Frank Shkreli * / ROLI I AMERIKËS NË BOTË

534
Sigal

Këtu në Shtetet e Bashkuara javën që vjen mbahen më në fund zgjedhjet për president, duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe të lodhshme, por edhe shumë të shtrenjtë – një fushate gjatë së cilës janë debatuar dhe diskutuar çështje dhe probleme të ndryshme me të cilat përballet vendi, kryesisht ato ekonomike, buxhetore dhe financiare.  Ndonëse punësimi, ekonomia dhe deficiti i buxhetit  federal janë çështjet që preokupojnë më së shumti zgjedhësit amerikanë. Por megjithëse interesimi i elektoratit amerikan për politikën e jashtme është tepër i ulët, në krahasim me problemet e brendshme dhe ato të jetës së përditshme, debati i tretë dhe i fundit midis dy kandidatëve për president, Barak Obama dhe Mit Romni, u përqendrua kryesisht mbi vizionin e këtyre dy burrave mbi marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë në botë.

Ndër çështjet që u diskutuan dhe të cilat tani janë të një përparësie të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane,  ishin luftërat në Irak dhe Afganistan, programi i Iranit për prodhimin e armëve bërthamore, kërcënimet terroriste  nga Lindja e Mesme, politika amerikane ndaj Kinës dhe Rusisë, si dhe roli i Shteteve të Bashkuara si superfuqia e vetme në botë.

Gjatë debatit, siç ka bërë gjatë gjithë fushatës, kandidati republikan Mit Romni e cilësoi Presidentin Obama si të dobët dhe reagues ndaj situatave botërore dhe jo si udhëheqës i një superfuqie botërore. Ndërsa Presidenti Obama e karakterizoi  Guvernatorin Romni si të papërgjegjshëm dhe oportunist në kritikat e tija, duke paralajmëruar se qëndrimi më agresiv i z.Romni ndaj gjendjes në Siri dhe në Iran, mund të rrezikojë një luftë të re, ndërsa vendi po bën përpjekje për t’u  tërhequr  nga Iraku dhe Afganistani.  Z. Romni iu përgjigj akuzave të Presidentit Obama duke i thënë atij se, ”sulmet kundër meje nuk janë një agjendë” e politikës së jashtme,  ndërkohë që z. Obama tha se, Amerika është më e sigurt se katër vjet më parë.  Ndërsa z. Romni e uroi presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit, ai iu përgjigj duke thënë se ”influenca e Amerikës nuk është në asnjë vend të botës më e madhe se ç’ishte katër vjet më parë”.

Debati u ashpërsua midis dy kandidatëve kur z. Romni kritikoi z. Obama për atë që ai cilësoi si ”një turne botëror për të kërkuar falje” për ato që ka bërë Amerika, duke akuzuar presidentin Obama se ai e keqkupton rolin e Amerikës në historinë botërore kur thotë se Shtetet e Bashkuara u kanë “diktuar” vendeve të tjera.   ”Amerika”, shtoi zoti Romni  ”nuk ka u ka diktuar vendeve të tjera, Amerika ka çliruar vendet e tjera nga diktatorë të ndryshëm.”

Debati mbi politikën e jashtme dhe rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë për katër vjetët e ardhshme do të marrë fund më 6 Nëntor.   Por ama një gjë është tepër e qartë, se cilido prej këtyre dy kandidatëve që do të fitoj në zgjedhjet e javës që vjen – do e s’do – do të përballet me një mori problemesh ndërkombëtare, të cilat do të prekin jetën e përditshme të amerikanëve dhe të cilat do kërkojnë angazhimin e plotë të presidentit të ardhshëm  amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara.   Në arenën ndërkombëtare gjithmonë dalin në shesh probleme të paparashikueshme dhe krijohen situata të papritshme, të cilat kërkojnë  dhe nevojitin vëmendjen dhe ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara. Por ndër çështjet në krye të listës që do të kërkojnë, që në ditën e parë, vëmendjen e presidentit  amerikan, cilido qoftë ai, Obama ose Romni, do të jetë natyrisht gjendja në Afganistan dhe pyetja se ç’do të ndodhë në atë vend kur të tërhiqen forcat amerikane më 2014. Një çështje tjetër  shqetësuese për Amerikën dhe për botën është  programi bërthamor i Iranit dhe mundësia e një sulmi izraelit për të ndaluar Iranin që të prodhojë armë bërthamore.  Çka ndodhi me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe”  dhe Quo -Vadis Lindja e Mesme?   Çështjet e tjera kanë të bëjnë me rivalitetet e reja dhe të vjetra të Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe Rusinë.   Pyetja që po bëhet tani është nëse Rusia, me politikat e Putinit, është mike apo armike e Amerikës?   Si duhet trajtuar Kina komuniste dhe roli i saj gjithnjë e më i madh në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake, sidomos kur të merren  parasysh kërcënimet e fundit ndaj fqinjëve të saj në rajonin Aziatik dhe të Paqësorit, përfshirë Japoninë?   Megjithë mbarimit e luftës së ftohët, si Rusia ashtu edhe Kina siç duket e kanë ndër mend të vazhdojnë të kundërshtojnë  influencën amerikane anë e mbanë botës, ndërkohë që regjimet në Moskë dhe Pekin, keqtrajtojnë dhe arrestojnë përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe burgosin kundërshtarët politikë, ndërsa në të njëjtën kohë kanë shënuar rritje të  dukshme të forcave të armatosura dhe atyre policore për të shtypur kundërshtarët politikë.

Por megjithë qëndrimet, që kandidatët për president Romni dhe Obama, pasqyruan dhe theksuan gjatë fushatës në lidhje me politikën e jashtme dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, qëndrimet midis tyre, duke u bazuar sidomos në debatin e fundit që ata zhvilluan mbi politikën e jashtme, nuk dallojnë shumë nga njëri tjetri.   Mund të dallojnë nga mënyra se si i paraqitën  ata këto qëndrime, por në substance mendimet e tyre janë pothuaj  identike.   Të dy kandidatët për president besojnë, siç tha edhe gazeta  Washington Post  se: ”Vlerat politike dhe ekonomike të Amerikës duhet të triumfojnë në botë”. Përputhja e qëndrimeve ndodh pjesërisht nga fakti se, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara, sidomos në kohë krize, gëzon pothuaj gjithmonë përkrahjen e të dy partive kryesore politike në Amerikë, dhe në përpilimin e saj, mbi të gjitha, konsiderohet interesi kombëtar i vendit.  Si e tillë, ajo është një politikë institucionale dhe jo partiake.   Edhe këtë vit, dy kandidatët, përfaqësues të dy partive kryesore, mbi çështje të rëndësishme siç është Irani,  janë në pajtim se Teherani nuk duhet lejuar të prodhojë armë bërthamore. Në lidhje me Afganistanin, të dy kandidatët janë dakord për t’u tërhequr nga ai vend, megjithëse Romni ka thënë se do të jetë më i ashpër se sa administrate e presidentit Obama në marrëdhëniet e Uashingtonit me Rusinë dhe Kinën.   Romni dhe Obama gjithashtu  janë dakord për të mos ndërhyrë ushtarakisht në Siri dhe të dy thonë se ndërhyrja ushtarake në Iran do të ishte alternativa e fundit.  Në një artikull të nënshkruar  nga katër ish-sekretarë shteti (Kondolisa Rajs, Xhejms Bejker, Xhorxh Shultz dhe Henri Kisinger), në përkrahje të Mit Romnit, shkruajnë se: “Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia më e madhe e botës, por mbi të gjitha Amerika vazhdon të jetë vendi më i pa-zëvendësueshëm në botë – nga pikëpamja diplomatike, ushtarake dhe ekonomike”.   Ata thonë se “Amerika  është më e mirë kur ajo merr përsipër rolin  udhëheqës në botë….. një Amerikë e cila mbetet shpresa e botës – e një bote në paqe, drejtësi dhe demokraci”.

Shpresojmë që qoftë Barak Obama, qoftë Mit Romni, cilit do që populli amerikan t’i dorëzoj frenat e qeverisë më 6 Nëntor,  të  punojë për një Amerikë të fortë në fushën ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, pasi një “Amerikë e fortë do të thotë një botë në paqe”.

* Ish- Drejtor i VOA-s për Euroazinë