Frank SHKRELI/ Qofsh gjithmonë faqebardhë, Sabri Maxhuni!

653
Sigal

Ditët e fundit, media të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë kanë njoftuar lajmin e mirë se biznesmeni nga Kosova, Sabri Maxhuni u ka propozuar autoriteteve në Tiranë dhe në Shkodër restaurimin e shtëpisë, tanimë në shembje e sipër, ku ka jetuar poeti i madh i kombit shqiptar, At’ Gjergj Fishta.  Sabri Maxhuni ka deklaruar për median se, projekti është gati për restaurimin e shtëpisë së Fishtës dhe se ai është i gatshëm, madje, edhe të financojë të gjithë projektin. Ai citohet nga mediat të ketë deklaruar se: “Kam bërë projektin se si duhet restauruar shtëpia e At’ Gjergj Fishtës, gjithmonë duke ruajtur origjinalitetin ashtu siç ka qenë”, ka thënë ai.   “Kemi mundësinë për të bërë financimin për restaurimin e saj, prandaj unë besoj se nuk duhet të kemi ndonjë pengesë për këtë”, ka shtuar Sabri Maxhuni. Megjithëse, përsëri sipas lajmeve të fundit në lidhje me këtë propozim, biznesmeni nga Kosova nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga autoritetet përkatëse, d.m.th., nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër.

Le të shpresojmë siç mendon edhe Sabri Maxhuni se, autoritetet përkatëse në Tiranë dhe ato në Shkodër të mos bëhen shkak i ndonjë vonese ose largo Zot, i mos aprovimit të propozimit të biznesmenit nga Kosova për restaurimin e shtëpisë së At’ Gjergj Fishtës, që në të vërtetë duhej të ishte ndërmarrë me kohë nga vet këto autoritete.  A mund të quhet mos reagimi i deritanishëm i autoriteteve ndaj këtij propozimi të Sabri Maxhunit një mos interesim zyrtar apo një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje.

Duket se biznesmeni nga Kosova, Sabri Maxhuni, ndryshe nga autoritetet përkatëse që duhej të kishin ndërhyrë shumë më herët për restaurimin e shtëpisë-muze -e ndërmori këtë projekt i shtyrë nga ndjenjat e tij atdhetare, në mirënjohje të kontributit të At’ Gjergj Fishtës, poetit të mbarë kombit, dhe mbrojtësit të flakët të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta. Në mirënjohje dhe në kujtim të At’ Gjergj Fishtës, të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave  të shumta letrare e sidomos të epopesë kombëtare,  Lahutës së Malësisë, të kësaj kënge, që sipas At’ Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”.  At’ Daniel Gjecaj vazhdon në parathënien e “Lahutës së Malësisë” se kjo vepër e At’ Gjergj Fishtës, “ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt deri më sot ndera, burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës, bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqet heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At’ Daniel Gjeçaj në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958-n në Romë.

At’ Gjergj Fishta ka pësuar fatin e keq si pothuaj asnjë poet e shkrimtar i rangut të tij, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. I përjashtuar në mënyrën më mizore nga letërsia, ku iu mohua vepra, siç shkruan edhe Ernest Koliqi, ekzaktësisht  mu, “prej atij kombi të cilit ia qiti në pah fisnikinë e ia skaliti në vargje të pavdekshme tiparet e tij…një përdhunim historik ky i cili u krye zyrtarisht në emën të kombit, nga nji pakicë që shkruan e resitë, vendosë  e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojë….”.   Fatkeqësisht, ky trajtim ose më mirë të thuhet ky “përdhunim historik” ndaj poetit kombëtar, At’ Gjergj Fishtës vazhdon edhe sot, një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, ndërkohë që, politikanët-historianë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët gjithnjë vazhdojnë të shkruajnë historinë e kombit shqiptar, i referohen atij me epitet fyese si “fashist” e “tradhtar”.  Këto epitete fyese nga historianë aparatçikë të një ideologjie anti-shqiptare- në këtë periudhë të historisë kombëtare -për një burrë, i cili si pothuaj asnjë tjetër, me pendë e me mendje, me veprat e tija letrare dhe nëpër konferenca ndërkombëtare të kohës, në një periudhë aq të vështirë dhe aq të turbullt të historisë së kombit shqiptar – nuk shkojnë në dobi të interesave kombëtare as nuk i sjellin imazh të mirë Shqipërisë së sotme, vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kemi të bëjmë me një burrë patriot, i cili në Konferencën e Paqes më 1919-n, nuk kishte frikë t’i tregonte Europës se kush janë shqiptarët dhe ku para botës së atëhershme ai me guxim mbrojti të drejtat e shqiptarëve si askush deri atëherë, por mund të thuhet si askush deri më sot.  Ai foli për një familje të madhe trako-ilire e vendosur prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie e deri ndër karmat e thepisura të Karpateve, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.   Ai i tha Konferencës së Parisit se nga kjo familje rrjedh kombi i sotëm shqiptar, duke theksuar se: “Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë.  I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.”.

Biznesmeni nga Kosova, z. Sabri Maxhuni, i cili ka ndërmarrë përsipër restaurimin e shtëpisë së këtij patrioti të kombit shqiptar, shtëpisë, ku ka jetuar Fishta, pasi ai mendon ndryshe nga të ashtuquajturit historianë shqiptarë dhe trajtimit të keq që i është bërë nga ata At’ Gjergj Fishtës dhe veprës së tij. Sabri Maxhuni  është shtyrë të ndërmarrë një projekt të tillë patriotik, sepse ai si edhe shumë të tjerë e vlerësojnë At’ Gjergj Fishtën për meritat dhe kontributet e tija historike ndaj Atdheut dhe si një njeri që ishte përherë i gatshëm për të punuar në dobi të interesave kombëtare të shqiptarëve. Si atdhetarin, letrarin, por edhe fetarin i cili, si askush tjetër i doli zot lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të kombit shqiptar në trojet e veta, por njëkohësisht i harruar dhe i denigruar nga vetë kombi të cilin e mbrojti dhe të cilit i këndoi me qa dashuri e pasion.  Thonë se atdhedashuria tregohet me vepra. Sabri Maxhuni po e tregon atdhedashurinë e vet me nismën e tij për të restauruar shtëpinë ku ka banuar At’ Gjergj Fishta. Sikur do të paralajmërojë se, për një arsye ose për një tjetër, autoritetet përkatëse në Tiranë dhe në Shkodër mund t’i qesin probleme në zbatimin e këtij projekti, z. Maxhuni në mënyrë diplomatike tha se: “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë” së At’ Gjergj Fishtës. Ai i bëri thirrje Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë që për hir të brezit të ri të miratojë projektin për restaurimin e shtëpisë së Fishtës, duke thënëse: “Më vjen keq ta them, por mua më duket se rinia dhe fëmijët tanë nuk dinë për të madhin At’ Fishta”,- tha Sabri Maxhuni.  Besoj se çdo shqiptar kudo vlerëson nismën patriotike të  Sabri Maxhunit dhe  njëkohësisht bashkohet me ‘të që për hir të brezit të ri dhe për hir të historisë kombëtare të shqiptarëve, autoritetet përkatëse në Tiranë dhe në Shkodër duhet të dalin faqebardhë dhe t’ia zbardhin emrin At’ Gjergj Fishtës dhe njëkohësisht t’i zbardhin edhe fytyrën Shqipërisë duke miratuar pa asnjë vonesë projektin e biznesmenit nga Kosova, z. Sabri Maxhuni për restaurimin e shtëpisë së poetit kombëtar, At’ Gjergj Fishtës.

Mirënjohje dhe vlerësime për nismën tuaj i nderuar z. Sabri Maxhuni. Kjo është atdhedashuri e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!

Nga Frank Shkreli