojnë atë, sepse si të gjithë diktatorët para tyre, ata gjithmonë kërkojnë që dalëngadalë,  t’i shtrijnë këmbët në të gjitha sferat e jetës.

Nderimi i dëshmorëve është një gjë, por shfaqja e respektit për simbolet e regjimit komunist është diçka tjetër.  Duket sikur këta pjesëmarrës me grusht në kokë, nuk kishin për qëllim nderimin e dëshmorëve, por me aktin e tyre donin të bënin një deklaratë politike të qëllimshme dhe të paramenduar mirë. Ata ndërkohë, e treguan veten se jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar, por njëkohësisht vunë në dukje se janë të pa aftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballet.  Dhe se si të tillë ata me mburrje i thanë botës se gjithnjë janë krenarë të kenë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur.

Ndaj këtyre shfaqjeve të shëmtuara duhet të prononcohen të gjithë ata, të cilët dëshirojnë që  në Shqipëri të mos triumfoi e keqja dhe të gjithë ata që janë serioz që ai vend të mos mbetet në një pozitë inferioriteti moral dhe të zhvillimit demokratik në Europë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Fatkeqësisht, shpeshherë gjatë historisë së kombit shqiptar, në luftën midis të mirës dhe të keqes, duket sikur një numër i vogël, mbështetës i të së keqes, ka fituar gjithmonë.  Kjo ka ndodhur sepse – sipas filozofit irlandez, Edmund Burke – “Që e keqja të triumfojë, nevojitet që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, për të kundërshtuar të keqen”. Ata mbeten vetëm spektatorë, të cilët me moskundërshtimin e tyre ndaj së keqes, ndihmojnë ndofta pa ditur, që e keqja më në fund të triumfojë ndaj së mirës. Ndaj i dashur lexues, cila fotografi paraqet të vërtetën mbi regjimin komunist të Enver Hoxhës: Fotografia e eksodit biblik të shqiptarëve më 1991, apo fotografia e klasës së re politike shqiptare veshur me këmisha të bardha e kravata, duke bërë nderimet e turpshme regjimit të ish-diktatorit më 5 Maj?!