Frank Shkreli: Post Scriptum i “Samitit” të Diasporës

695
Sigal

                      

Nuk dua të
komentoj mbi suksesin ose dështimin e pjesëshëm ose të tërë të “samitit” që u
cilësua si i pari i diasporës që u mbajt javën e kaluar në Tiranë, pasi nuk
isha i pranishëm dhe nuk dua të bëj gjykime ose vlerësime nga kjo anë e
oqeanit, megjithse në median shqiptare janë shfaqur vlerësime në favor dhe
kundër.  Vetë Kryeministri Rama kërkoi
falje për mungesat që mund të kenë ndodhur në organizimin e samitit.  Por, pa marrë parasysh përfundimet në të
cilat kanë ardhur organizuesit apo edhe kritikët mbi suksesin ose jo të “samitit”
të diasporës në Tiranë, unë siç e kam theksuar edhe më heret, besoj gjithnjë se
organizimi i një takimi të tillë ishte më se i nevojshëm, ndonëse i vonuar, për
derisa takimi  – për nga qëllimi dhe përmbajtja
– do të ishte mbarë kombëtar dhe gjithpërfshirës, pa dallime, sidomos pa
dallime politike midis diasporës së vjetër dhe asaj të 25-viteve të fundit. “Samiti”
i ashtuquajtur i parë, nuk është një ide e re dhe as i pari.  Pa dashur të tregohem kritik ndaj këtij takimi
në kryeqytetin e shqiptarëve, desha të  ve në dukje një fakt historik dhe të shënoj se
“samiti” i Tiranës, në të vërtetë, nuk është takimi i parë i diasporës, ashtu
siç u cilësua nga organizuesit dhe nga disa prej folësve në tubimin e Tiranës. Në
një dokumentar që u shfaq në fillim të punimeve të “samitit” në Tiranë, u pohua
në një referencë në kalim dhe shkurt, se “Krerët e diasporës shqiptare u takuan
në audiencë solemne me Papa Palin VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së
Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, prillin e vitit 1968.   Por nuk u tha se kush ishin këta krerë ose
kush ishte organizatori i kësaj nisme, megjithëse dokumentarit nuk i mungonin
emëra të njohur dhe të panjohur, të rëndësishëm dhe jo aq të rëndësishëm të
diasporës së vjetër dhe të re dhe nuk u tha se kush në fakt e organizoi atë
takim të parë nga mbarë mërgata e atëhershme, përfshirë Arbëreshët e Italisë, e
që u mbajt 48-vjetë më parë në kryeqytetin italian.  Duket se ishte tepër e pa pranueshme që
nismëtarët e “samitit” të diasporës në Tiranë të përmendnin në dokumentarin e
tyre për mërgatën, emërin e Profesor Ernest Koliqit, nismëtarit dhe
organizatorit të takimit të përfaqsuesve të mërgatës në Romë. Fatkeqësisht,
duket gjithashtu se hendeku i thellë ideologjik është vështirë të ngushtohet,
lere më të zhduket në Shqipërinë tonë të sotme, bile edhe 70-vjet pas mbarimit
të Luftës së Dytë Botërore, influencoi edhe organizimin e “samitit” të fundit
në Tiranë. Sa për dijeni të lexuesit, krye-organizatori i kësaj nisme, në të
vërtetë të takimit të parë të mërgatës”, ishte Profesor Ernest Koliqi, por të
cilit nuk iu përmend emëri në dokumentarin e shfaqur në “samitin e diasporës”
në Tiranë, si nismëtari i takimit të parë të mërgatës shqiptare.  Ernest Koliqi,  ishte ai i cili me punë të rëndë dhe me
mbështetjen e Vatikanit dhe të një grushti shokësh të tij të ngushtë bëri të
mundur grumbullimin e parë të mërgimtarëve të atëherëshëm në Romë, me rastin e
500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe.   Jo
vetëm që ai takim u organizua shumë mirë, por nga të gjitha vlerësimet e
pjesëmarrësve, bazuar në rrethanat dhe mundësitë e kohës, mërgata e vjetër
shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” — siç do
t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrësit në atë tubim të parë të mërgatës –
me atë tubim i tregoi botës me dinjitet, se kush ishin në të vërtetë shqiptarët
dhe kush ishte Heroi i tyre Kombëtar.  Ernest
Koliqi me bashkpuntorët e tij,  organizuan
takimin e parë të diasporës në Romë në prill të vitit 1968, në frymëm dhe në
kujtimin e të, “Gjithëmonshmit të fisit
tuaj, (Gjergj K astriotit Skënderbe) i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë
vlerat  e trashëguara të besës, të nderit
e të burrënisë
”, siç është shprehur në tubimin e parë të mërgimtarëve
shqiptarë nga bota e lirë, Papa Pali VI, në pritjen që u pati bërë  mërgimtarëve shqiptarë në Vatikan. Do të ishte
mirë që faktet historike të mos nëpërkëmben dhe të mos injorohen, vetëm e vetëm,
se disave për arsye ideologjike dhe politike nuk u pëlqejnë  protagonistët e këtyre fakteve. Organizimi i
takimeve si ai i “Diasporës Shqiptare” që u mbajt në Tiranë duhet të ishin larg
ndikimeve dhe prapaskenave politike. Vetë, i ndjeri Profesor Koliqi do të
thonte në lidhje me këtë, ndoshta edhe me pak cinizëm, se gjithçka në botë lëviz e ndryshon, veç në Shqipni mjerimi mbetet i
njëjtë, madje edhe kur ai ndryshon ngjyrën
. Me këtë nuk besoj se Koliqi kishte
në mend mjerimin ekonomik!  Nuk është për
t’u habitur se Shqipëria komuniste kishte refuzuar të dërgonte ndonjë
përfaqsues të saj në kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit të
Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut në Romë, por sot 25 vjet
post-komunizëm në Shqipëri nuk duhet të ketë dallime dhe paragjykime të tilla. Në
të vërtetë, në mbledhjen e parë të mërgatës në vitin 1968 në Romë, takimi me
Papa Palin  VI në Vatikan ishte vetëm një
pjesë e ceremonive me rastin e këtij përvjetori të madh për shqiptarët dhe
ishte rasti i parë që Arbëreshët e Italisë dhe pjesëtarë të mërgatës shqiptare
nga e mbarë bota e lirë, kryesisht të pas Luftës së dytë Botërore – nga Amerika
e deri në Australi – ishin mbledhur në Romë për të përkujtuar heroin e madh të
shqiptarëve. Takimi me Papa Palin  VI dhe
fjalimi i tij drejtuar shqiptarëve me atë rast, ishin kulmi i festimeve
kastriotjane prej katër ditësh të diasporës shqiptare, por nuk munguan as
ceremonitë, ligjëratat akademike dhe shfaqjet kulturore që u mbajtën me këtë
rast, anë e mbanë Romës. Duhet të theksohet se, ndonëse edhe mërgata e asaj
kohe ishte e ndarë në disa parti dhe organizata politike të ndryshme, takimi i
parë i saj në Romë të Italisë, në kujtim të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit
Skënderbe, nuk përbënte ndonjë  pengesë
politike që ndër pjesëmarrësit në atë takim historik të përfshiheshin përfaqësuesit
më të dalluar, të djathtë e të majtë të politikës së diasporës së atëhershme
shqiptare. Në një shkrim të Karl Gurakuqit mbi pjesëmarrjen në takimin e parë
të mërgimtarëve shqiptarë në Romë më 1968, botuar në revistën  “Shëjzat” e Ernest Koliqit, shënohet se në
kryeqytetin italian kishte shkuar ajka e mërgatës shqiptare të pas Luftës.  Merrte pjesë Dhimitër Berati, njëri prej
nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë, publicisti dhe politikani i njohur
shqiptar i fillim shekullit të kaluar.  Nga
Amerika, përfaqsues të Federatës Pan Shqiptare Vatra, Anthony Athanas, Christo
Thanas, Peter Chikos, Prof. Nelo Drizari, Dr. Hamdi Oruçi, e të tjerë.   Komiteti Shqipëria e Lirë përfaqsohej ndër
të tjerë, nga Dr. Nexhat Peshkopia.  Aty
ishin gjithashtu përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, profesorët Abaz Ermeni e
Vasil Andoni, Zef Pali e Sulejman Meço. Natyrisht, organizatori i tubimit të
parë të diasporës, Prof. Ernest Koliqi, Kapidan Ndue Gjomarkaj, Profesor Martin
Camaj, dr. Ismail Verlaci, dr. Vehbi Frashëri, dr. Ragip Frashëri, piktorët
Ibrahim Kodra e Lin Delija dhe Tahir Zajmi, ish-sekretar i Bajram Currit, e
shumë e shumë të tjerë.  Burra të tillë
të kombit ishin me dyzina nga radhët e intelektualëve të mërgatës politike
shqiptare të pas Luftës që morën pjesë në takimin e parë të diasporës shqiptare,
të gjithë së bashku në ceremoninë fetare në Kishën e Madhe të Shën Pjetrit për
të nderuar Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, megjithëse dihej se mosmarrëveshjet
politike midis tyre ishin të dukshme dhe shpesh tepër të theksuara.  Por të përbashkët kishin jo vetëm Gjergj
Kastriotin Skënderbe dhe vlerat e tij kombëtare, por edhe vuajtjet nepër të
cilat përshkohej Shqipëria komuniste e atyre viteve dhe familjet e tyre atje.  Karl Gurakuqi shkruante se gjatë takimit të
parë të mërgatës shqiptare në Romë, në vitin 1968, “Mendja e jonë fluturonte atje larg në Shqipni. Na u përfytyrojshin
kishat e rrenueme e të djeguna, shërbëtorët e Perendisë të përndjekun, të
vramë, të pushkatuem, të kalbun nepër burgje, të tallun e të nëpërkambun…na
dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmve, lotët e nanave të mbetuna pa djelm.  Shifshim Atdheun në futa të zeza.”
Fatbardhësisht,
 me shembjen e Murit të Berlinit, shumë
gjëra kanë ndryshuar për më mirë ç’prej takimit të parë të  mërgatës shqiptare në Romë. Diaspora shqiptare
sot anë e mbanë botës, është shumë më e madhe dhe më e përhapur dhe në shumë
aspekte edhe më e zhvilluar se kurrë më parë. Shkon e vjen lirisht në Atdhe dhe
kryesisht e ndjen veten si një degë e pandarë e trungut të kombit shqiptar. Si
të tillë besoj se shumica e jonë dërmuese ia duam të mirën Shqipërisë, Kosovës
dhe shqiptarëve në përgjithësi, pa marrë parasysh se kush udhëheq atje.  Besoj se flas për shumë pjesëtarë të diasporës
shqiptare, të vjetër e të re, kur them se mbi të gjitha duam ta shohim
Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta, të nderuar dhe
të respektuar në botë, por edhe të përparuar shoqërisht, politikisht dhe
ekonomikisht në trojet e veta, ashtu që ata të jetojnë sa më të lumtur në tokën
e vet, në Ballkan.  Ne nuk duam që të na
shtohen radhët në mërgim, se jemi mjaft në diasporë dhe nuk duam të boshatisen
trojet shqiptare. Bota e re shqiptare e shekullit 21 – Shqipëria, Kosova dhe
Diaspora – në nismat e tyre duhet të jenë të pandashme dhe gjithë përfshirëse,
pa marrë parasysh dallimet midis tyre, madje edhe mosmarrëveshjet politike
midis brezave të ndryshëm. Nuk duhet pasur frikë nga njëri tjetri, sepse as
Shqipëria, as Kosova dhe as Diaspora, si njësi të vetme nuk do të mund të
krijojnë botën e re shqiptare të shekullit 21. Bota e re shqiptare
nevojitë  një kulturë të re politike,
nevojitë bashkpunim dhe tolerancë ndaj njëri tjetrit në trojet shqiptare dhe në
diasporë. Nevojitet një bashkëjetesë vëllazërore midis shqiptarëve, pa marrë
parasysh ku jetojnë ata dhe cilat janë pikpamjet e tyre politike, në përputhje
kjo me frymën e kohës moderne të fillim shekullit 21. Në qoftë se në këtë botë
të re, objektivi është ringjallja e kombit shqiptar, atëherë, nevojitet bashkëpunimi
me forcat më të shëndosha të tij, kudo qofshin ato dhe çfardo pikpamjesh te
kenë.  Prandaj, “samiti” që sapo u mbajt
në Tiranë dhe “samitet” e diasporës shqiptare që mund të mbahen në të ardhmen,
do të konsiderohen të suksesshme – jo për nga investimet që mund të bëjë
diaspora në trojet shqiptare, ndonëse edhe ato janë të nevojshme dhe të
rëndësishme – por për nga aftësia e organizatorëve, që me respekt  dhe tolerancë për mendimet e njëri tjetrit dhe
të tjerëve, të bëjnë të mundur harmonizimin e pikpamjeve të rrymave të ndryshme
politike të pjesëmarrësve në ato takime, për të mirën e përbashkët të kombit.  Me qëllimin për të pasuruar dhe për të
lartësuar emrin e shqiptarëve në botë, ashtu siç bëri takimi i parë i diasporës
shqiptare me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut,
në prill të vitit 1968 në Romë.  “Kjo dëshirë, me e pa vendin tonë mirë të
mbarshtruem e të maturuem politikisht mbi baza drejtësie shoqënore, do të
mbette ndiesi e thatë, po nuk u shëndrrue në shkas përpjekjeje e vrull
veprimtarie që shëndërron dëshirën në realitet
”, ka thënë organizatori i
takimit të parë të diasporës shqiptare, Profesor Ernest Koliqi.  Shpresojmë që “samitet” e ardhshëm të bëjnë
realitet faktin se mërgata shqiptare, pa dallime dhe paragjykime politike, do
të bëhet pjesë e pa ndarë e botës së re shqiptare të shekullit 2. Kjo është në
dorë të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare. Ka ardhur koha pra që, sidomos në
Shqipëri, të zhduken paragjykimet enveriste mbi “Mërgatën e qyqeve” të Nasho
Jorgaqit.  Pa marrë parasysh se ç’mendojnë jorgaqët e kësaj bote, atëherë dhe sot,
Diaspora Shqiptare ishte dhe është pjesë e pa ndarë e trungut të kombit
shqiptar. Si gjithmonë  gjatë historisë, Shqipëria
dhe Kosova kanë nevojë për të.  

Frank
Shkreli