Frank SHKRELI/Presidenti Obama shpreh besimin e tij fetar

583
Sigal

Të enjten në Uashington u mbajt ceremonia e përvitshme e ”Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve”, ku përveç Presidentit Obama, zëvendëspresidentit Biden dhe u anëtarëve të Kongresit Amerikan ishin ftuar mbi tre mijë pjesëmarrës, udhëheqës dhe autoritete në fushë të ndryshme nga e mbarë bota. Është kjo një mbledhje që e organizojnë anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve,  të cilët rregullisht takohen në Kongres një herë në javë për lutje. Këtë traditë e ka filluar ish-Presidenti Dwight Eisenhower dhe për çdo vit Presidenti amerikan në detyrë, që së bashku me udhëheqësit më të lartë të vendit nuk ka munguar kurrë nga pjesëmarrja në këtë takim, ku gjithashtu, ftohen dhe marrin pjesë, jo vetëm personalitete politike dhe fetare, por edhe persona të dalluar në fushë të ndryshme të veprimtarisë njerëzore nga e mbarë bota. Ky takim është një rast për Presidentin amerikan dhe për pjesëmarrës të tjerë për të shprehur besimin e tyre dhe për të reflektuar mbi çështje shpirtërore, por edhe politike, për veten dhe për vendin e tyre. ”Kjo ceremoni është domethënëse”, u tha të pranishëmve Presidenti Obama, ”për ne – si komb dhe si popull – pasi që çdo vit për 61 vjet tani kjo traditë e mrekullueshme lutjesh ka vazhduar. Mbajtja e parvjetshme e kësaj ceremonie fletë shumë për ne, sepse vit pas viti, në kohë triumfesh dhe në kohë tragjedish, në paqe dhe në kriza, ne mblidhemi së bashku, jo si Demokratë e Republikanë, por si vëllezër e motra, si fëmijë të Perëndisë. Çdo vit, megjithë problemet dhe peripecitë e jetës sonë të përditshme, ne caktojmë një mëngjes për t’u mbledhur si komunitet i bashkuar në lutje”, tha Presidenti Obama.

Ai u tha të pranishëmve se i bëri përshtypje leximi gjatë ceremonisë nga Libri i Shenjtë drejtuar hebrenjve, se: ”Pa besim është e pamundur që të kënaqim Perëndinë, sepse kushdo që vjen para Tij, duhet të besoj se Ai ekziston dhe se, Ai i shpërblen ata që kërkojnë ndihmën e Tij… jo vetëm për një moment, ose për një ditë, por për çdo moment dhe për çdo ditë”, tha Presidenti amerikan, Barak Obama.

Presidenti Obama u tha pjesëmarrësve në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve se: ”Si të Krishterë, ne besojmë në duart e gozhduara të Jezu Krishtit. Por aq shumë amerikanë të tjerë, të cilët përqafojnë dhe besojnë në fetë e tyre –si myslimanët dhe hebrenjtë, hindët dhe sikët – dhe të gjithë amerikanët që besojnë dhe ata që nuk besojnë – kanë një besim të thellë dhe të palëkundshëm në kombin e vet.”

Kohët e fundit, tha Presidenti Obama, pata rastin të reflektoja mbi fuqinë dhe forcën e besimit, duke folur për inaugurimin e tij të dytë për president të Shteteve të bashkuara të Amerikës, gjatë, të cilit ai vendosi dorën dhe u betua mbi dy Bibla që ishin përdorur nga dy amerikanë të mëdhenj, atë të Presidenti Abraham Lincoln dhe Biblën e Martin Luter Kingut, udhëheqësit të të drejtave civile në Amerikë – besimi i të cilëve, sipas z. Obama, bën jehonë edhe sot. Ishte e pamundur, tha ai, që me atë rast solemn të mos mendoja për këta dy burra dhe se si të dy këta – në kohë krize e tragjedie si edhe në periudha të pasigurta për kombin, ata i kthyen sytë tek Bibla për të kërkuar dhe për të mësuar nga fjala e Zotit – ashtu si ç’bënë që prej fillimit të këtij kombi aq shumë presidentë, predikatorë e ligjvënës, juristë e të tjerë. Duke folur për Dr. Luter King-un, Presidenti amerikan tha se, ”ne e dimë se Dr. King-u, në Bibël gjente forcën, në Bibël ai gjente bindjen dhe në fjalët e Zotit ai zbulonte të vërtetën mbi dinjitetin e njeriut, nga i cili ai nuk hoqi kurrë dorë. ” Edhe Presidenti Lincoln,- tha z. Obama -kishte moment të tilla, pasi e kishte parë vendin e tij të ndarë e të përçarë, në një luftë që kishte kthyer vëllain kundër vëllait, familjet kundër njëra-tjetrës, -kjo tha ai,- ishte një barrë e rëndë për cilindo president”, -duke shtuar se- ”në sytë e Presidentit Lincoln, forca e besimit ishte një shenjë përvujtshmërie që bën të mundur të njohim kufizimet tona dhe si pasojë ai mundi të shikonte Perëndinë edhe në radhët e atyre, të cilët ishin kundërshtarë të tij të vendosur”, shtoi Presidenti Obama.

”Në një demokraci kaq të madhe e kaq e ndryshme si kjo e jona”, vazhdoi ai, ”ne përballemi me lloj- lloj opinionesh”. “Por, -shtoi ai- detyra jonë si udhëheqës në qeveri, ose në biznes dhe si predikues të besimit  është që të kalojmë ditët tona me zemër dhe mendje të hapur, duke kërkuar të vërtetën që ekziston, edhe në një mendim të kundërt, për të bërë të mundur arritjen e marrëveshjeve që të bëjnë të mundur, për ne si komb dhe si popull të marrim masa dhe veprime konkrete për zgjidhjen e problemeve.”

Duke përfunduar fjalimin e tij të enjten para 3000 vetave nga Amerika dhe Bota, të cilët morën pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, Presidenti Obama  tha:-“Le të mbështetemi në vendosmërinë tonë, e cila bazohet në besimin tonë. Le t’i lutemi Zotit që të jemi të denjë të bekimeve të shumta që Ai i ka dhënë kombit tonë.  Më lejoni, gjithashtu, që t’u them se ne, të cilët jemi në pozita të fuqishme dhe me influencë duhet të jemi ndër ata më me përvuajtshmëri. Dhe le t’i premtojnë Atij dhe njëri-tjetrit, çdo ditë ndërkohë që, dielli lind në Amerikë, se ai diell lind mbi një popull që përpiqet që ta bëjë këtë bashkim edhe më të fortë”. Pas së cilës, Senatori republikan dhe nënkryetari i ceremonisë, z. Jeff  Sessions, i cili shpesh është përplasur me Presidentin Obama për çështje të shumta politike, e mbylli ceremoninë duke thënë se: “Ne jemi një komb, me një President. Faleminderit që jeni presidenti im! Faleminderit që jeni presidenti ynë!”, përfundoi senatori republikan Jeff Sessions.