Frank Shkreli/ Realitete shqiptaro-amerikane, 25-vjet më pas

606
5 Mars 1991 është data kur u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerjeje prej pothuaj një gjysmë shekulli diktaturë komuniste. Një javë më vonë në Tiranë arriti delegacioni i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara, që autori i këtyre rreshtave pati nderin dhe privilegjin të ishte pjesë e tij. Ishte kjo hera e parë në 50 vjet që diplomatët amerikanë shkelën në Tiranë. Si shënim të asaj vizite prej pothuaj një muaji, po sjell artikullin e bashkangjitur – mesa mbaj mend, i vetmi artikull i një gazete shqiptare me rëndësi të asaj kohe – botuar në gazetën “Rilindja Demokratike” (RD) që sapo kishte filluar të botohej si organ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, shkrim në të cilin përshkruhet arritja e delegacionit amerikan në Tiranë dhe takimi i parë me përfaqësues të PD. Delegacioni amerikan kishte caktuar një ditë pas arritjes në kryeqytetin shqiptar, takimin e parë me përfaqësues të partisë së re të sapo formuar. 

Heshtja e mediave shtetërore

Ndonëse, me sa u informuam në atë kohë, asnjë gazetë e regjimit dhe as radio televizioni shtetëror nuk njoftuan fillimisht arritjen e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Tiranë, gazeta “Rilindja Demokratike” e botoi njoftimin e takimit në faqen e parë të saj, të datës 23 Mars 1991, por siç mund të shihni nga artikulli, pa ndonjë eufori dhe pa asnjë koment të drejtë për drejtë ose të tërthortë mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje – sigurisht pa shfaqje euforike që u akordohet sot lidhjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nga zyrtarët dhe nga media shqiptare. 
As takimet e mëvonshme të delegacionit të parë amerikan me faktorë të tjerë politikë të vendit, nuk u pasqyruan në shtypin zyrtar të kohës. Kuptohet se regjimi i Ramiz Alisë ishte gjithnjë në fuqi dhe duket se gjithkush ishte tepër i kujdesshëm mbi ato që shkruanin. Por, ama mungesa e entuziazmit zyrtar për praninë e delegacionit të parë amerikan, më shumë se u trefishua nga pritja tepër entuziaste që i bënë delegacionit shqiptarët e thjesht anë e mbanë vendit, nga Shkodra e deri në Vlorë.
SHBA, partner strategjik i Shqipërisë 
Ndërkaq, një vit më parë në Tiranë, “Qendra Shqiptare e Politikave” organizoi konferencën me titull “SHBA, partner strategjik i Shqipërisë”, me rastin e përvjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu si dhe zyrtarë të tjerë, të cilët sipas “Zërit të Amerikës”, në atë tubim ata theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë tani midis Uashingtonit dhe Tiranës dhe njëkohësisht u zotuan për bashkëpunimin midis dy vendeve për përballimin e sfidave aktuale. Mirëpo, nga këndvështrimi 25 viteve më parë, si dëshmitar i atij mjerimi të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik të regjimit komunist, i cili kishte kapluar Shqipërinë e Marsit të vitit 1991, është vështirë të besohet se sot, 25 vjet më vonë, populli shqiptar, siç tha edhe ambasadori Lu, vazhdon të përballet me ose të vuaj nga trashëgimia e regjimit komunist. Por megjithëkëtë, si atëherë ashtu edhe sot, siç theksoi edhe Ambasadori Lu në konferencën e Tiranës, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë”. Atë besim kishin edhe 25 vite më parë, ku u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Besimin se duke marrë parasysh trashëgiminë dhe pasojat e tmerrshme të regjimit komunist në shoqërinë shqiptare, Shqipëria do të shkundte njëherë e mirë trashëgiminë e njërit prej regjimeve më të egra komuniste të botës brenda një kohe të shkurtër dhe se do të dinte të çmonte lirinë dhe demokracinë, me qëllim të ndërtimit të një jete më të mirë për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve. Në konferencën kushtuar përvjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Ambasadori Lu theksoi gjithashtu se, “SHBA besojnë në Shqipërinë dhe jo në ndonjërën parti politike ose udhëheqës të vetëm politik”. “Ato besojnë”, theksoi diplomati amerikan “në aftësinë e shqiptarëve të guximshëm që të ndërmarrin bërjen e ndryshimeve të nevojshme dhe që të bëjnë sakrifica për veten dhe për fëmijët e tyre”. Është ky një mesazh i rëndësishëm që duhet të përsëritet shpesh nga diplomatët amerikanë, se marrëdhëniet midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar janë midis dy popujve dhe nuk mund të ndryshojnë, të përdoren ose të keqpërdoren si t’i teket një partie politike të rastit ose një udhëheqësi të përkohshëm politik. 

Vlerat e përbashkëta perëndimore

Si të tilla, ato marrëveshje duhet të bazohen jo vetëm në marrëdhëniet politiko-ekonomiko-ushtarake, por mbi të gjitha duhet të bazohen në vlera të përbashkëta, në këtë rast në vlerat perëndimore. Jo se Amerika dhe perëndimi në përgjithësi janë shoqëri të përsosura dhe pa gabime e pa probleme, por marrëdhëniet e Amerikës me shumë vende, sidomos me ato të Europës Perëndimore janë të bazuara, mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore që historikisht ndajnë me ato shtete dhe popuj, pa marrë parasysh se cila parti ose cili udhëheqës është në pushtet në një kohë të caktuar. Të tilla duhet të jenë edhe marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Tiranës, të bazuara në vlerat e përbashkëta të një shoqërie e cila duhet të distancohet tanimë njëherë e mirë nga trashëgimia e tmerrshme e komunizmit duke luftuar krimin, dhunën dhe korrupsionin. Në këtë përvjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, le të shpresojmë me ambasadorin më të ri amerikan në Tiranë i cili, në emër të shtetit që ai përfaqëson, shprehu besimin e tij se më në fund, “shumica e shqiptarëve, të cilët janë të ndershëm dhe me integritet do të triumfojnë mbi ata të cilët përfaqësojnë krimin, dhunën dhe korrupsionin”. Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu u angazhua se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët në këtë betejë të rëndësishme. Kjo është një mbështetje e nevojshme, por kjo luftë kundër “krimit, dhunës dhe korrupsionit”, në qoftë se do të dalë me sukses, është një luftë që duhet të bëhet nga shqiptarët dhe se fitorja kundër këtyre të këqijave duhet të sigurohet gjithashtu nga vet shqiptarët, për një të ardhme më të ndritur të kombit shqiptar dhe për të mirën e marrëdhënieve më të forta midis SHBA dhe Shqipërisë, bazuar mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore.
Sigal