Frank Shkreli: Rusia dhe Serbia humbën luftën kundër katër futbollistëve shqiptarë

151

Nuk ishte kjo thjesht vetëm një ndeshje sportive midis Zvicrës – në skuadrën e të cilës luajnë 4 shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili – dhe Serbisë, në Kaliningrad të Rusisë, por ishte gjithashtu edhe një rast ose më mirë të themi një luftë, që siç duket Serbia dhe Rusia paskan pasur planin për ta bërë me futbollistët shqiptarë, me qëllim për të propaganduar edhe njëherë në opinion botëror, pretendimet e tyre në lidhje me Kosovën, duke përzier një ndeshje normale sportive ndërkombëtare me histori dhe politikë. Kjo përpjekje, natyrisht, nuk është hera e parë. Huliganët serbë me mbështetjen e huliganëve rusë, të sanksionuar nga Beogradi dhe Moska zyrtare kanë bërë ndërhyrje të tilla më parë, por që u janë përplasur në fytyrë. Sipas disa të dhënave në disa medie amerikane, shenjat e para se rusët dhe serbët kishin në mend t’i shpallnin luftë sportistëve shqiptarë të skuadrës kombëtare zvicerane, u panë kur në qendër të Kaleningradit, para se të fillonte ndeshja Zvicër-Serbi, ishin bashkuar grupe tifozësh rusë e serbë, të cilët iu drejtuan stadiumit ku do të bëhej ndeshja, duke kënduar, “Rusia e Serbia, Vëllezër, për gjithmonë”, “Kosova është Serbi”, e të tjera, njofton gazeta amerikane “Nju Jork Tajms”, duke shkruar se rusët e kanë adaptuar Serbinë si skuadrën e dytë të tyre për ta mbështetur në këtë Botëror, pas vendit të tyre. Ndjenjat dhe shfaqjet anti-shqiptare kundër Kosovës u pasqyruan, jo vetëm në stadium, para dhe gjatë ndeshjes midis Zvicrës dhe Serbisë, por edhe në nivelet më të larta të politikës së Serbisë. Gjithnjë sipas gazetës “Nju Jork Tajms”, kur Serbia mundi Kosta Rikën në fillim të turneut botëror, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq u shpreh për mediat se ky vend i Amerikës Qendrore kishte qenë ndër të parat shtete që ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008, një fakt që pak kush e di, ndërkohë që gazeta amerikane citon ministrin serb të ketë thënë se, “Fitorja e Serbisë kundër Kosta Rikës ishte për të një hakmarrje e vogël, por e ëmbël” ndaj këtij vendi të vogël të Amerikës Qendrore.

Kjo fitore (1-0) kundër një vendi të largët të Amerikës Qendrore u bë, në sytë e Serbisë, simbol i një triumfi historik kundër të huajve, shkruan Revista “Foreign Affairs”, duke shtuar se serbët shikojnë çdo fitore të vogël sportive kundër kombeve që, sipas tyre, u kanë bërë padrejtësi, sepse serbët janë lodhur aq shumë nga humbjet e njëpasnjëshme sa që përqafojnë cilëndo fitore qoftë, madje edhe më të voglën dhe më të parëndësishmen, siç ishte fitorja e Serbisë (1-0) kundër Kosta Rikës. Por ndeshja midis Zvicrës dhe Serbisë, pikërisht për arsye të pjesëmarrjes në skuadrën zvicerane të katër futbollistëve shqiptarë, të cilët shënuan dy golat për Zvicrën ishte një ndeshje tepër me rëndësi për serbët. Një fitore e Serbisë me këtë rast do të ishte një fitore kundër Kosovës dhe shqiptarëve, një rast i jashtëzakonshëm për të treguar para botës superioritetin e tyre ndaj shqiptarëve! Sipas gazetës së njohur amerikane, kjo ishte një ndeshje e dominuar me pyetje identiteti dhe përkatësie kombëtare, por edhe lufte e paqeje, sepse lojtarët shqiptarë në skuadrën kombëtare të Zvicrës, përfshirë shënuesit e golave, kanë lindur ose i kanë rrënjët në Kosovë, e cila luftoi për pavarësinë e saj kundër forcave serbe në fund të dekadës së viteve ’90. Fillimisht në stadium nuk pati prova shfaqjesh anti-shqiptare, ndonëse si zakonisht në raste të tilla, pala serbe menjëherë filloi të përhapnin parullat, në bashkërendim me tifozët nacionalistë rusë tanimë të njohur, si “Kosova është Serbi”, “Kosova është zemra e Serbisë” e të tjera. “Nacionalistët serbë shpresonin që në këtë ndeshje me Zvicrën të rivendosnin krenarinë kombëtare, duke mundur skuadrën kombëtare të Zvicrës, të udhëhequr nga yjet e Kosovës. Në vend të “fitores, që prisnin”,ka shkruar revista e njohur amerikane “Foreign Policy” që mbulon politikën e jashtme, “Xherdan Shaqiri, i lindur në Kosovë, u shkaktoi atyre një humbje të turpshme.” Në një garë si kjo, në nivel ndërkombëtar siç është Botërori, pas një fitoreje mbi kundërshtarin, natyrisht se kushdo do shprehte emocionet dhe krenarinë kombëtare, identitetin dhe rrënjët e origjinës. Shfaqja e lojtarëve shqiptarë pas fitores së Zvicrës 2-1 kundër Serbisë – duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dy krenare – ishte një shprehje normale entuziaste e këtyre emocioneve të rastit, por edhe e krenarisë së tyre me prejardhjen shqiptare dhe nuk ishte aspak një shenjë konflikti. Shenja konflikti, janë thirrjet ofenduese të tifozëve serbë për vrasjen e shqiptarëve (ubi, ubi, ubi shiptare) në çdo rast ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe shpalosja e atij që FIFA e ka cilësuar si një flamur të një lëvizjeje nacionaliste paraushtarake serbe në ndeshjen e Serbisë me Kosta Rikën në fillim të lojërave të Botërorit në Rusi. Hipokrizia e këtij populli nuk ka kufi. Është në rregull pra, sipas tyre, që nacionalistët serbë të shpalosin flamuj dhe pankarta fyese nacionaliste anti-shqiptare në ndeshjet e Botërorit, por shqiptarëve, as mos t’u ndihet zëri, as mos të identifikohen si shqiptarë – e që ata të shpalosin simbole kombëtare në raste të tilla para botës, jo se jo. Kur shqiptarët me krenari dhe pa fyer askënd, bëjnë me duar simbolin e flamurit të tyre kombëtar, ky na qenka “provokim” dhe përzierje e politikës dhe e historisë, me sportin. Flamuri i Shqiptarëve, si simbol i paqes, nuk ka pushtuar kurrë asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Humbja e Serbisë kundër skuadrës kombëtare Zvicrës me katër lojtarët shqiptarë, dy prej të cilëve shënuan golat fituese, ishte e vështirë për t’u kapërdirë nga nacionalistët serbë dhe nga Beogradi zyrtar. Revista prestigjioze amerikane “Foreign Affairs” shkruan se, “Për shumë veta në Serbi kjo ndeshje futbolli nuk ishte thjesht një garë kundër skuadrës kombëtare zvicerane – por u konsiderua si një luftë e nxitur nga urrejtjet shekullore, si një rast që paraqet mundësinë për t’i shkaktuar kundërshtarit një varrë të madhe, me qëllim për të dëmtuar psikozën kolektive kombëtare.” Arsyeja, se pse ndeshja kundër një grupi të vogël futbollistësh shqiptaro-zviceranë, mori një rëndësi aq të madhe në Serbi ishte se, sipas kësaj reviste, dueli në Kaleningrad midis Serbisë dhe skuadrës kombëtare të Zvicrës me lojtarë shqiptarë, paraqiti një rast të rrallë për të rivendosur sado pak krenarinë e humbur kombëtare të serbëve. “Politikanët serbë,-përfundon revista amerikane “Foreign Affairs” artikullin e saj mbi këtë çështje,- mund të pretendojnë se nuk e kanë humbur Kosovën, ashtu siç refuzojnë, në mënyrë teatrale, të pranojnë pavarësinë e saj, fakti mbetet se Serbia vetëm vonon pranimin e këtij realiteti politik. Beogradi është krejtësisht i pafuqishëm që të ndryshojë këtë realitet: Kosova është shtet më vete tani dhe Serbia është një shtet në rënie. Në vend që të përballet me “status quon” e re, Serbia ka vendosur t’i kthehet mitologjisë dhe së kaluarës, sepse e ardhmja duket aq e pa shpresë për të”, përfundon komentin e saj revista amerikane “Foreign Affairs”. Katër shqiptarët e skuadrës kombëtare të Zvicrës fituan ndeshjen kundër Serbisë dhe siguruan fitoren domethënëse, falë lojës më të mirë të tyre, por edhe mbështetjen e botës në luftën propagandistike të shpallur kundër tyre nga Serbia dhe Rusia. Ata dolën fitues dhe faqebardhë në fushën e lojës së topit, në opinionin mbarëkombëtar shqiptar dhe ndërkombëtarë, përfshirë zviceranët. Me profesionalizmin e tyre dhe me krenarinë për identitetin e vet kombëtar, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili nderuan veten, familjet e tyre që i kanë rritur në këtë frymë atdhetare dhe njëkohësisht nderuan mbarë Kombin e vet, megjithëse jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Ata janë përfaqësues të denjë të shqiptarëve kudo! Shqiptarët kudo qofshin, në këtë moment, kanë nevojë për ndonjë lajm të mirë dhe për ndonjë arsye për ta ndierë veten krenarë. Fatkeqësisht, politikanët nuk po na bëjnë të ndjehemi krenarë. Por janë sportistët dhe këngëtarët shqiptarë si edhe përfaqësues të profesioneve të tjera, shqiptarë të përhapur anë e mbanë botës që po çojnë lartë emrin e shqiptarit. Falënderues Zotit për sportistët dhe artistët, përfshirë këngëtarët, të cilët me arritjet dhe punën e tyre i kanë sjellë emër të mirë, ndërkombëtarisht, Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shembulli i lartë i këtyre sportistëve është për t’u ndjekur nga të gjithë, por sidomos nga klasa politike aktuale e shqiptarëve. E drejta dhe e vërteta historike janë në anën e shqiptarëve. Kosova nuk është Serbi, siç pretendojnë dhe deklarojnë serbët e rusët dhe nuk është as Turqi, siç ka deklaruar Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan. Kosova është ashtu siç ka qenë gjithmonë: e shqiptarëve dhe e askujt tjetër! E shqiptarëve, brenda dhe jashtë Kosovës, si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili, të cilët i treguan botës se rrënjët i kanë në Kosovë dhe se janë krenarë të shpalosin trimërisht para botës mbarë, madje dhe para një bote jo aq miqësore për shqiptarët, siç është Rusia, simbolin, identitetin dhe vlerat e Kombit, të cilit i përkasin. Me gjithë përballjen me një gjendje që tani për tani mund të duket kaotike në botën shqiptare, sidomos në radhët e politikës dhe për arsye të politikës anti-shqiptare që po luhet në trojet tona nga influencat e huaja – shpesh me bashkëpunimin e elementëve të brendshëm – është në rrezik që Kombin ta marrë lumi. Por mesazhi i rëndësishëm dhe shpresëdhënës është ky: Është ky brez i ri i shqiptarëve, në trojet shqiptare dhe në diasporë, në të cilin kemi shpresën se do vazhdojë të jenë krenarë për identitetin dhe vlerat kombëtare të Kombit të vet, ashtu siç u treguan krenarë përfaqësuesit e denjë të këtij brezi të ri me sjelljet e tyre në Botëror dhe që njëherazi, me hapat e tyre të shpejtë, t’i tregojnë rrugën Kombit shqiptar drejt Perëndimit.