Frank Shkreli: Shembull, se si nuk duhet të bëhet intervista

708
Fjala është për intervistën e fundit që zhvilloi gazetarja shqiptare, Rudina Xhunga me Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Dua të them që nga fillimi se nuk jam kundër idesë që të intervistohen persona, si Nexhmije Hoxha – të cilët në emër të një regjimi ose në emër të ndonjë ideologjie – në jetën e tyre kanë bërë krime që madje mund të cilësohen edhe si krime kundër njerëzimit; diktatorë që kanë vrarë dhe u kanë shkaktuar vuajtje të pa-imagjinueshme fizike, shpirtërore dhe familjare mijëra e mijëra bashkëkombësve të vet gjatë sundimit të tyre. Në këtë rast subjekt i intervistës ishte Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e njërit prej udhëheqësve komunistë më të urrejtur botërorë të shekullit të kaluar. Përkundrazi, dëshiroj të rrëfej se jam në favor të intervistave të tilla, përfshirë intervistën me Nexhmije Hoxhën, por jo si në këtë rast kur subjekti i intervistës ishte jo vetëm bashkëshortja, por për më tepër, dora e djathtë e diktatorit. Unë nuk fajësoj gazetaren Xhunga për bërjen e intervistës me Nexhmijen, por unë nuk jam dakord me mënyrën se si ajo zhvilloi atë intervistë.

 Do të ishte më mirë të mos bëhej fare intervista se sa gazetarja të pranonte ndonjë kusht më përpara, për sigurimin e intervistës me Nexhmije Hoxhën, se cilat do të ishin pyetjet dhe cilat subjekte mund të diskutoheshin. Me pyetjet dhe me (mos)reagimet e saja ndaj përgjigjeve, gazetarja Xhunga e trajtoi Nexhmijen sikur ajo të ishte ndonjë yll Holivudi dhe jo një pjesëmarrëse aktive në njërën prej tragjedive më të mëdha që ka njohur historia e kombit shqiptar. Megjithëse u bë zhurmë e madhe për intervistën e Nexhmijes si historike, gjykuar nga pyetjet dhe nga përmbajtja e përgjigjeve, intervista nuk ishte as efektive dhe as historike. Në të vërtetë, intervista për nga mënyra se si u zhvillua ishte një ofendim shpirtëror dhe fizik për të gjitha viktimat e atij regjimi gjatë të cilit Nexhmije dhe Enver Hoxha kryesuan dhe e sunduan me dorë të hekurt popullin shqiptar për pothuaj një gjysmë shekulli. Intervista nuk ishte as a balancuar, as objektive dhe as e gjithanshme. Ishte një intervistë ashtu si e kishte paramenduar dhe paracaktuar Nexhmija. Mund t’i ketë pëlqyer ndonjë apologjeti komunist, të cilët me çdo kusht dhe me gjithçka që kanë në dispozicion, ende mbrojnë regjimin enverist. Gazetarja, duket se nuk dëshironte ta ofendonte Nexhmije Hoxhën “gjatë intervistës së fundit” dhe “intime” me të, siç u shpreh edhe Nexhmija, para se t’i “bashkohet Enverit”. Siç duket jo në jetë të pasosur, por në fund të ferrit, pasi ajo thotë se, “nuk jam fare besimtare, jam një ateiste, darviniste”. Sikur nuk e dinte bota shqiptare, Nexhmija “zbulon” gjatë kësaj interviste se as Enveri nuk besonte në Perëndi, por i “respektonte adetet. “Shko pyet viktimat e revolucionit kulturor të 1960-ve në Shqipëri, se si dhe sa i respektonte Enver Hoxha “adetet”. 

E gjithë intervista është një absurditet në ekstrem, qoftë nga pyetjet e gazetares, qoftë nga përgjigjet e Nexhmije Hoxhës. Gjithnjë në përpjekje për të mos ofenduar të intervistuarën, gazetarja i bën asaj pyetje mbi jetën bashkëshortore me Enver Hoxhën, për shtëpinë, për pronat dhe për paratë. Në lidhje me këtë, Nexhmija pohon se çifti komunist paska patur vështirësi financiare dhe materiale dhe shton se njerëzit nuk “e besojnë këtë, por unë e kamë shkruar në ditar, e shkruar e zeza mbi të bardhë” thotë ajo, e si të tillë njerëzit duhet ti besojnë se ajo e ka dokumentuar këtë në ditarin e saj. Sa libra kishte Enver Hoxha? Shumë pyetje depërtuese kjo!!!!!!! Gjithashtu edhe me këtë pyetje, bota shqiptare priste me pa durim përgjigjen që të mësonte për numrin e librave të Enverit, pasi ishte njeri me kulturë të gjerë botërore… Sikur Nexhmija të ishte ndonjë akademike, “Ju lexoni frëngjisht, rusisht”, e pyet atë gazetarja, siç duket në pritje të një përgjigjeje që do të rriste edhe nivelin kulturor të Nexhmije Hoxhës. Pastaj vjen pyetja mbi ndalimin e fesë: a ishte ky vendim personal i Enver Hoxhës, pyet gazetarja. Jo thotë Nexhmija, ky vendim u mor nga baza, “nga poshtë”, nga vet populli. Enveri nuk kishte paragjykime, shton ajo. Enveri nuk kishte paragjykime?! I donte të gjithë si veten! Ai ishte shenjt, të tjerët i kanë fajet! Kryesisht populli, pasi ata “nga poshtë” ndaluan fenë, sipas saj, dhe jo Enveri. Po kush i vrau ata që predikonin fenë? Sipas saj, me urdhër të popullit! U burgosën dhe u zhduken shumë, jo vetëm klerikët e të gjitha feve e sidomos ata katolikë, por edhe të gjithë kundërshtarët politikë të regjimit të Enver Hoxhës madje edhe shumë ish-bashkëpunëtorë të tij. Pretendimi seviktimat e komunizmit dhe familjet e tyre u vranë, u burgosën u internuan, dhe u ekzekutuan nga populli e jo nga regjimi enverist, është një absurditet në ekstrem, të cilin gazetarja nuk e sfidoi asnjëherë. 

Në emër të popullit! I shkreti ai popull shumë vuajti e shumë krime janë bërë në emër të tij. Pasi kishin filluar me zhdukjen e fesë, thotë Nexhmije Hoxha në vazhdim të intervistës së saj plot kontradikta, Enveri bisedoi me Ramizin, si Sekretar i Sektorit ideologjik, si t’i jepnin zgjidhje, si t’i kundërviheshin rinisë në këtë gjë. Në fund të fundit (zhdukja e fesë) kishte një vlerë, ishte çështja e edukimit ateist dhe në fund vendosën që të aprovohej një gjë e tillë. Është tjetër gjë që baza shkoi vetë në ekstrem”, dhe jo regjimi enverist shton ish-gruaja e pare shqiptare. Ndërsa pyetjes së gazetares nëse ajo fliste me Enverin për “Sigurimin e Shtetit, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin? Nexhmije Hoxha përgjigjet: “Jo, janë vetëm legjenda që janë krijuar”. Por njëkohësisht shton duke thënë se “Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot”. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim. ” Pra, vrasjet dhe ekzekutimet, janë legjenda që janë krijuar apo u bënë nga një burrë shteti për arsye të shtetit, për të mbajtur në pushtet regjimin komunist të Enver Hoxhës? Unë nuk e fajësoj Nexhmije Hoxhën që gjen gazetar/e për ta intervistuar sipas kushteve që ajo vendosë, kështu që në muzgun e jetës së saj të përpiqet sado pak të shtrembërojë edhe më shumë historinë në favor të një regjimi që ajo dhe bashkëshorti i saj i imponuan me dhunë popullit shqiptar. Ishte kjo një përpjekje e fundit për të përjetësuar gënjeshtrat mbi të cilat ata kishin ndërtuar një sistem të tërë diktatorial, kriminel dhe të korruptuar. 

Por, “Dielli nuk mbulohet me shoshë”. Pa marrë parasysh se ç’thotë Nexhmija tashti, ose çfarë thoshte Ramiz Alia në intervistat e tija para se të vdiste, historia e komunizmit në Shqipëri – dhe jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Europën Lindore,dhe specifikisht roli i Enver dhe Nexhmije Hoxhës në këtë histori tragjike – dihet mirë tanimë. Është në interesin e Nexhmije Hoxhës që të paraqesë të “vërtetën”, nga pikëpamja e saj. Gjatë intervistës, Rudina Xhunga nuk kundërshton asnjë nga pretendimet dhe deklaratat absurde të Nexhmije Hoxhës. Opinionistë/gazetarë të ndryshëm janë shprehur se nuk ishte detyra e Rudina Xhungës të luante rolin e gjykatëses. Por çdo gazetar/e në qoftë se e konsideron veten si të tillë, në një shoqëri të lirë, e ka për detyrë të përpiqet të zbulojë të vërtetën dhe të kundërshtojë pretendimet fals. Në gazetari duhet të ketë moral njerëzor dhe etikë gazetareske. Roli i gazetarisë së lirë duhet të jetë, mbi të gjitha, që t’i shërbejë të vërtetës, por edhe të jetë informuese dhe edukuese. Fatkeqësisht, kjo intervistë nuk i shërben shtypit të lirë, as nuk është informuese, as edukuese, por duke shtrembëruar të vërtetën mbi regjimin komunist nëpërmjet një prej protagonistëve kryesorë të tij, ajo nuk i shërben as të vërtetës historike. Liria e shtypit është ajo që dallon demokracinë e vërtetë nga diktatura dhe shoqërinë e lirë nga tirania. Më vjen keq të them, por kjo intervistë e Rudina Xhungës me Nexhmije Hoxhën i shërben “këmbë e krye” vetëm përpjekjeve nga apologjetët e atij regjimi që vihen re kohët e fundit në Shqipëri për të arsyetuar dhe për të legjitimuar tiraninë komuniste pothuaj gjysmë shekullore në Shqipëri. Në qoftë se për gazetarët shqiptarë – zbulimi dhe mbrojtja e së vërtetës historike – nuk shikohet si diçka në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të demokracisë, atëherë në Shqipëri nuk ka asnjë shpresë për një shtyp të lirë dhe si rrjedhim as për një demokraci të mirëfilltë afatgjatë. 
Sigal