Frank Shkreli*/ SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

551
Sigal

Gazeta Telegraf/Frank Shkreli*

Të martën, më 20-shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve
të Bashkuara, Ban Ki Moon, hapi debatin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të
OKB-ës, duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë të mbledhur në New York, që “Të
jeni në shërbim të popujve tuaj. Mos përmbysni demokracinë. Mos vidhni dhe mos
keqpërdorni burimet ekonomike të vendit tuaj.  Mos burgosni dhe mos torturoni kritikët tuaj”.
Fjalë të ashpra këto, të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës drejtuar udhëheqësve
të vendeve anëtare, në fillim të punimeve të mbledhjes së 71-të të Asamblesë së
Përgjithshme.

Por megjithë problemet që ekzistojnë anë e mbanë botës, Ban Ki Moon u tha
përfaqësuesve botërorë se, “Duke punuar së bashku, duke vepruar në unitet, ne
mund t’ia dalim”,-shtoi ai, duke u përballur drejtëpërdrejë me sfidat botërore
sëbashku, ndërsa u kujtoi delegatëve të Organizatës Botërore, fuqinë që posedon
çdo individ, për të ndryshuar botën. Në kuadër të mbledhjes vjetore të
Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Neë York-Instituti “Atlantic
Council” me qendër në Washington e që merret me studimin e çështjeve
ndërkombëtare në fushën politike, ekonomike dhe intelektuale, dekoroi të hënën
me çmimin vjetor “Global Citizen” të Qytetarit Global, tre individë të dalluar,
“lidershipi i të cilëve”, sipas këtij enti, “ishte shembullor në përballimin e
tyre me sfidat globale dhe në mbështetje të unitetit ndërkombëtar”. Fituesit e
këtij çmimi prestigjoz ishin Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, Kryeministri
i Japonisë, Shinzo Abe dhe muzikanti e kompozitori amerikan, Wynton Marsalis.

Në darkën vjetore shtruar në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrale në New
York për nder të fituesve të këtij çmimi morën pjesë rreth 500 udhëheqës
qeveritarë, tregtarë, ushtarakë, mediatikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile
nga e mbarë bota, përfshirë edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, i
cili i dorëzoi Çmimin e Qytetarit Global, Kryeministrit italian, Matteo Renzi. 

Kryetari i “Atlantic Council”, Jon M. Hunstman, në fillim të darkës,
theksoi rëndësinë që ka uniteti botëror në mbështetje të kauzave të
përbashkëta, në përpjekje për të përmirësuar në përgjithësi gjendjen në botë
dhe për t’u përballur me sfidat historike të kësaj kohe, me objektivin që të
krijojmë një botë më të lirë, më të hapur dhe më të begatë, për të gjithë”,-shtoi
ai.

Duke i dorëzuar dekoratën e lartë Kryeministrit italian, Matteo Renzi, personi
më i ri nga mosha në atë detyrë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry, iu
drejtua pjesëmarrësve, duke thënë se pa marrë parasysh se nga vijmë ose çfarë
profesioni kemi, secili prej nesh si individ dhe të gjithë ne si grup e
konsiderojmë vetën atlanticistë.

Unë, shtoi krye-diplomati amerikan, jam këtu sonte për të nderuar së bashku
me ju kontributin e një udhëheqësi dinamik, por edhe të një udhëheqësi gjithnjë
e më të rëndësishëm në arenën e Kontinentit Europian.  Ai e cilësoi udhëheqësin e ri italian, si një
“Reformator të guximshëm në vendin e tij dhe si një zë të fortë në fushën e
sigurisë së përbashkët”. Në fjalimin e tij kushtuar Kryeministrit italian, Z.
Kerry përmendi Luftën e Parë dhe të dytë Botërore, si edhe sundimin komunist
anë e mbanë Europës për 50-vjet, duke theksuar se para-ardhësit tanë (shtoi ai),
 kishin arsye që themeluan Bashkimin
Europian dhe Organizatën e Atlantikut Verior (NATO). Si rrjedhim, nënvijoi ai, “Kishte
arsye, që udhëheqësit vizionarë, duke filluar nga Çurçilli e Rusvelti dhe deri
tek Adenauri e De Gasperi, u përpoqën të krijonin një komunitet transatlantik
që do të shërbente si një platformë e qëndrueshme në mbështetje të
stabilitetit, begatisë dhe paqes ndërkombëtare”. Të gjithë ne, sidomos personat
që po nderojmë sonte, shtoi ai, jemi mbledhur këtu si ruajtës dhe mbështetës të
atij vizioni, trashëgimi e para-ardhësve tanë europianë dhe amerikanë.

Kryediplomati amerikan, foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e
“mrekullueshme” që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, ndërsa
përmendi njëkohësish,t lidhjet e ngushta familjare, historike dhe kulturore që
ekzistojnë  midis dy vendeve dhe të cilat,
theksoi Z. Kerry, janë të çimentuara në vlerat tona të përbashkëta. Këtu në
Amerikë, një vend dhe një kontinent i emëruar pas emrit të një biri tjetër të
Firencës (Amerigo Vespuçi), përfundoi Z. Kerry, jemi të kënaqur që Italia
qeveriset sot në drejtim të duhur nga një udhëheqës guximtar dhe në përputhje
të plotë me lidhjet dhe vlerat trans-atlantike.

Nga ana e tij, duke pranuar dekoratën, Kryeministri Italian Matteo Renzi, foli
mbi rëndësinë e udhëheqjes globale dhe shtoi se, “Qytetaria globale nuk është
një çmim ose dekoratë në vetvete, por është një përgjegjësi që duhet të
ushtrohet nga të gjithë. Ne nuk mund të humbasim vlerat tona, duke mos respektuar
dinjitetin e çdo personi”, u shpreh udhëheqësi italian Matteo Renzi duke
pranuar dekoratën e Këshillit të Atlantikut. “Duke mbrojtur dinjitetin e
secilit person, mund të humbasim disa vota, por ne nuk mund të humbasim vlerat
njerëzore në këtë proces”,-përfundoi ai.

Këshilli i Atlantikut, dekoroi edhe Kryeministrin e
Japonisë, Z. Shinzo Abe, për shërbimin e tij të gjatë publik dhe për udhëheqjen
e tij të jashtëzakonshme për sigurimin e paqes rajonale dhe për angazhimin e
tij të vendosur, në përforcimin e ekonomisë japoneze.

U dekorua gjithashtu edhe muzikanti i famshëm amerikan, Wynton
Marsalis, i njohur botërisht jo vetëm për muzikën “Jazz”, por edhe si ambasador
kulturor, i cili i ka kushtuar gjithë jetën arteve dhe edukimit në fushën e arteve
anë e mbanë botës, që me veprimtarinë e tij ka zhdukur pengesat midis artistëve
dhe muzikantëve, në të dy anët e Atlantikut. Muzikanti i mirënjohur Marsalis,
pranoi dekoratën e “Qytetarit të Botës”, duke u thënë të pranishmëve, se “Kur
politika dhe financat humbasin rrugën e duhur, atëherë ne duhet t’u kthehemi
rrënjëve tona, tek kultura.”  

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Ban Ki Moon, u tha udhëheqësve
botërorë të martën, se ndonëse një botë e perfeksionuar mund të duket shumë
larg në horizont, mundësitë për realizimin e një bote të tillë ekzistojnë në
secilin prej nesh, po të duam të veprojmë në të mirën e përbashkët dhe në
unitet me njëri tjetrin.

Tre të dekoruarit nga Këshilli i Atlantikut, konkretisht Kryeministri
i Italisë, Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe muzikanti i mirënjohur
amerikan Wynton Marsalis, në mënyrën e tyre modeste dhe individuale, janë
shembuj të “Qytetarit të Botës”, për t’u ndjekur edhe nga
të tjerët anë e mbanë botës.