Frank Shkreli: Shenjtëresha e shqiptarëve, Nënë Tereza

597
Lajmi u përhap zyrtarisht të premten nga Vatikani me një njoftim të posaçëm për median dhe për të gjithë të interesuarit se të enjten, me rastin e 79-vjetorit të lindjes së tij, Papa Françesku miratoi Dekretin, që do të çojë në shenjtërimin e Age Gonxhe Bojazhiu e njohur si Nënë Tereza. Në njoftimin e Vatikanit thuhet se gjatë një audience të posaçme të enjten me Kardinalin Angelo Amato, Prefektin e Kongregacionit të Kauzave të Shënjtërimit, Papa Françesku pranoi dokumentin në bazë të cilit, Udhëheqësi i Kishës Katolike njohu dhe miratoi ndërmjetësimin e Nënë Terezës në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm, të papritur, të plotë dhe të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru. Burri brazilian u shërua në vitin 2008.
Në vitin 2008 braziliani u shërua në mënyrë të papritur, të jashtëzakonshme e të plotë, sipas hetimeve të Vatikanit. Në njoftimin zyrtar të Vatikanit thuhet në lidhje me shërimin e mrekullueshëm se më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, i cili ishte në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale, gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysëm ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme, sipas ekspertëve të mjekësisë. Sipas Vatikanit, mrekullia që i atribohet Nënë Terezës, është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj pra që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja, thuhet në njoftimin e Vatikanit. 
Pranimi dhe miratimi nga Papa i Dokumentit në lidhje me mrekullinë e Nënë Terezës, është mrekullia e dytë dhe akti përfundimtar që i hap derën shenjtërimit të Nënë Terezës, “Ëngjëllit të të varfërve”, siç e ka cilësuar vet miku i shqiptarëve, Papa Françesku. Ishte një papë tjetër, Papa Gjon Pali i Dytë, i cili gjithashtu konsiderohet mik i shqiptarëve, i cili, ndonëse rregullat kishtare kërkojnë një pritje prej pes vitesh para se të mund të fillojë procesi për shënjtërim, Papa Gjon Pali i II ndryshoi rregulloren me këtë rast dhe beatifikoi Nënë Terezën më më 2003, që është hapi i parë drejtë shënjtërimit. Vatikani refuzoi të përcaktonte një datë për shënjtërimin e Nënë Terezës, por media të ndryshme italiane dhe europiane kanë spekulluar se mund të bëhet shtatorin që vjen, që përkon me përvjetorin e ndarjes së saj nga kjo jetë.
E lindur në Shkupin shqiptar më 26 gusht të vitit 1910, e lumtura Nënë Tereze dhe urdhëri murgeshave të themeluar prej saj njihet anë e mbanë botës si bamirëse dhe mbështetëse e më të varfërve të kësaj bote. Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Për punën e saj, ajo është shpërblyer edhe sa ishte gjallë e vepronte në këtë jetë, me shumë dekorata kishtare dhe ndërkombëtare të kësaj bote në të cilën jetojmë, përfshirë Medaljen Presidenciale për liri nga Presidenti amerikan Ronald Reagan, Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan, si dhe me dekorime dhe çmime nga shtete dhe organizata ndërkomëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në vitin 1979, Nënë Tereza mori Çmimin prestigjioz të Nobelit për Paqe. Më atë rast ajo pat thënë se nuk e meritonte një çmim të tillë, por do e pranonte në emër të “uriturve, atyre të pa strehë, sakatëve, të verbërve dhe në emër të gjithë atyre që e ndjejnë veten të pa dashur dhe të pa kujdesur nga shoqëria ku jetojnë”. 
Kryeipeshkvi Thomas D’Souza i Kalkutës së Indisë, ku ka shërbyer më së shumti Nënë Tereza, vendimin e Papa Françeskut për miratimin e Dokumentit për shënjtërimin e Nënë Terezës e cilësoi si një “Dhuratë të vërtetë me rastin e Krishtlindjes që Ati i Shënjtë i ka dhuruar Kishës”, sidomos Kishës në Kalkuta. Ai i tha Radio Vatikanit se kemi pritur për një kohë të gjatë për këtë moment dhe tani që ky moment është realitet, jemi jashtzakonisht shumë të kënaqur me vendimin e Papa Françeskut.
Mund të thuhet se edhe shumica e shqiptarëve kudo, jo vetëm katolikë, por të gjitha feve, janë të kënaqur sot tej mase për këtë vendim të Papa Françeskut për të shënjtëruar Bijën më të madhe të kombit shqiptar, Nënë Terezën, të cilën Dr. Lush Gjergji, biografi i jetës dhe veprimtarisë së saj, e ka cilësuar si, “Shënja dhe shpresa e mbarë njerëzimit, simbol i mirësisë dhe i dashurisë vetmohuese e cila nuk ka skaj, por në plotësi jepet për Zotin dhe për të afërmin”. Dom Lush Gjergji ka shkruar gjithashtu në librin “Nëna Jonë Tereze” se ajo është “Dhurata më e madhe që ne, ipeshkvia jonë dhe populli ynë i dhamë Zotit, Kishës dhe botës dhe njëkohësisht” shkruan ai, ajo është një, “Dhuratë – dhantia dhe ngushëllimi më i madh që Zoti i na i dha neve sot, në ditët tona”.
Në një artikull me rastin e 103-vjetorit ë lindjes së Nënë Terezës, kisha komentuar se, ndërkohë që bota sot – për arsye ideologjike, politike, materiale dhe ndasive të ndryshme dhe urrejtjeve – përballet me terrin e shpirtit dhe me mungesën e dashurisë për njëri tjetrin, Nënë Tereza gjithnjë, por sidomos në këtë moment, qëndron para botës si një simbol i një shprese të qëndrueshme, për një jetë më të mirë dhe si simbol i mundësisë së ndryshimeve pozitive përballë sfidave personale dhe shoqërore të njeriut dhe të shoqërisë ku jetojmë.
Kjo shpresë dhe besimi në mundësinë për të kryer vepra të mira në shërbim të tjerëve të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, rrjedhë nga fakti se ajo besonte se çdo njëri prej nesh posedon aftësinë, mirësinë dhe dashamirësinë për vepra të mëdha. Vetë Nënë Tereza nuk besonte se ajo ishte unike ose e veçantë dhe nuk kishte ndonjë sistem shtetëror ose të ndonjë organizate botërore që të mbështeste veprimtarinë e saj, ndaj për këtë arsye, trashgëmia e kësaj murgeshe katolike shqiptare mbetet edhe sot e respektuar anë e mbanë botës, nga pothuaj të gjithë njerëzit e ideologjive dhe feve të ndryshme, përfshirë edhe ata që nuk besojnë. Ky mesazh i Nënë Terezës – që është dashuria për njërin tjetrin – është sot më i nevojshëm se kurrë, sidomos në radhët e shqiptarëve, por edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë kudo dhe kurdoherë. Për realizimin e respektit dhe të dashurisë, megjithë ndryshimet midis nesh, tashti kemi Nënë Terezën, shënjtoren tonë, ndërmjetëse pranë Perendisë – që t’i drejtohemi për ndihmë: Nëna Terezë, lutu për shqiptarët!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal