Frank SHKRELI/Senatori Xhon Kerri, një mik i shqiptarëve, kandidati numër një për të zëvendësuar Hillari Klinton

79

Ditët e fundit, media amerikane është mbushur me njoftime të cilat duke cituar burime të besueshme thonë se Presidenti Obama kanë mend të njoftojë në ditët e ardhshme emërimin e SenatoritXhon Kerri nga shteti Masaçusets për të zëvendësuar Hillari Klinton në detyrën e Sekretarit të Shtetit. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, që konsiderohet të jetë më popullor janë nga anëtarët e kabinetit të administratës Obama, kanë njoftuar tanimë planet e saj për t’u larguar nga posti më i lartë diplomatik amerikan brenda disa javëve. Specifikisht, rrjeti i televizionit amerikan ABC citon burime të besueshme dhe të afërta me procesin e emërimit, e të cilat thonë se Presidenti Obama ka vendosur tanimë të emërojë Kryetarin e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe ish-kandidatin demokrat për president, Xhon Kerri në postin më të rëndësishëm qeveritar, atë të Sekretarit të Shtetit.

Senatori Kerri njihet si një përkrahës i vendosur i Presidentit Obama, dhe emëri i tij është përmendur si kandidat i mundshëm, pas tërheqjes nga konsideromi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara, Suzanë Rajs – që fillimisht preferohej nga Presdienti Obama, por, e cila u kritikua ashpër nga republikanët për deklaratat që bëri pas sulmit kundër misionit amerikan në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Kris Stivens. Raporte të ndryshme në mediat amerikane lënë të kuptohet se ka mundësi që Presidenti Obama të bëjë njoftimin zyrtar për emërimin e Senatorit Kerri nga mesi i kësaj jave,si pjesë e një pakoje emërimesh të larta, përfshirë edhe emërimin e ish-senatorit republikan Çuk Hejgël në krye të Pentagonit.

Senatori Kerri është i njohur mirë nga publiku amerikan falë fushatës për president të cilën e humbi kundër republikanit Xhorxh Bush më 2004. Në Senatin amerikan ku ka shërbyer për një kohë të gjatë, ai njihet si ekspert në punët e jashtme, një detyrë kjo që e ka ekspozuar atë edhe ndaj ngjarjeve në arenën ndërkombëtare. Si itillë, dhe duke u bazuar në lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Obama, në qoftë se emërohet, ai nuk pritet të ketë ndonjë problem në procesin e miratimit të emërimit të tij në detyrën e Sekretarit të Shtetit, madje as nga senatorët republikanë.

Për fat të mirë tonin, Senatori Xhon Kerri njihet shumë mirë edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe ai e njeh mirë jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikan, por është njohës i mirë edhe i çështjeve shqiptare në Ballkan. Senatori Kerri, si kandidati i Partisë Demokrate për president në vitin 2004, në një njoftim për media të titulluar ‘Xhon Kerri duke punuar së bashku me shqiptaro-amerikanët”, pati deklaruar se, “përkrahte Pavarësinë e Kosovës; përkrahte përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet Euro-Atlantike; përkrahte përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, që të kenë të drejta të barabarta si qytetarë të shoqërive demokratike”.
Senatori Kerri me atë rast vlerësoi komunitetin shqiptaro-amerikan  duke thënë se brez pas brezi, ju “Si amerikanë keni ndërtuar komunitetet tona, duke krijuar mundësi ekonomike dhe begati. Ju vlerësoni familjen, komunitetin, përgjegjësitë dhe oportunitetin”. Në deklaratën e tij drejtuar shqiptaro-amerikanëve gjatë fushatës presidenciale më 2004-n, Senatori Kerri gjithashtu, vlerëson lidhjet e ngushta të komunitetit shqiptaro-amerikan me vendlindjen dhe thotë se “marrëdhënie të tilla e bëjnë vendin tonë të fortë e njëherazi edhe një komb të madhërueshëm’”.  Aishton duke thënë se, lidhje të tilla i ndihmojnë Amerikës të vendosë dhe të ndërtojë miqësi dhe të lidhë aleanca të forta. Prandaj,-tha ai, -nuk është e rastit që populli shqiptar është një ndër popujt më  pro-amerikan në botë”.  Në deklaratën e 23 Korrikut 2004, që siç duket ishte një dokument përmbledhës i mendimeve të tija ndaj shqiptarëve këtu në Amerikë dhe në trojet e tyre në Ballkan,thotë gjithashtu se, beson që, “stabiliteti, demokracia dhe begatia në Ballkan janë në interesin e Amerikës”.  Në lidhje me Kosovën qe shprehur se “propozimet për të ndryshuar ose për ta ndarë atë duke u bazuar në vija etnike nuk ndihmon ndërtimin e një shoqërie multi-etnike as nuk përgatit rajonin për një të ardhme në Europë”. Në fund të deklaratës, Senatori Kerri u tha shqiptaro-amerikanëve se: “Jam krenar që duke punuar së bashku me ju do të realizojmë ëndrrën e shqiptarëve, të aleatëve tanë dhe të të gjithë atyre, të cilët janë të interesuar për një Evropë në paqe, demokratike, të lirë nga frika dhe shtypjet – një Evropë të tërë dhe të lirë nga Baltiku deri tek Deti i Zi….e deri në Adriatik”.

Megjithëse Senatori Kerri nuk ia doli të bëhej president më 2004-n, shpresojmë që tetë vjet pas kësaj deklarate shumë miqësore për shqiptarët dhe ndërkohë që konsiderohet të emërohet si Sekretar i ardhshëm i Shtetit nga Presidenti Obama, Senatori Kerri të ketë ruajtur këto ndjenja miqësore ndaj shqiptarëve.  Gjithashtu, shpresojmë që Senatori Xhon Kerri, në qoftë se emërohet dhe miratohet si numër një i diplomacisë amerikane, të rivendosë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.