Frank Shkreli/ Prioritetet e politikës së jashtme amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor për vitin 2016

618
Administrata e Presidentit Obama i ka paraqitur Kongresit prioritetet dhe planet e politikës së jashtme amerikane karshi Evropës dhe Euroazisë, përfshirë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, për vitin e ardhshëm financiar. Kërkesa e Administratës së Presidentit Obama për buxhetin e vitit 2016 për këtë rajon është 953.3 milionë dollarë. Është ky një ritual që bëhet çdo vit, pasi Kongresi, sipas kushtetutës, duhet të miratojë buxhetin për financimin e shpenzimeve për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme amerikane për zona të ndryshme gjeografike të botës. Ndonëse ky është vetëm fillimi i procesit dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë si përfundim i ngjarjeve në rajon, dëshmia të martën e kësaj jave e Koordinatores së Departamentit të Shtetit për Ndihmat Amerikane për Evropën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore, Alina Romanowski para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me çështjet evropiane dhe euro-aziatike – mund të shërbejë si një tregues i përparësive të politikës së jashtme amerikane ndaj Evropës dhe Euro-Azisë në përgjithësi dhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në veçanti, për vitin që vjen. 
Përfaqësuesja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) fillimisht falënderoi anëtarët e Nën-Komisionit të Kongresit për Punët e Evropës dhe të Euro-Azisë për mbështetjen që ligjvënësit e të dy partive – republikanë dhe demokratë – që sipas saj i kanë dhënë përpjekjeve të administratës për të zgjeruar dhe për të forcuar, “Një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”. Ajo u tha ligjvënësve se për arsye të agresionit të Rusisë në Ukrainë, ky vizion tani gjendet përballë një kërcënimi më të madh se çdo herë tjetër që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ajo falënderoi gjithashtu kongresistët për interesimin dhe vizitat e tyre që bëjnë në Evropë, përfshirë Ballkanin, gjë që sipas saj, “ka ndihmuar për të siguruar aleatët tanë atje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj sovranitetit, demokracisë, paqes dhe begatisë, si gur-themeli i interesit dhe sigurimit tonë kombëtar”. Ajo vlerësoi ndihmat e SHBA për Evropën Lindore që prej shembjes së komunizmit (me një vlerë prej 27.5 miliardë dollarësh) gjatë 25 viteve të kaluara, duke thënë se ato kanë provuar fuqinë transformuese të SHBA-ve, në forcimin e lirisë, sigurisë dhe të begatisë anë e mbanë një rajoni që ishte mbërthyer nga totalitarizmi, armiqësitë ideologjike dhe nga shkatërrimi ekonomik. Ajo vuri në dukje se që prej vitit 1990, 12 prej vendeve ish-komuniste që merrnin ndihma gjatë asaj periudhe, tani janë anëtare të NATO-s dhe 11 prej tyre bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian. 
Për më tepër, shtoi Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Evropën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore, Alina Romanowski, 11 prej vendeve të Evropës Qendrore që dikur merrnin ndihma amerikane, tani ato japin ndihmë në mbështetje të demokracisë, të tregjeve të lira dhe të dinjitetit njerëzor, vendeve në nevojë nga Ukraina e deri në Afganistan. Por me gjithë sukseset e dukshme të çerek shekullit të kaluar në Evropë, zyrtarja e lartë e DASH, i tha Kongresit se, harta e një Evrope “të lirë, demokratike dhe e bazuar në tregje të lira”, nuk është ende e plotë. “Korrupsioni, papunësia e lartë, zmbrapsjet në zhvillimet demokratike, shtypja e medias, tensionet etnike dhe konfliktet e tejzgjatura prekin gjithnjë shumë shtete të këtij rajoni”. Ajo posaçërisht theksoi influencën e rrezikshme të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një prej faktorëve që po pengon anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke sjellë si shembull krizën e fundit politike në Maqedoni. Alina Romanowski përqendroi një pjesë të madhe të kumtesës së saj para Kongresit, duke folur për ndihmat dhe politikën e SHBA-ve ndaj Ukrainës, ndërsa theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të shkelur dhe zhdukur vlerat mbi të cilat janë bazuar marrëdhëniet ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë, por ajo nuk mungoi të fliste edhe për prioritet e politikës së jashtme amerikane me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. 
Ajo i tha Kongresit se ndërsa SHBA janë në krye të përpjekjeve për integrimin e këtij rajoni në organizmat euro-atlantike, “Ne duhet të vazhdojmë t’u ofrojmë të gjithë atyre që aspirojnë zbatimin e standardeve euro-atlantike, ndihmën politike, ekonomike dhe morale në përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar këtyre organizmave”. Ajo u tha ligjvënësve amerikanë, të cilët eventualisht duhet të miratojnë fondet ndihmesë për vendet e Ballkanit Perëndimor se, “ndihmat e SHBA-ve do të përqendrohen në bërjen e reformave që janë të nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, dhe në zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Ajo theksoi gjithashtu se, “Në Kosovë, ndihmat tona janë një investim i vazhdueshëm për zhvillimin e një demokracie me të vërtetë multi-etnike, ku të gjithë qytetarët e saj kanë besim në qeverinë e vet dhe ku siguria e pajisjes me energji është e garantuar”. Në buxhetin për ndihmat e jashtme që po i kërkohet Kongresit për miratim për vitin e ardhshëm, përfshihen edhe projektet në sektorin e drejtësisë, si dhe ndihmat për organizatat e shoqërisë civile në mbarë rajonin, si një mjet për të luftuar korrupsionin. Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Evropën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore, Alina Romanowski, përmendi Shqipërinë si shembull, ku ne tha ajo, “Jemi duke mbështetur një projekt në sektorin e drejtësisë i cili ka për qëllim të shtojë transparencën dhe përgjegjësinë në këtë fushë, me instalimin e mjeteve për incizimin e procedimeve gjyqësore në gjykatat krahinore dhe në ato të apelit anë e mbanë vendit”.

Por, zyrtarja e lartë e DASH u shpreh se ndihma të tilla nuk mund të kenë sukses pa mbështetjen politike në radhët e qeverive, të shoqërive civile dhe të qytetarëve të këtyre vendeve. Ne, vazhdoi ajo, jemi duke u përpjekur të pengojmë prirjet në rritje e sipër në rajon që synojnë për t’i “mbyllur hapësirën pluralizmit politik, debateve publike dhe kundërshtarëve politikë”. Në një numër gjithnjë e më të madh vendesh në Evropë dhe Euroazi, theksoi Alina Romanowski, udhëheqës të ndryshëm politikë kanë kufizuar hapësirën e veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile dhe të medias së pavarur, me qëllim për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe në përpjekje për të kthyer mbështetjen publike në favor të tyre. Në përgjithësi, vijoi ajo, “Ndihmat tona kanë për qëllim të aftësojnë qytetarët që të angazhohen me qeveritë e tyre, qoftë nëpërmjet organizatave të shoqërisë civile, qoftë nëpërmjet medias së pavarur, sektorit të drejtësisë, ose nëpërmjet aktiviteteve të partive politike demokratike”. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtarja e DASH, mbështesin organizatat e shoqërisë civile dhe median e pavarur, ndërkohë që ato përpiqen të informojnë publikun dhe të hedhin pak dritë mbi sfidat me të cilat përballet demokracia dhe qeverisja e mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Më në fund, ajo foli edhe për ndihmën ushtarake të SHBA-ve, “në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, të modernizimit ushtarak, të doktrinës dhe taktikave ushtarake amerikane si edhe për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”. Është interesant fakti se duke folur për ndihmat dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Evropën, Euroazinë dhe Azinë Qendrore, Alina Romanowski, përmendi Kosovën ndër vendet ku, tha ajo “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të bëjnë investime strategjike në fushën e mbrojtjes me aleatët dhe me partnerët tanë, kryesisht me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, me Kosovën dhe shtetet baltike”. Ajo theksoi edhe kontributin e Bashkimit Evropian për ndihmat që i akordon vendeve të këtij rajoni duke thënë se ndihmat amerikane dhe evropiane përputhen me njëra tjetrën dhe se të dy palët janë duke bashkëpunuar për të sjellë përvojën dhe praktikat më të mira ekonomike të vendeve ish komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në hapësirën e vendeve post-sovjetike.
Koordinatorja e DASH, Alina Romanowski përfundoi dëshminë e saj para Nën-Komisionit të Kongresit për Punët Evropiane dhe Euro-Aziatike, duke thënë se, “Ndihmat tona kanë përmirësuar jetën e miliona njerëzve dhe se buxheti i kërkuar për vitin që vjen për këtë rajon, është një vazhdim i këtij misioni. “Ne- përfundoi zyrtarja e lartë e DASH,- me gjithë kufizimet me të cilat përballet buxheti për ndihmat e jashtme, zotohemi se do punojmë me zell dhe me imagjinatë, që burimet financiare të dhëna nga populli amerikan, të përdoren në shërbim të forcimit të vlerave tona si dhe në mbështetje të interesit tonë kombëtar, për të forcuar demokracinë, stabilitetin dhe begatinë anë e mbanë rajonit”, të Evropës dhe Euroazisë.
Sigal