Frank Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim”

613
Sigal

        

                                               

                                

 

Kohët
e fundit më ka mbërritur libri me titull: “Lotë-Lavdi e Lumnim”, i Autorit,
Profesorit, Mbrojtësit të të Drejtave të Njeriut, Aktivistit të palodhur të
komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjet kombëtare dhe ish-të burgosurit të
regjimit komunist të Enver Hoxhës, Z. Sami Repishtit.  Libri, që Profesori i nderuar dhe miku dhe kolegu
i shtrenjtë pati mirësinë të më dërgonte, është botuar kohët e fundit nga
“Botimet Françeskane” në Shkodër, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38
martirëve të klerit katolik shqiptar, më 5 nëntor, 2016.  Pikërisht këtyre martirëve u dedikohet kjo vepër,
“Me mirënjohjen dhe respektin ma të
thellë” nga vetë autori, bashkëvuajtës me shumë prej tyre në burgjet e
Enver Hoxhës, me këtë motivacion: “Për 38
Martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruem nga terrori komunist, për
atë madhështi të pa shkallë që përvujtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem,
për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për
atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë
ide, qëllim të vetëm të jetës së tyne…Shërbim për Zotin e krijesën e Tij, që
unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët!”, shkruan Profesor
Repishti në dedikimin e librit kushtuar martirëve të lumnuar kohët e fundit nga
Papa Françesku.

 


librin e tij të ri, “Lotë-Lavdi e Lumnim”, autori flet edhe për marrëdhëniet
midis Shqipërisë dhe Shqiptarëve me Vatikanin, ndonëse ky nuk është qëllimi
kryesor, libri i ofrohet lexuesit shqiptar në trojet tona në Ballkan dhe në
mërgim, ndoshta rastësisht me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve
Shqipëri-Vatikan, që fillim javën e kaluar u shënua me një konferencë në
ambientet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. 

 

Profesor
Sami Repishti ka lindur në Shkodër ku ka kryer studimet e mesme ndërkohë që
gjatë viteve 1939-1944 u angazhua në  rezistencën
kundër pushtimit të huaj, por pa anëtarësim partiak.  I zhgënjyer nga propaganda dhe terrori që
ushtrohej nga Partia Komuniste Shqiptare duke filluar nga viti 1945, Z.
Repishti vendosi të merrte një qëndrim të prerë ndaj regjimit të ri duke
kundërshtuar diktaturën komuniste.  Si
rrjedhim ai arrestohet në vitin 1946 dhe pas 14 muaj torturash të egra nga
ish-Sigurimi i Shtetit dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyrueshme, nga të
cilat bëri 10-vjet në birucë.   Lirohet në vitin 1956 dhe arratiset në vitin
1959, duke arritur më në fund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin
1962.  Si një shenjë e Providencës
Hyjnore, për më shumë se gjysmë shekulli, Profesor Sami Repishti edhe sot
vazhdon misionin e tij profetik, në mbrojtje të të drejtave të njeriut për të
gjithë dhe kudo dhe sidomos në mbështetje të klerit katolik shqiptar, të
vuajtur, të vrarë e të persekutuar, që si i ish burgosur politik, ishte mik i
ngushtë i shumë prej këtyre klerikëve, viktima të komunizmit me të cilët
përjetoi ferrin në burgjet komuniste.  Ai edhe sot refuzon të heshtë për ato që ka parë dhe ka
përjetuar, për të cilat ende vazhdon “për
me tregue”. 

 

Si
viktimë e komunizmit vet, Profesor Repishti, shkruan se, “Zoti e deshi që të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe”.  Ai kujton me respekt disa prej atyre viktimave
të listës së gjatë të klerikëve katolikë që i ka njohur në burgje: “Aristokratin’ me sjellje e mendim, Dom Mikel
Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuajtjen që e mbuloi.
At Frano Kirin, ‘burrë si motit’, i pa frikë, i pa përkulshëm.  At Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si
bleta”, i cili në mfshehtësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frëngjishtja
dhe konsultohej me mue për gjetjen e fjalës më të përshtatshme”, shënon
Profesor Repishti.  Ai kujton edhe
bashkvuajtës të tjerë klerikë, përfshirë “At
Aleks Baçlin, gjithëherë i buzqeshun”, At Çiprian Nikën (‘Vuajtja o biri im, e
ban fitoren ma fisnike!’) dhe ndër të tjerë edhe Dom Ndoc Sumën, i cili sipas
autorit, I plakun e i hutuem, u arrestue në mengjez, u dënue mbas dreke me
20-vjet  burgim, e i cili bënte be se “Pasha
Krishtin nuk di pse më kanë arrestue”.  

 


një prej kumtesava të përfshira në libër, Profesor Repishti shkruan se për “Xhelatët ekzekutues nuk kishte rëndësi fakti
se klerikët e martirizuar, në të vërtetë, përbënin kolonën vertebrore të një
shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga
Skënderbeu e deri në Ditën e Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë
shqiptarizmin për pesë shekuj robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi
gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh
nji rast të vetëm kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë
pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë
e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e tashti vonë në forcimin e nji Shqipnie
të lirë që përpiqet me qenë europiane”, shprehet Profesori.

 

Është
e pamundur që këta martirë, të cilëve u është dedikuar libri dhe Kisha Katolike
Shqiptare në përgjithësi, të kishin një mbështetës më të fortë, një njeri të
penës më të zotin dhe një zëdhënës më të angazhuar dhe më të dedikuar për
kauzën e tyre humane, se sa Profesor Sami Repishtin.  Ai me të drejtë e cilëson veten si “njëni nga legjoni i madh i viktimave të gjalla”,
ndërsa shkruan se, “përvoja ime më
detyron me marrë nji ‘angazhim’, cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve
biblike”, duke e ndjerë përgjegjësinë — me bashkvuajtësin e tij, At Zef
Pllumin, “Rrno vetëm për me tregue”
— si një “imperativ kategorik moral”.  Profesor Repishti ka filluar të tregojë shumë
histori që prej fillimit të viteve ’60 të shekullit të kaluar dhe falë të
Madhit Zot nuk ka të ndalur në këtë mision, ekzaktësisht si një profet biblik
me një mision të shenjtë.  Një numër i këtyre
tregimeve janë përfshirë në librin, “Lotë-Lavdi e Lumnim”, të botuara më herët
në media të ndryshme ose mbajtur si referate konferencash nga Profesor
Repishti, vetëm e vetëm, për angazhimin e tij të përkushtuar, “për me tregue”, si ndër dëshmitarët e
pakët të gjallë të këtyre krimeve të tmerrshme. 
“Me tregue”, shkruan Profesori
ynë, “vuajtjet e vështira të ‘hetuesisë’
në qelitë e errëta të ish-Sigurimit të Shtetit, vitet e gjata në burgjet e
errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë në
moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe oficerëve
kriminelë sadistë prej natyre e specialistë për torturë, të mësueme nga kurset
e nëndheshme, larg na drita e diellit, larg nga sytë e botës”.  

 

Profesor
Repishti shkruan se si dëshmitar okular i atyre krimeve çnjerëzore në burgjet e
Enver Hoxhës, ai e ndjen veten të detyruar moralisht, “që të flasë haptas, sepse heshtja ashtë e pa pranueshme”, shton ai,
dhe se, “me folë do të thotë me thanë të
vërtetën, që pa qenë absolute, për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë
shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë.”

 

 Në një kumtesë mbajtur në një konferencë mbi “Krishtërimin në Shqipëri” dy vjet më
parë, Sami Repishti është shprehur se “Martirizimi
i klerit shqiptar dhe sidomos i klerit katolik nuk mund të ketë qenë i
paqëllimshëm.  Por, sakrificat e tyne do
të njohin vlerësimin e tyne të pLotëë dhe mirënjohjen e përhershme, vetëm
atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne, do të pasunojnë
mendimin tonë dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të
ardhmen”.   Në këtë këndvështrim,
libri i Profesor Repishtit është një mjet i dobishëm për brezin e ri për të
njohur më mirë të kaluarën e krimeve regjimit komunist kundër popullsisë së vet
të pafajshme, me shpresë se nuk do të përsëriten më.

 

Profesor
Sami Repishti pohon në librin e tij më të fundit, “Lotë-Lavdi e Lumnim”, se
arsyeja se pse ai shkruan për viktimat e komunizmit është, “Sepse jam viktimë e pafajshme e regjimit të
krimit dhe kriminelit komunist dhe se denoncimi i tyne justifikon mbijetesën
time.”   Por, ai shton se megjithëkëtë, “Tragjedia komuniste në Shqipëri nuk është
diçka vetëm personale megjith pasionin tim me demaskue dhe me dënue…tragjedia
komuniste ka përpjestime universale dhe si e tillë është tragjedia e
njerëzimit… një tragjedi që na ka bindë sa të aftë jemi na me damtue njani
tjetrin.”  Autori citon shkrimtarin
francez Albert Camus, i cili ka thënë, se i vetmi qëndrim ndaj një bote jo të
lirë është të jetosh një jetë aq të lirë, sa që vet ekzistenca e juaj është një
akt rebelimi.  Profesor Sami Repishti
përfundon duke thënë se, “Ky është
imperativi që na detyron me luftue çdo çfaqje që mund të sjellë përsëri
tragjedi të reja.  Prandaj shkruej, flas,
denoncoj të keqen e madhe: komunizmin”, shkruan ai.

 

I
nderuar Profesor, për këtë qëndrim, historia shqiptare do t’u jetë mirënjohëse,
 përfshirë këtë libër dhe vepra të tjera
si kjo, si dhe për kontributin tuaj prej më shumë se një gjysmë shekulli në
mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta, si mbrojtës
i të pafajshëmve, si zëdhënës i atyre që nuk mund të flasin më dhe si një zë
gjithmonë aktual për të zgjuar nga heshtja ndërgjegjen morale të kombit shqiptar.
Në veçanti, viktimat e komunizmit, të gjallë e të vdekur, përfshirë martirët e
Kishës Katolike shqiptare, të cilëve ua kini dedikuar këtë libër, u janë
mirënjohës përgjithmonë që të vazhdoni të shkruani dhe të flisni të vërtetën dhe
si përherë të denonconi të keqen, me ndershmëri dhe guxim civil, ashtu siç e
kini zakon.  Shpresojmë që libri, “Lotë-Lavdi
e Lumnim”, të jetë një kontribut i rëndësishëm për brezin e ri që të mësojë dhe
ta kuptojë më mirë të kaluarën, duke shpresuar që t’i kujtojë gjithmonë qelitë
e errëta të torturës dhe kampet e vdekjes të regjimit komunist në Shqipëri, të
cilat ju dhe bashkëvuajtësit tuaj i kini përjetuar.  Ashtu siç shpreheni edhe ju, me shpresë se brezi
i ri i shqiptarëve, do të ndërtojë një të ardhme më të mire, jo vetëm për veten
dhe për fëmijët e tyre, por edhe për prindërit e tyre të cilët, “sot vuajnë nga pesha e fajit të heshtjes”. 

 

Shpresojmë
me ju, i dashur Profesor se vëllezërit dhe motrat tona shqiptare kudo, po hyjnë
në një fazë të re të “burrënimit
shpirtëror”, me besim të patundur në Zotin — se punët e Shqipërisë dhe të
kombit shqiptar do të shkojnë mirë e më mirë, siç është shprehur Kardinali i
parë shqiptar Mikel Koliqi.   Shpresojmë,
madje edhe kundër shpresës, pasi shpresa nuk vdes kurrë ose vdes e fundit.