Frank Shkreli: Reflektim mbi vizitën e ambasadorit amerikan në burgun e Spaçit

75
Fjala është për një vizitë simbolike, por tepër domethënëse që ambasadori amerikan në Shqipëri, Z. Donald Lu bëri të martën në burgun famëkeq të Spaçit. Menjëherë, sa e pashë në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, më bëri përshtypje të jashtëzakonshme dhe nuk durova dot, ndaj e shpërndava menjëherë ndër kolegët, dashamirësit dhe miqtë e mi. Ë bëra këtë, sepse mu duk si një lajm i mirë, për një gjest human dhe fisnik të një diplomati amerikan, që meritonte të shpërndahej. Z. Lu, që në vitin e parë të mandatit vendosi të vizitonte këtë javë, njërën prej gërmadhave më të këqija të komunizmit shqiptar dhe më gjerë, për të cilën ai duhet të falënderohet. Vizita e ambasadorit Lu, në burgun e Spaçit është me rëndësi simbolike, po se po, por edhe me rëndësi praktike, sepse për një ambasador të ri është me rëndësi që jo vetëm të kuptohet politika e sotme tepër e ndërlikuare Shqipërisë, por edhe e kaluara e saj e errët komuniste, jo aq e largët. Është me rëndësi që diplomatë të huaj të vizitojnë burgjet dhe qendra të tjera të përqendrimit të regjimit enverist. Por është e domosdoshme që edhe autoritetet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar të vizitojnë burgjet dhe kampet e regjimit komunist anë e mbanë Shqipërisë, siç është ai Spaçit, të cilin Ambasadori Lu, e cilësoi si një “dëshmi e brutalitetit njerëzor”. 

Ndonëse faktet tregojnë ndryshe, gjatë këtyre 25 viteve të fundit, qeveri dhe udhëheqës politikë të gjitha ngjyrave kanë thënë dhe thonë se është bërë maksimumi për ish të përndjekurit politikë. Unë do të thosha se “të bërat” morale, të cilat kanë munguar gjatë një çerek shekulli të kaluar, janë më të rëndësishme se të “bërat” materiale. Besoj se vizita e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare shqiptare në këto gërmadha të errëta të komunizmit do të ishte një hap i parë moral drejtë pranimit se ideologjia komuniste e ish-regjimit ishte drejtë për drejtë përgjegjëse për krime kundër njerëzimit. Një gjë e tillë është e domosdoshme, siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Europës, gjë që ndoshta do të kontribonte më në fund, drejtë një debati të ndershëm dhe të sinqertë mbi trashëgiminë komuniste në trojet shqiptare. Një trashëgimi fizike dhe morale kjo, që do a s’do Tirana zyrtare, është dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe këto burgje do të shërbejnë si një kujtesë e një plage të pashëruar, derisa të zhduken nga kujtesa dhe nga vitet që kalojnë. Ambasadori Lu, si asnjë ambasador tjetër amerikan e kupton mirëhistorinë e këtyre burgjeve të tmerrit komunist, pasi siç rrëfehet edhe vet, ai ka një histori familjare për të treguar. Stërgjyshja e tij, tha ai në deklaratën pas vizitës në Spaç, ka vdekur në një burg komunist në Kinë.“Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë”, shkruan ambasadori Lu.

“Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”, shprehet përfaqësuesi amerikan në Tiranë, pas vizitës në burgun e Spaçit. Vizita, që bëri të martën në burgun e Spaçit Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ishte pa dyshim plot simbolizëm dhe me rëndësi publike, dhe duket si një mesazh edhe ndaj autoriteteve shqiptare, se ka ardhur koha të përballen me të kaluarën e historisë së tyre të gjysmë shekullit të kaluar. Në lidhje me këtë, e rëndësishme ishte porosia e tij,“Për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit”, duke nxitur, “Të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”.A mund të imagjinohet një deklaratë e tillë nga ndonjëri prej autoriteteve të sotme shqiptare?
Fjalët e ambasadorit amerikan janë një porosi miqësore, por edhe një sfidë për politikën, për edukatorët dhe për shkollat e vendit, nga përfaqësuesi i një vendi historikisht mik i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. Përfaqësuesi amerikan tërhoqi vëmendjen dhe nënvizoi nevojën e përballimit me historinë dhe me të kaluarën komuniste në Shqipëri, duke cituar aktivisten e të drejtave civile, poeteshën dhe autoren Maya Angelou, fjalët e së cilës janë të gdhendura në një pllakatë në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajë, nuk ka pse të përjetohet sërish.” Nëse historia përballohet me kurajo!Kjo është pyetja. Cili politikan, përfaqësues të pozitës dhe opozitës shqiptare gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri, ka treguar kurajë morale dhe politike për të vizituar deri më sot burgun e Spaçit, ndonjë burg tjetër ose kamp përqendrimi, si një përpjekje për t’u njohur dhe për t’u përballur me atë histori, për veten dhe të tjerët. Cila do të jetë shkolla e parë që do t’i përgjigjet sugjerimit të ambasadorit amerikan dhe të organizojë një vizitë të nxënësve të shkollave fillore në këto gërmadha të territ komunist, me qëllim siç tha ai, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.

”Ambasadori amerikan me qëllim të mirë shtoi se “Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”, duke nënkuptuar se kjo histori është “treguar” tanimë. Fati i keq është se gjeneratës të cilës i referohet ambasadori, nuk i është treguar ende kjo histori ashtu siç duhet dhe në përmasat që duhet t’i mësohet. Por sado qëllim mirë është përfaqësuesi amerikan në porositë e tija, kjo është në radhë të parë detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve politike shqiptare dhe e sistemit arsimor të vendit. Fatkeqësisht, duket se e kundërta po ndodhë, ndërkohë që vihen re tendenca dhe përpjekje, si në asnjë vend tjetër ish-komunist, për rehabilitimin e diktatorit të regjimit komunist madje edhe në raste festash kombëtare, ku marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë të vendit, pa kundërshtuar dukuri të tilla, duke i pranuar si të radhës. Duket se politikanët shqiptarë e gjejnë më të arsyeshme dhe më pak të dëmshme për karrierat e tyre politike, tolerancën ndaj diktatorit, se sa kujtimin e viktimave të tij, si ato të burgut të Spaçit!Është me rëndësi që ambasadori amerikan vizitoi burgun e Spaçit, por megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mund të pajisë autoritetet e shtetit dhe të qeverisë shqiptare me një ndërgjegje morale dhe politike që është e nevojshme për tu përballur me krimet e komunizmit në vendin e tyre. Ka ardhur koha që udhëheqësit e sotëm politikë shqiptarë të pranojnë zyrtarisht këtë kapitull të zi, të historisë moderne shqiptare gjatë së cilës, u vranë dhe vdiqën të izoluar me mijëra bashkatdhetarë të tyre të pafajshëm, gjatë pothuaj gjysmë shekulli të regjimit komunist. Kështu kanë bërë shumë shtete ish-komuniste, tani anëtare të Bashkimit Europian. 

 Rruga e Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian, në qoftë se me të vërtetë Tirana zyrtare është serioze për t’u bërë pjesë e klubit të vendeve europiane me të cilat ndanë gjeografinë dhe kulturën, do të jetë e vështirë, në qoftë se krimet e komunizmit në Shqipëri nuk vlerësohen dhe gjykohen nga pikëpamja ligjore, morale, politike dhe historike, ashtu siç kërkohet nga konventa dhe deklarata të ndryshme europiane. Në qoftë se Spaçi nuk vizitohet me qëllim për të mos harruar kurrë atë histori, atëherë të pakën të vizitohen këto ish-kampe për kuriozitet, për t’u njohur me rrethanat e asaj përvoje tragjike të shumë bashkatdhetarëve të vet, të cilët kanë patur fatin të dalin të gjallë së andejmi. Edhe këta janë shqiptarë dhe pjesë e të njëjtit komb! Mungesa e kujtimit të vrarëve dhe të gjallëve dhe e krimeve kundër tyre, siç ka thënë mbijetuesi holokaustit, Elie Wisel, do të ishte baras me persekutimin dhe vrasjen e tyre për së dyti. Të mbijetuarit e burgut të Spaçit dhe burgjeve të tjera, përfshirë ata të kampeve të përqendrimit, kanë shumë për të thënë mbi përvojën e tyre të tmerrshme, nëpërmjet testamenteve, kujtimeve dhe librave të ndryshëm që janë shkruar, por për arsye të moshës ata mbeten të pakët në numër dhe po zhduken dalëngadalë. Dhe me zhdukjen e tyre, harrohet edhe historia, krimet e komunizmit, si dhe vrasjet dhe vuajtjet e viktimave të asaj tiranie, gjë që sipas nobelistit Elie Wiesel, do të ishte një vrasje e dytë e tyre.
Besoj, se kjo ishte edhe arsyeja që ambasadori amerikan Donald Lu bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi dhe brezit të ri në veçanti,që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.”