Frank SHKRELI: Restoranti “Anthony’s Pier 4” nuk është më

577
Sigal

Anthony Athanas, Nderi i Kombit dhe krenaria e komunitetit Shqiptaro-Amerikan          

Mediat e Bostonit në Shtetet e Bashkuara njoftojnë se, restoranti i famshëm i Bostonit dhe për një kohë të gjatë ikona e restoranteve në Amerikë, “Anthony’s Pier 4”, do të mbyllet përgjithmonë muajin e ardhshëm.   Restoranti  “Anthony’s Pier 4”, ishte hapur  në vitin 1963 nga Anthony Athanas, afaristi dhe patrioti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan. Anthony Athanas ndërroi jetë në vitin 2005, në moshën 93- vjeçare.

Historia e tij ishte e një jete që është quajtur ”ëndrra amerikane”, e realizuar me punë të rëndë dhe dedikim. Ish-Senatori Xhon Kerry i shtetit Masaçuset dhe tani sekretar i Shtetit Amerikan ka thënë për emigrantin shqiptar nga Korça se: “Antoni Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo emigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar”. Ai ishte larguar nga vendlindja e tij Korça në vitin 1911 dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara  në moshën 4- vjeçare për t’u bashkuar me babain e tij, i cili ndodhej në Amerikë.  Antoni ishte ndër të parët shqiptarë që zbriti në Amerikë. Nga nevoja për të bërë jetesën dhe i detyruar të punonte, ai largohet nga shkolla në moshën 13- vjeçare dhe punon ditë e natë, shtatë ditë në javë në restorante të ndryshme, ndërsa përpiqej të mbledhë një grusht dollarë për të blerë restorantin e tij të parë në vitin 1938, për 1800 dollarë.  Ndërkohë, Antoni hapë edhe restorante të tjera, por në vitin 1961, ai blenë një truall buzë ujit dhe hapë restorantin që e pagëzon me emrin e tij “Anthony’s Pier 4”, një restorant ky, që brenda një kohe të shkurtër u bë i njohur jo vetëm në Boston, por edhe në mbarë Amerikën.  Për një kohë të gjatë ishte ndër pesë restorantet më të suksesshme në Shtetet e Bashkuara, të ardhurat e të cilit gjatë viteve ‘80-të, arrinin në 12 milionë dollarë në vit, më shumë se çdo lokal tjetër i këtij lloji.  Sipas njërit prej djemve të Antonit, në kulmin e suksesit të restorantit, mbi 600 veta shkonin aty për drekë dhe rreth 3000 veta për darkë, ndërkohë që shpesh duhej të prisje deri në dy orë për të hyrë brenda. Është e qartë se Anthony Athanas ishte shumë i suksesshëm si afarist dhe u bë i njohur në të gjithë Amerikën si pronar lokalesh.  Si i tillë, Antoni kishte mundësitë të njihej me personalitetet më të shquara amerikane të politikës, kulturës dhe botës së artit, që kishin dëgjuar për famën e restorantit të tij dhe të cilin ata e frekuentonin  shpesh.   Provë për këtë janë fotografitë e renditura në mur në lokalin “Anthony’s Pier 4”, përfshirë emrat më të njohur të elitës politike të Bostonit, të shtetit Masaçuset dhe mbarë Shteteve të Bashkuara.  Aty- ndër të tjera-  janë fotografitë e Antonit me personalitete si: Frank Sinatra, Elizabeth Taylor, Xhon Kenendy, Riçard Nikson, Henry Kissinger, Alfred Hitçkok, dhe duzina të tjera figurash të dalluara nga fusha të ndryshme të jetës amerikane.  Megjithëse, u largua nga shkolla në moshën 13- vjeçare për të punuar, për të siguruar jetën e vet dhe të familjes, Antoni Athanas, falë zgjuarsisë së shqiptarit, ai gjatë viteve ka shërbyer edhe si lektor shumë popullor i ftuar nga universitetet më të dalluara të Amerikës, si Harvard Buisness School, Cornell University e të tjera.  Megjithë famën dhe sukseset në botën amerikane, Anthony Athanas mbeti përgjithmonë një patriot, i cili punoi vazhdimisht për të mirën e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e kudo.  Për dekada me radhë, Anthony Athanas ishte njëri ndër figurat kryesore të organizatës pan-shqiptare “Vatra”.  Antoni nuk e zhvilloi punën e tij patriotike, as për nam as për para, pasi ai i kishte të dyja, por si atdhetarët e gjeneratës së tij, ai e bëri këtë vetëm e vetëm se kishte ndjenja të thella  atdhetare, duke mos kursyer asgjë  kur vinte puna tek Shqipëria dhe shqiptarët.  Agim Karagjozi, një bashkëkohës i Antonit dhe ish-kryetar i “Vatrës”, ka thënë  në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, me rastin e vdekjes së Antoni Athanas se: “Ai kishte një krenari dhe ndjenja  të thella shqiptare, prandaj e gjente  kohën, sado i zënë që ishte. Kishte dhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej “Vatrës”, e ndjente këtë si detyrë”.  Për më tepër -vazhdon Agim Karagjozi-“Antoni Athanas ishte trashëgimtari i Nolit në “Vatër”, ishte ai që i siguroi jetën “Vatrës” për shumë dekada.” Antoni Athanas, si bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit dhe Faik Konicës, megjithëse, kishte lidhje të ngushta dhe reputacion shumë të mirë me ajkën e shoqërisë amerikane, ai kurrë nuk harroi rrënjët e tij, kurrë nuk harroi Shqipërinë dhe kombin e tij.  Është e vërtetë se restoranti i tij frekuentohej nga anëtarët më të dalluar të elitës amerikane, por Antoni Athanas, si patriot shqiptar që ishte, i mbante dyert e restorantit të tij gjithmonë hapur edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Më kujtohet disa herë që kam vajtur në restorantin e tij, me bujarinë e tij, Antoni të  bënte të ndihesh sikur të ishe në shtëpinë tënde. Ai të ndeshte dhe të përcillte vet, nganjëherë edhe të shërbente, deri në ditët e fundit të jetës së tij.  E tillë ishte atmosfera  në restorantin e Antonit, për të gjithë shqiptarët, pa dallim.   Ishin të shumta darkat e drekat, mbledhjet dhe festimet e ndryshme, por njëra nga më të dalluarat ishte festimi i 60-vjetorit të gazetës “Dielli” më 1969-n, ku ishin ftuar edhe përfaqësues të arbëreshëve të Italisë.  Ernest Koliqi, pjesëtar i delegacionit arbëresh, e përshkruan kështu në revistën Shëjzat, atë që ai quan ”mrekullinë e mikpritjes” në restorantin “Pier 4” të Antoni Athanas, njërit, sipas tij,  ndër ”shtyllat e papërkulshme të shoqatës “Vatra”.  Koliqi thotë se:  “Ky zotni i njerëzishëm shtroi ato ditë pa para sofra e gostina…dhe me buzë në gaz qerasi të parin e të mbramin, tue ndejë vet në kambë dhe shpesh tue u dhanë dorë atyne që u shërbejshin tryezave. Këtij zotënie i përshtatet njimend fjala derë çelë.” Në kulmin e punës, nga 800 punëtorët që kishte gjithsej, shumë nga ata ishin shqiptarë të posa ardhur në Amerikë dhe të cilët kishin nevojë urgjente për punë.  Më kujtohet se në fillim të 70-ave, Antoni kishte marrë në punë të gjithë familjen e një kunatës time, me të ardhur në Amerikë.  I tillë ishte Antoni Athanas.  Gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, aty janë mbajtur takime me rëndësi të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan për të biseduar mbi hallet e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe për strategjitë për marrjen e  masave për të siguruar përkrahjen amerikane për fatet e shqiptarëve, ekzaktësisht ashtu si në kohën e Nolit e të Konicës.   Ishte përvoja e hidhur e Antonit -kur si fëmijë ai u detyrua nga masakrat greke të shpërngulej  nga vendlindja – ajo që e ndoqi gjithë jetën e tij dhe që e bëri atë të punonte me gjithë mundësitë e tij për të drejtat e shqiptarëve kudo.  Madje, në moshë të shkuar, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, ai i bashkohet një delegacioni të Kongresit Amerikan që vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Antoni Athanas, përveçse ishte një ndër afaristët më të dalluar të Amerikës, ai personifikonte bartësin e atdhetarizmit të frymëzuar nga objektivat e larta të kombit shqiptar.  Mund të mbyllet restoranti “Anthony’s Pier 4”, që ishte krenaria dhe suksesi i tij i madh profesional, por vepra patriotike e Antoni Athanas, njëri prej biznesmenëve më të dalluar të Amerikës dhe të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, nuk do të harrohet kurrë.