Frank Shkreli: Presidenti Trump viziton Evropën për të dytën herë

670
Nga Frank SHKRELI*
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do vizitojë këtë javë Evropën ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Grupit të Njëzetëshes (G-20) që do mbahet në Gjermani më 7 korrik. Por, para se të arrijë në Hamburg të Gjermanisë për këtë takim, udhëheqësi amerikan do të vizitojë së pari Poloninë, dhe javën që vjen do të shkojë në Francë i ftuar nga Presidenti i ri atij vendi, Z. Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës. Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, që njofton vizitën e Z.Trump në Paris, thuhet se Presidenti Trump pret që gjatë qëndrimit të tij atje, “Të riafirmojë lidhjet e forta të Amerikës me Francën”.
Normalisht, se çdo takim dhe vizitë që bën Presidenti i Amerikës, cilido qoftë ai, në cilindo qoftë vend dhe mbledhje ndërkombëtare, me rëndësinë që bart me vete prania zyrtare e udhëheqësit të vendit më të fuqishëm në botë. Prandaj, vizita e planifikuar e Presidentit Trump në Poloni ka tërhequr vëmendjen e shumë ekspertëve evropianë dhe të medies në përgjithësi, se pse Z. Trump zgjodhi pikërisht për të vizituar Poloninë në këtë moment të historisë.
Në një deklaratë nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa u njoftua vizita e ardhshme e Z. Trump në Poloni, thuhet se ai e, “Pranoi ftesën që i bëri Presidenti i Republikës së Polonisë, Z. Andrzej Duda për të vizituar Poloninë para takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare, G-20 në Hamburg të Gjermanisë.” Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për shtyp thuhet se, “Vizita do të riafirmojë angazhimin e patundur të Amerikës ndaj njërit prej vendeve aleate më të ngushta evropiane të Amerikës dhe vizita njëkohësisht do të nënvizojë përparësinë që Administrata Trump i kushton përforcimit të mbrojtjes kolektive të vendeve të NATO-s”. Më tej thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, mbi vizitën e shefit të saj në Poloni se, “Të dy udhëheqësit do të diskutojnë mbi një numër çështjesh dy palësh dhe rajonale, duke thelluar në këtë mënyrë, marrëdhëniet midis dy vendeve aleatëve, bazuar në vlerat dhe në interesat e përbashkëta.”
Pritet që gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Presidenti Trump të mbajë një fjalim të rëndësishëm dhe njëkohësisht të marrë pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë të vendeve që bëjnë pjesë në të ashtuquajturën, “Nismën e Tre Deteve” – një nismë kjo polako-kroate, që zhvillon punimet me 6-7 korrik në Varshavë – me qëllim që, sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, të “Demonstrohen lidhjet tona të ngushta me vendet e Evropës Qendrore.” Njoftohet gjithashtu se objektivi i këtij takimi dy ditor në kryeqytetin polak, është promovimi i lidhjeve më të ngushta në fushën e energjisë midis vendeve të Evropës Qendrore, nga Deti Baltik në veri e deri tek Deti Adriatik dhe Deti i Zi në jug. Sipas Shefit të Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Z. H. R. McMaster, fjalimi i Presidentit Trump para këtij grupi, “Do të përqendrohet mbi sigurinë e infrastrukturës energjetike”. Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Z. McMaster, pritet që gjatë qëndrimit të tij në Varshavë, Presidenti Trump të takohet gjithashtu me Presidenten e Kroacisë, Zonjën Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe të mbajë një fjalim tek përmendorja e Kryengritjes së vitit 1944 në Varshavë, pikërisht në Sheshin Krasinki, ku do të “lavdëroi kurajën e Polakëve gjatë periudhave më të zymta të historisë”. Dihet se historia e shënon Kryengritjen e Varshavës si aktin më të madh të qëndresës në Evropën e pushtuar nga nazistët në Luftën e dytë Botërore, kryengritje e cila u shtyp brutalisht ndërkohë që mbetën të vrarë më shumë se 200,000 polakë ndërsa përfundoi edhe në shkatërrimin e qytetit.
Gjatë takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare të G-20 në Hamburg të Gjermanisë, sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që Presidenti Trump të takohet me disa prej udhëheqësve kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë, Zonjën Angela Merkel dhe Presidentin e Kinës, Z. Xi Jingping, ndër të tjerë – por takimi që ka nxitur interesim të madh, në të dy anët e Atlantikut – është takimi I planifikuar i Z. Trump me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin gjatë mbledhjes së G-20 në Hamburg.
Ndërsa, i ftuar në Francë nga Presidenti Emmanuel Macron, Z. Trump do të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës por sipas Shtëpisë së Bardhë ky rast do të përdoret gjithashtu për të përkujtuar 100-vjetorin e pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e parë Botërore, ndërkohë që ushtarët amerikanë do të parakalojnë së bashku me ushtarët francezë në paradën ushtarake që do mbahet në rrugën e njohur Champs-Elysees të Parisit. 
Sipas medieve evropiane dhe amerikane, në Hamburg të Gjermanisë kanë filluar demonstratat kundër takimit të nivelit të lartë dhe ndaj udhëheqësve pjesëmarrës në atë mbledhje. Ndërkohë që vizita e Presidentit Trump në Paris pritet që të kalojë pa ndonjë demonstratë ose protestë, Presidentit Trump, sipas medies polake dhe evropiane, po i rezervohet një pritje madhështore të premten në Varshavë. Polonia, historikisht, ka pritur mirë gjithmonë vizitat e presidentëve amerikanë, por vizita e Presidentit Trump kësaj radhe, sipas ligjvënësit polak Dominik Tarczynski, “do të jetë absolutisht e madhërishme”, njofton gazeta amerikane Wall Street Journal. 
Është kjo një vizitë që është kërkuar dhe po promovohet me entuziazëm nga qeveria konservatore e Varshavës, e cila e ndjen veten pak si të izoluar nga disa vende të Bashkimit Evropian, për arsye të qëndrimit të saj ndaj emigracionit, ndër të tjera. Polonia është shprehur qartë se është më afër qëndrimit të Presidentit Trump, për sa i përket imigracionit, sidomos imigracionit ilegal. Por zyrtarët amerikanë tregohen më të përmbajtur në lidhje me këtë vizitë – me qëllim që ndoshta të mos zemërojnë aleatët e tjerë në Bashkimin Evropian – duke thënë se vizita e Presidentit Trump në Poloni, do të shërbejë mbi të gjitha, për të fuqizuar lidhjet transatlantike, përfshirë NATO-n dhe sipas tyre, për të mbështetur njërin prej aleatëve më të forte të Amerikës.
Kjo është vizita e dytë e Presidentit Trump në Evropë. Sipas disa analistëve, vizita e tij e parë në kontinentin e vjetër nuk shkoi aq mire dhe siç mund të pritej – ku ai mori pjesë në takimin e NATO-s dhe në mbledhjen e G7. Si përfundim, pas asaj vizite, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja (klimaterike) e Parisit mbi Mjedisin, gjë që shkaktoi kritika të ashpra nga udhëheqësit evropianë dhe të tjerë. Gjatë takimit me udhëheqësit e vendeve të NATO-s gjatë asaj vizite, Presidenti Trump kritikoi ashpër vendet anëtare të aleancës së Atlantikut për mos përmbushjen e angazhimeve të tyre financiare ndaj aleancës, ose të dy përqindëshit. Gjatë vizitës së tij të dytë në Evropë këtë javë, Presidenti Trump do të takohet përsëri me shumicën e udhëheqësve evropianë, me të cilët është takuar gjatë vizitës së pare atje, plus do të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Mbetet për tu pare nëse vizita e dytë e Presidentit amerikan, Donald Trump në Evropë këtë javë, do të jetë më e suksesshme ose jo, në krahasim me vizitën e tij të pare në kontinentin evropian, të cilën ai vet e pat cilësuar si shumë të suksesshme me gjithë kritikat që u bënë nga qarqe të ndryshme. 
*Ish Drejtori I VOA-s për Euroazinë
Sigal